Duam bukë, kemi ngelur pa bukë“,-ishin thirrjet që shoqëruan sot dhjetëra naftëtarë teksa protestonin para zyrave të Rafinerisë së Ballshit.

Për të disatën herë, ata janë mbledhur në shenjë proteste për të kërkuar rifillimin e punës dhe marrjen e pagave të prapambetura.

Protesta u shoqërua me tensione mes tyre dhe policisë, ndërsa kryetarii i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj u shoqërua në komisariat.


Menjëherë pas largimit të kreut të Sindikatës së Bashkuar, naftëtarët janë vendosur para Komisariatit të Policisë Mallakastër për të kërkuar lirimin e Dautajt.

Naftëtarët i janë drejtuar më pas rafinerisë së Ballshit ku kanë hyrë në ambjentet e saj. Ndërkaq policia ka tentuar t’i largojë naftëtarët nga rafineria.

“Po ju them edhe njëherë, po ju bëj thirrje publike, po ju bëj thirrje njerëzore, ju lutem shumë mos na detyroni të ndërmarrim veprime të përshkallëzuara…“- u shpreh njëri prej punonjësve të policisë teksa kërkonte largimin e naftëtarëve nga ambjentet e rafinerisë.

Naftëtarët 10 muaj pa punë; Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës premtoi rifillimin e punës brenda qershorit 

Festim Jahaj, punon si naftëtar prej 18 vitesh në rafinerinë e Ballshit. Megjithatë prej tetorit të vitit 2019 ai nuk ka mundur të punojë më, për shkak të mbylljes së uzinës.

Kemi nga tetori e deri tani pa punë. Na dhanë 3 paga minimale, tetor, nëntor, dhjetor , sepse kishim një vit kontratë. Ata e mbyllën në muajin e 9-të dhe na thanë që ne do zbatojmë kontatën që kemi me juve dhe do ju japim pagë minimale për këto tre muaj. Nga janari e deri më sot rezultojmë të papunë. Librezat i kemi atje, ata nuk na japin librezat. Jo se do fillojmë thonë“,-rrëfen Jahaj për Citizens Channel.

Më 28 maj 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.

Kanë kaluar dy muaj dhe sërish puna nuk ka nisur në rafinerinë e Ballshit, pa mundur t’i kthehet normalitetit sikurse premtoi ministja në maj të 2020. Ndërsa prej nëntorit janë 850 naftëtarë në pritje të rifillimit të punës.

Për Festim Jahajn kjo periudhë ka qenë e vështirë në aspektin financiar. Përpos ndihmës nga ana e bashkëshortes, e cila punon në një fasoneri, përkujdesja për tre fëmijët e tyre në këto kushte është një sfidë.

Punon ime shoqe në fasoneri, por jam me tre fëmijë. Djali i madh sivjet vete në shkollë në Tiranë. Me kredi jam se kam marrë një shtëpi. Nuk kemi zanat tjetër, atë zanat kam që punoj, kam 18 vjet që punoj në uzinë. E kam lidhur jetën time dhe të fëmijëve të mi me atë uzinë“,-shprehet Festim Jahaj.

Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, Festimi bashkë me naftëtarët e tjerë kanë mundur të marrin vetëm një pagë lufte.

Puna në rafinerinë e uzinës së Ballshit është shoqëruar gjithmonë me parregullsi, duke ngritur herë pas here naftëtarët në protesta.

24 shkurt 2020, 800 punonjës të rafinerisë së naftës kërkuan marrjen e pesë pagave të prapambetura dhe vazhdimin e punës së Uzinës, ndërkohë që dhjetë prej naftëtarëve ishin në grevë urie.

Protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme edhe gjatë muajve të verës ku kanë kërkuar rifillimin e punës në uzinë. Më 24 korrik, në protestën para Bashkisë Ballsh, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar u shpreh se kthimi i detyrimeve të prapambetura ishte një premtim i Kryeministrit Rama që në vitin 2017.

Ashtu siç firmat vijnë dhe ikin e falimentojnë, shteti duhet të jetë palë në bërjen e kontratës së re. Le ta dimë se cilën kompani po bie shteti këtu. Cilado kompani që duhet ë vijë në rafinerinë tonë duhet të marrë përsipër detyrimet. Në rast të kundërt, detyrimet tona duhet të kalojnë të pala shtet. Zoti Rama në vitin 2017 erdhi në rafineri dhe tha që të gjithë do të merrni detyrimet e prapambetura. Ku jemi sot? Jemi tre vjet mbrapa dhe askush nuk na jep një përgjigje të saktë”, u shpreh kreu i sindikatës Sokol Dautaj gjatë protestës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu