Autore: Fatmira Bajrami| Citizens Channel | Fier

Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 solli përqendrim dhe rritje të thirrjeve për kujdes shëndetësor dhe higjenë personale. Nevoja për qendra shëndetësore në kushte të mira gjatë kësaj periudhe por jo vetëm, është akoma edhe me e lartë.

Në Fier, mungesa e qendrave shëndetësore ka qenë problematike për banorët e zonave rurale të cilët jetojnë larg spitaleve rajonale dhe nevoja për shërbim shëndetësor 24 orë është e madhe, qoftë edhe për medikamentin më të thjeshtë.

Të dhënat e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Fier tregojnë se gjatë vitit 2019-2020 kryesisht falë donacioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe, janë rikonstruktuar pesë qendra shëndetësore për fshatrat Vreshtas, Selishtë dhe Kreshpan të njësisë administrative Cakran, në Patos-fshat dhe Shën Pjetër.

Banorët shprehen të kënaqur me kushtet e qendrave të rikonstuktura krahasuar me infrastrukturën që ato kanë pasur një vit më herët.

Qendra të reja – Probleme të vjetra – Mungesa e mjekëve

Qendra shëndetësore e fshatit Selishtë është vetëm një dhomë e vogël, e cila nuk ka as rrethim me kangjella apo portë hyrëse, sikurse qendrat e tjera shëndetësore. E vetmja mënyrë informimi në këtë qendër është numri i telefonit të mjekut vendosur te dritarja e ambulancës. Edhe pse mjeku duhet të jetë vazhdimisht i pranishëm në këtë qendër shëndetësore, banorët shprehen se kur kanë nevojë mjekësore e marrin mjekun në telefon.

76-vjeçari Rushat Avdia nga fshati Selishtë, rrëfen se ambulanca funksionon, mirëpo qëndron e mbyllur. Mjeku vjen në shtëpi nëse banorët kanë ndonjë problem dhe nuk rri në ambulancë.

Rushat Avdia – Banor i fshatit Selishtë

“Nuk të gënjej dot, unë se kam parë asnjëherë hapur. Vjen kur e lajmërojmë ne, bën gjilpëra apo ca ke dhe ikën. Po e mira është të rrijë, se unë për shembull kisha një mjekim për të bërë, ai thoshte po pse s’del në rrugë ti. Dija unë se sa makina kalojnë këtu që tu dilja para, nuk dija. Edhe kështu që më në fund pastaj e mora në telefon që më erdhi”,-rrëfen Rushat Avdia.

Në fshatin Kreshpan të njësisë administrative Cakran, qendra shëndetësore është rikonstruktuar prej një viti tashmë dhe u shërben 400 familjeve. Megjithatë, në formë të përditshme vihet re vetëm prania e infermierëve.

Qendra Shëndetësore Kreshpan

“E kishim shumë të nevojshme dhe që u bë prapë, u bë një gjë e mirë. Është bërë me të gjitha.  Doktori herë vjen dhe herë nuk vjen, por kemi një infermiere dhe një djalë që janë rregullisht”,- u shpreh Besnik Mecaj, banor i fshatit Kreshpan.

Infrastruktura e paplotë e qendrave shëndetësore

Qendra shëndetësore e fshatit Selishtë – Cakran

Megjithëse këto qendra shëndetësore janë ndërtuar dhe rikonstruktuar dy vitet e fundit, serish shërbimi mbetet i paplotësuar.

Në njësinë administrative Cekran është ndërtuar qendra shëndetësore në fshatin Vreshtas dhe Selishtë. Ndërtimi i kësaj qendre u vjen në ndihmë banorëve të këtyre fshatrave, megjithatë nuk ta jep përshtypjen e një institucioni shëndetësor.

Referuar ligjit për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, qendrat shëndetësore duhet të kenë disa kushte për të funksionuar si të tilla. Të gjitha objektet, që ofrojnë shërbimin e kujdesit parësor shëndetësor duhet të kenë hapësira funksionale, me sipërfaqe standarde dhe ndriçim natyral ,por në fakt këto shërbime bazë për qytetarët mungojnë.

Nga një vëzhgim i kryer në të pesë qendrat shëndetësore vihet re se dhomat dhe ambientet ndihmëse janë të rregullta, të pastra dhe të pajisura me pajisje të posaçme për një shërbim parësor e urgjent në këto fshatra. Megjithatë, rrugët që të çojnë tek qendra janë shpesh të amortizuara dhe lëvizja është e vështirë edhe për banorët e zonave përreth të cilët duhet të marri shërbim aty.

Sipas ligjit për kujdesin shëndetësor, orientimi i pacientëve brenda institucionit duhet të rregullohet përmes përdorimit të tabelave informuese, dhe hapësirës së pritjes.

Muret e ndërtesave duhet të jenë të plota, të termoizoluara, të suvatuara dhe të lyera me bojë hidroplastike të cilësisë së lartë. Shkallët për ngjitje duhet të shoqërohen me rampa dhe të jenë të sigurta për çdo pacient . Institucioni duhet të ketë sistem ngrohje dhe furnizim me ujë e energji elektrike. Ambienti i jashtëm duhet të plotësojë kushtet për pastërti dhe qëndrimin e pacientëve dhe shoqëruesve.

Nga vëzhgimi rezulton se të gjitha tipet e qendrave shëndetësore kanë problematika të infrastrukturës, duke filluar nga mirëmbajtja e godinës , qëndrimi hapur në shërbim 24 orë dhe deri tek suplementet e barnat, furnizimi 24 orë me ujë dhe energjia elektrike.

Ka mungesa të rezervuarëve të ujit, sistemeve të ngrohjes apo mos ofrimi i kujdesit shëndetësor në një godinë të vetme. Qëndra shëndetsore në fshatin Sheqishtë ,të njësisë administrative Zharrëz ,është restauruar së fundmi, por punimet gjatë pandemisë u pezulluan duke e lënë të mbyllur.

Njëjtë me të edhe qendra shëndetësore në fshatin Pojan të njësisë administrative Dërmënas nuk është mbaruar plotësisht në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime. Kjo për shkak të pezullimit të punës nga pandemia.

Megjithatë, çdo njësi administrative ka detyrimisht një qendër shëndetësore dhe çdo fshat ka një ambulancë ku shërben të paktën një infermiere.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu