Mehmet Kasa jeton në një apartament në lagjen shtatë të Durrësit me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Prej rreth 30 vitesh familja Kasa e ka ndarë këtë hapësirë banimi me katër familjarë të tjerë, që kur shtëpia u privatizua në vitin 1993.

Pallati ku ata banojnë u dëmtua rëndë në 26 nëntor 2019, ditën kur tërmeti 6.4 i shkallës Rihter goditi Durrësin. Ndërkohë që të gjithë banorët e tjerë u larguan, pasi godina u klasifikua në shkallën katër të dëmtimit (DS4), familja Kasa është e vetmja që banon në apartamentin i cili më shumë i ngjan një rrënoje.

Mehmeti dhe bashkëshortja e tij Shpresa tregojnë se ju ka mbetur dhe një javë kohë për të gjetur strehim përpara se pallati të shembet, ndërkohë që ende nuk kanë përfituar nga bonusi i qirasë pasi janë bashkëpronarë në aktin e pronësisë së apartamentit.

“Bonusin na e kanë refuzuar për arsye se ne nuk na njohin, ne njohim vetëm një certifikatë, thotë komuna, certifikatën e parë, certifikata tjetër është në akt pronësie. Ne jemi bashkëpronarë të dy me një akt pronësie, të dy familjet, po ata janë certifikata e parë, ne jemi e dyta. Prej 33 vjetësh jetoj në këtë dhomë, këtu, 31 metër katrorë, është privatizuar që në 93”, sqaron Mehmeti.

Mehmet dhe Shpresa Kasa

“Kam qëndruar këtu pa vullnetin tim, i detyruar të qëndroj këtu sepse s’kam ku të shkoj, edhe nga gjendja ekonomike jam dobët, vetëm një fëmijë kam në punë, me 200 mijë lekë, ne tre tjerët jemi pa punë”, ka rrëfyer për Citizens Channel ai.

Nëntë muaj pas tërmetit, ende larg rindërtimit

Edhe pse vetëm me 3 dhjetor kryeministri Rama shkruante në një postim në Facebook: “Dhjetor – Janar ecim me: Bonus qiraje për të gjithë të prekurit nga tërmeti në zonat urbane”, familja Kasa ka qënë e përjashtuar nga çfarëdolloj ndihme ekonomike.

Këshilli bashkiak i Durrësit miratoi listën e tretë paraprake të familjeve që përfituan bonusin e qerasë me 1588 aplikues, në fund të muajit shkurt, ndërkohë që më parë ky këshill ka miratuar dy lista të tjera paraprake me 3863 familje aplikuese.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, fatura e dëmeve llogaritet në vlerën e 985 milionë eurove, ku vlera më e lartë e dëmeve ishte në qytetin e Durrësit me vlerë 310 milionë euro dhe Tiranën 303 milionë euro. Në total u dëmtuan 115 pallate, ndërsa 242 pallate të tjera do t’i nënshtohen procesit të riparimit.

Për bashkinë e Durrësit bonusi i qirasë është përcaktuar në tre vlera: 20, 25 dhe 30 mijë lekë në muaj, në  varësi të numrit të anëtarëve të familjes dhe hapësirës së shtëpive të dëmtuara.

Ditët e fundit përpara shembjes; Mes ankthit dhe mungesës së alternativave për strehim

Pamje nga pallati

Shpresa Kasa, bashkëshortja e Mehmetit e krahason situatën e krijuar me një formë ekzekutimi. Nën presionin e kohës, ata ndjehen të pafuqishëm për të gjetur një strehë, brenda pak ditëve.

“Sikur presim ekzekutimin, i kemi ditët e numëruara, sikur po na pushkatojnë, ne jemi rast i veçantë nuk jemi si të tjerët” pranon ajo me dhembje.

Ndërsa Mehmeti tregon se nuk ka asnjë plan shpëtimi për familjen e tij, pasi nuk ka asnjë të afërm ku mund të akomodohet për momentin.

“Ne skemi marrë asnjë ndihmë, as 100 lekë, që kur ka rënë tërmeti i 26 nëntorit, edhe gjatë pandemisë, e dinë edhe komshinjtë, asnjë ndihmë fare. Fare fare as 100 lekë, se banorët kanë përfituar se i jepte komuna, neve s’na dhanë. Shkruajtëm emrin në komunë, as na thërritën, asgjë. Derisa të na nxjerrin këtu do qëndrojmë, policia kur të vijë, se ne s’kemi ku shkojmë” thotë ai.

Pas kërkesave të shumta për ndihmë dhe thirrje ndaj institucioneve, Mehemti ka plotësuar një formular, për aplikim të bonusit më 29 qershor, por ende pa asnjë konfirmim.

“Për herë të parë gjatë 30 viteve kam hapur një llogari bankare, shkoj e kontrrolloj, zero lekë”, pohon Kasa.

I gjithë ky presion i ka shkaktuar dëme psikologjike çiftit, të cilët pranojnë jashtë kamerave se kalojnë netë pa gjumë derisa të gjejnë një strehë.

Ndërkohë edhe ish-banorë të tjerë të të njëjtit pallat shprehen të shqetësuar pasi nuk kanë informacion nëse bonusi i qirasë do të vazhdojë edhe gjatë rindërtimit të godinës.

Ilir Agajana

“Nuk e dimë nëse bonusi do të vijojë gjatë kohës së pritjes, se ne nuk kemi takat të paguajmë nga xhepi 20 mijë lekë qera, se ne herë me punë e herë pa punë”, shprehet Ilir Agajana.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu