Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kriza e biznesit pas COVID-19, rrëfyer nga tregtarët e “Myslym Shyrit”

Mesatarisht 28 biznese në ditë kanë ulur qepenat gjatë muajit korrik në Shqipëri.

Të dhënat nga Drejtoria e Tatimeve tregojnë një muaj më parë, 860 subjekte kaluan në status pasiv, 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (623).

Një vëzhgim i Citizens Channel në zonën e Myslym Shyrit, një ndër rrugët tregtare më të frekuentuara në Tiranë, tregon se emrat apo reklamat e bizneseve kanë nisur të zëvendësohen me tabelat “Shitet” apo “Jepet me Qira”. Është ora 9.30 e mëngjesit dhe dhjetëra dyqane janë të mbyllura ndërkohë mund të numërohen më shumë se 22 biznese krejtësisht të boshatisura.

Fotogaleri: Dyqanet e zbrazura të rrugës Myslym Shyri

Një vajzë rreth të 30-ave, e cila zotëron një dyqan rrobash tek Myslym Shyri prej nëntorit të vitit 2019 tregon se tërmeti dhe pandemia i kanë bllokuar procesin e punës, i cili tani po mbahet me sforco për të mos u mbyllur krejtësisht.

Është një stres… po ta kisha menduar, nuk do ta kisha hapur. Unë mendoj që 90% e shikoj të falimentuar si biznes. Është gjithë ai lekë i futur, është faliment, dështim pa e nisur akoma”.

“Ulje deri në 70% për të paguar qeranë dhe taksat”

Ajo tregon se shumë nga bizneset janë detyruar të ulin në mënyrë drastike çmimin e mallrave, për të siguruar të paktën pagesën e qerasë dhe taksave: “Në muajin qershor nuk kishte fare lëvizje. Çfarë bëmë? I ula të gjitha me 50%, thjesht për të nxjerrë detyrimet, sigurimet. Nuk di, është katastrofë, nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj. Rrogë për vete s’bëhet fjalë“.

Foto e dyqanit me njoftimin për uljet 50 – 70%

Po e bëre me 50% ti nuk ke asnjë lloj fitimi. I bie që me ato lekët që ke hedhur për të blerë mall me atë ne po paguajmë qiranë, po paguajmë detyrimet. Dhe problemi është që nuk na ngelet lekë për të bërë furnizimin“, vijon më tej ajo.

Një tjetër punonjëse e një dyqani këpucësh aty pranë na tregon për një situatë të ngjashme. Ajo shprehet se puna ka filluar në muajin prill dhe vetëm nëpërmjet uljeve kanë arritur të sigurojnë xhiron: “Në xhiron e biznesit ka ndikuar normalisht sepse dyqani prej dy muajsh ka qenë i mbyllur. Në momentin që ne jemi hapur kemi bërë një ulje shumë të madhe që disi jemi rimëkëmbur në xhiron e biznesit.”

Edhe dyqanet e vjetra të zonës janë drejt falimentimit

Pronarja e dyqanit “Souvenir Time” ka 18 vite që punon në prodhimin dhe shitjen e produkteve artizanale. Prej fillimit të pandemisë dhe deri më tani, Kujtimja nuk ka arritur të sigurojë as të ardhurat për të mbuluar plotësisht qiranë e hapësirës që ajo shfrytëzon në fillim të rrugës Myslym Shyri.

Biznesi im është vetëm me turistë, me shkollat, me ansamblin, me dasmat, dhe për mua është shumë dobët dhe vetëm po qëndrojmë, as qiranë s’po e paguajmë. Një herë kam paguar 20.000 lekë, një herë 25.000, 30.000 lekë por nuk ia kam plotësuar asnjëherë. Shpresojmë dita-ditës se mos do bëhet më mirë“, shprehet ajo për Citizens Channel.

Biznesi “Souvenir Time”

Ajo tregon se tashmë po punon dy turne në biznesin e saj, pasi nuk mundet t’i garantojë punëmarrëses një pagë mujore.

Këtu kam pasur një punëtorë më përpara, mendoj që ta marr përsëri, se ajo është e martuar, do të jetojë me fëmijët. Pres të filloj punë, të rri tetë orë të paktën, jo 12 orë, se unë merrem edhe me punimet, me qëndisjet“.

Korsia e re biçikletave te Myslym Shyri thellon problemin

Në një postim të datës tetë maj, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj lajmëroi përmes një statusi në rrjetet sociale se tashmë edhe rruga Myslym Shyri ka krijuar hapësirë për biçikletat, duke hequr rrugën që dikur shërbente për parkimin e makinave.

Punonjës dhe pronarët e bizneseve thanë për Citizens Channel se askush nuk i kishte vënë në dijeni apo ishte konsultuar me ta për këtë ndryshim, i cili sipas tyre do të kishte ndikim në pakësimin e klientëve.

https://www.facebook.com/watch/?v=542722249748721

Impakti i kësaj politike te bizneset në Myslym Shyr ka rënduar edhe më tej situatën e financiare të të punësuarve përgjatë këtij aksi në Tiranë.

Korsia e biçikletave ka ndikuar shumë. Për dhjetë biçikleta që kalojnë poshtë e lart… shumë keq. Ka qenë një rrugë që ka lëvizje. Po tani, pandemia po, biçikletat po, kush do blejë tek ne? Po mos harro, se nga rruga këtu deri te Tajvani, Bashkia mund të merrte edhe 3000 euro, i futeshin Bashkisë në llogari”, përfundon Kujtimja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *