Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Një histori përndjekje” – Format e fshehura të dhunës me bazë gjinore

Kodi Penal i Shqipërisë, prej tetë vitesh ka integruar përndjekjen si një ndër format e dhunës e cila dënohet me gjashtë muaj deri në katër vite burg.

Një krim përndjekje ndodh kur një person ngacmohet apo kërcënohet në mënyrë të përsëritur, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake.

Të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit tregojnë se në vitet 2018-2019 janë zbuluar një total prej 386 autorësh të cilët kanë kryer 379 vepra penale që lidhen me përndjekjen. Në total janë 192 autorë të arrestuar ose ndaluar, 163 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 31 konsiderohen të larguar. Numri i veprave të pazbuluara është 25.

Psikoterapistja Izela Tahsini tregon se ka një serë faktorësh që çojnë në mospranimin e një refuzimi, i cili më pas kthehet në një kalvar dhune dhe presioni. Disa nga këto faktorë lidhen me fëmijërinë problematike dhe atashimin.

Faktorët e brendshëm mund t’i gjesh te personat e ndryshëm që për shkak të mënyrës sesi mund të ketë shkuar fëmijëria dhe rritja e tyre dhe problematikave që kanë më atashimin, mund ta përjetojnë emocionalisht aq fort ndarjen, si një refuzim, që në nivele emocionale për ata mund të jetë i papërballueshëm“, shprehet ajo për Citizens Channel.

Një histori përndjekje 

Alida* ka pranuar të rrëfeje historinë e saj të përndjekjes për Citizens Channel. Disa muaj pas ndarjes me partnerin abuziv ajo është gjendur përballë një situate që i ka ngjallur ankth dhe frikë për muaj me radhë.

Alida u njoh me Bledin* në muajin maj të vitit 2017. Në mjediset e punës lindi shkëndija e parë, e cila u konkretizua më pas në një marrëdhënie romantike.

Në fillimet e njohjes, dukej sikur çdo gjë shkonte shumë mirë mes tyre – çka do përmbysej shumë shpejt. Bledi shfaqi shenjat e para të kontrollit dhe tendencës për t’i vendosur kufij jetesës të partneres së tij.

Në fillim dukej shumë e këndshme, nuk kishte fare lidhje me njeriun që filloi të shndërrohet më vonë. Dukej sikur ishte më i kuptueshmi në botë… pastaj nuk ishte fare i kuptueshëm“, rrëfen ajo teksa pohon se tjetërsimi i partnerit erdhi fill pas konfirmimit të lidhjes.

“Gjatë kohës së njohjes ishte shumë i mirë. Pasi e konfirmoi që do lidheshim filloi të ndryshonte. ‘S’do dalësh, s’do bësh, me mua s’bën kështu, kush të duron ty kështu'”, kujton ajo, teksa rrëfen se Bledi i krijoi mjaft probleme në rrethin shoqëror dhe atë profesional.

Me shoqet që dilja dhe që ai e dinte shumë mirë, filloi duke i sharë që të më bënte edhe mua të besoja që ishin të këqija. Në një farë mënyrë të justifikohej pse më thoshte mos dil me to“.

Duke rikujtuar periudhën e vështirë të lidhjes, ajo sjell në vëmendje një incident, “shkaku” i cili ishte  një bisedë e shkurtër mes Alidës dhe një tjetër kolegu burrë.

“Unë i tregova një bisedë, gjëra normale që thonë kolegët në punë dhe ai i tha: ‘Pse i fole? Ç’pate ti me atë? Mos i fol më. Mos e shiko më’“.

E gjendur nën presion dhe disi e kërcënuar se si do mund të shkonte situata në rast se do kishte konflikte në hapësirën ku ata ushtronin profesionin e tyre, Alida vendosi të shkëpusë kontaktet me kolegët e punës.

Nga kolegët u largova që të mos bëja figurë të keqe aty se sigurisht do të ndjehesha unë keq, jo ai. E kam bërë që të mos krijoja imazh të keq te të tjerët sepse ai ishte i tip që reagonte shumë keq, nuk e përmbante veten“.

Shtresat e tjera të kontrollit

Gjatë lidhjes së tyre, Bledi vazhdimisht e akuzonte Alidën se ajo e tradhtonte, alibi të cilat ngriheshin në rast se ajo përdorte shumë makijazh, nëse pëlqente diçka në rrjete sociale apo nëse nuk i tregonte me fotografi se me kë ishte, kur ajo kishte dalë.

Kam qenë me familjen në atë moment dhe ky nuk besonte që mund të isha me familjen. Kishte raste që me kërkonte t’i tregoja me fotografi se ku janë. Filloi të dyshonte se unë po e tradhtoja“.

I njëjti problem ndodhte edhe nëse ajo nuk i përgjigjej në telefon.

Gjithmonë e kishte atë asin nën mëngë, si përgjigje [kur nuk i hapja telefonin] më thoshte që po e tradhtoja. A thua se të gjithë njerëzit e kanë kaq kollaj të tradhtojnë. Edhe kur ne ishim shumë mirë bashkë, sa shkoja në shtëpi që nuk i hapja një moment telefonin, direkt mendonte ashtu“.

Ndarja dhe cikli i përndjekjes

Presioni dhe dhuna psikologjike e vazhdueshme e shtynë Alidën drejt ndarjes, vendim i cili nuk ishte i lehtë pasi ajo i druhej reagimit të tij.

Edhe po të kishte qenë afeksion, në atë kohë nuk është se po më interesonte më. Nuk po e duroja dot më dhe mezi prisja të gjeja mënyrën e duhur që të ndahesha sepse sinqerisht, në një farë pike, kishte arritur të bëhej edhe i frikshëm“.

Pas ndarjes, Alida është përballuar vazhdimisht me presion të vazhdueshëm, manifestuar përmes thirrjeve telefonike dhe mesazheve të shpeshta gjatë çdo ore të ditës apo natës, duke bërë që ajo të mos dilte nga shtëpia vetëm.

Me mesazhe vërtetë kam ndjerë presion dhe kisha frikë, nuk dilja vetëm se mendova po sikur t’i bëjë vërtetë këto që thotë. Kërcënonte për dhunë, do të të mbys“.

Bledi i ka shkruar mesazhe deri vonë Alidës, të cilat nuk kanë marrë kurrë përgjigje.

Nga fillimi i këtij viti më ka shkruar, para 3-4 muajsh. Kur pretendonte se unë do i ktheja përgjigje, pesë muaj pas ndarjes shkruante vazhdimisht me shpresën se do i ktheja përgjigje, se do takoheshim“, rikujton ajo, e cila arriti të shkëputej tërësisht nga marrëdhënia abuzive falë mbështetjes së familjes së saj.

Ai priste se familja sigurisht nuk do më mbështeste dhe unë do isha komplet e humbur dhe do detyrohesha të bëja çfarë më thoshte se nuk kisha rrugë tjetër. Kur kuptoi që familja më mbështet në çdo vendim, nuk e priste këtë gjë“.

Nga gjithë kjo histori, shprehet Alida, ka kuptuar se duhet t’i japë prioritet mirëqenies së saj mendore.

Nuk e kisha menduar se një eksperiencë kaq e keqe do të më shërbente për mirë. Më ka ndryshuar si njeri. Tani nuk më intereson më se sa mund të mërzitet dikush tjetër, do mendoj për interesim tim në fillim, edhe pse do dukem shumë egoiste. Mendoj se kjo është shumë e mirë për shëndetin tim mendor“, përfundon ajo.

Çfarë i shtyn individët drejt përndjekjes?

Izela Tahsini, profesioniste e shëndetit mendor dhe njëkohësisht pedagoge pranë Universitetit të Tiranës, tregon se faktorët që e shtyjnë individit drejt përndjekjes shërbejnë për të shpjeguar veprimet dhe jo për t’i justifikuar ato.

Insistimi i vazhdueshëm vjen pasi në përjetimet e personit, ndarja është një ngjarje traumatike, e cila duhet shmangur.

Në mendjen [e përndjekësit], në mënyrën sesi e përjeton është si diçka që duhet shmangur me çdo kusht. Dhe mënyra si mund ta shmangë është që të përpiqet që të mos ndahet“, thotë psikoterapistja Tahsini.

Rrethi shoqëror dhe komuniteti është një tjetër faktor, vijon më tej ajo. Në kulturat patriarkaliste burri nuk është ai që “lihet”.

Izela Tahsini, psikoterapiste

Në qoftë se rrethi shoqëror në të cilin një djalë është i rritur, vjen në një variant ‘maço’, atëherë bëhet edhe e rëndësishme përpara shokëve, përpara çunave, përpara të tjerëve që të mos jetë ai që “është lënë” në një marrëdhënie. Në sytë e të tjerëve gjithmonë lënia perceptohet keq“.

Normat patriarkale në shoqëri kanë kontribuar në tolerimin e disa sjelljeve kontrolluese në marrëdhënien romantike.

Normat patriarkale që ekzistojnë më gjerë në shoqëri i ndikojnë të dyja palët. Vihet re një lloj tolerimi në marrëdhëniet intime të sjelljeve posesive. Një lloj pranimi i kontrollit të celularit, i të pyeturit se ku po shkon, me ka po del. Kjo ka të bëjë dhe me mënyrën sesi një vajzë rritet, sesi mësohet që sjelljet e tilla  mund të interpretohen edhe si shenje e vëmendjes dhe interesit të partnerit“, përmend Izela Tahsini.

Tolerimi i dhunës në shoqëri, e cila mund të përkthehet më vonë në përndjekje, shkakton shumë dëm te viktima.

Është një ngjarje goxha shqetësuese, është diçka nga e cilën ti nuk e di nëse do të shpëtosh edhe si. Mbajtja nën kontroll, nën një survejim të vazhdueshëm dhe pengimi i jetës është e vështirë dhe ka nevojë për një përpjekje të fuqishme emocionale për ta përballuar, për t’i rezistuar“, përmbyll Izela Tahsini.

*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *