Foto ilustrim: Xhemali Moku

Një tjetër hidrocentral pritet të fillojë ndërtimin pranë Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës. Projekti “Borie-Lurë 1” që do të zbatohet nga firma “Ageta” sh.p.k dhe “Bajrami N” sh.p.k do të konsistojë në tre vepra që do të ndërtohen jashtë zonës së mbrojtur, por do të shfrytëzojnë ujërat që rrjedhin në përrenjtë e Kurorës së Lurës dhe livadheve të Bruçit.

Lura, e njohur për 12 liqenet e saj akullnajore është shpallur zonë e mbrojtur, kategori e II-të, me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 1996. Në 31 tetor 2018, Këshilli i Ministrave, vendosi zgjerimin e këtij parku dhe bashkimin me Zall-Gjoçaj, për të formuar kështu “Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës“.

Foto: Planvendosja e veprave të HEC-it Borie-Lure 1

Më pak se një muaj përpara zgjerimit të zonës së mbrojtur, Vendimi nr.10 i datës 3 tetor 2018 i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), me drejtues Kryeministrin Edi Rama, miratoi lejen e ndërtimit për HEC-in “Borie-Lurë 1”. Në po të njëjtën ditë, KKT miratoi lejet për HEC-et në lumenjtë Urakë dhe Flim në Zall Gjocaj (Pjesë e Parkut Kombëtar Lurë- Mali i Dejës), çka ka bërë që banorët të nisin rezistencën disa mujore në terren.

“Mund të themi që nëse vazhdohet me këtë ritëm, gati 90% e burimeve ujore në qarkun e Dibrës do të preken nga epidemia që ka kapur lumenjtë në gjithë Shqipërinë”, tregon Besjana Guri, përfaqësuese e organizatës EcoAlbania, duke sqaruar se skema hidro-energjitike e vitit 2008, ka shërbyer si motori kryesor për shtimin e HEC-eve, ku deri më tani janë dhënë më shumë se 700 leje në të gjithë Shqipërinë.

Besjana Guri, eksperte komunikimi dhe koordinatore, EcoAlbania

Ndërsa për ekspertin e mjedisit Abdulla Diku, ndërhyrjet në ekosistemet ujor po bëhen tëresisht pa plan dhe qeveria nuk e ka konkretizuar iniciativën e saj për të rishikuar lejet e dhëna për HEC-et: “Ndryshe thuhet dhe ndryshe veprohet. Pati edhe një iniciative të qeverisë për të kaluar në “skaner” të gjitha lejet dhe projektet e dhëna të HEC-eve. Përveç ndonjë “gjobe” nën dorë, asnjë efekt nuk ka pasur kjo iniciative”.

Për Besjana Gurin, projektet e HEC-eve pranë parqeve kombëtare janë të paligjshme dhe duhen ndaluar: “Zonat e Mbrojtura janë hartuar për të mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin e saj. Ndaj, projekte të tilla janë të paligjshme dhe bien në kundërshtim me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e zonave natyrore me vlera të larta. Ç’kuptim ka emri Park Kombëtar nëse në territorin e tij lejohet ndërtimi i HEC-eve?”

Banorët e Lurës i drejtohen “Bashkëqeverisjes”, të alarmuar nga ndërtimi i HEC-eve

Hasan Hoti, ish-administrator i njësisë Lurë, tregon se kundërshtia e tij për HEC-et që do të shfrytëzojnë përrenjtë e Kurorës së Lules, i ka kushtuar atij vendin e punës.

Ne e kemi marrë vësh pasi unë kam qenë administratori i njësisë administrative Lurë. Në fund të qershorit, kryetari i Bashkisë Dibër më ka pushuar nga puna për këtë hidrocentral. Nga administrator jam punonjës i thjeshtë“.

Hasan Hoti, qytetar nga Lura

Banorët e zonës të cilët janë kundër hidrocentralit pasi i druhen ndikimit që ky projekt mund të ketë në burimet natyrore dhe peizazhin e kësaj zonë me potencial turistik, i kanë drejtuar një ankesë në platformën e bashkëqeverisjes”, një mekanizëm ankesash online i ngritur nga qeveria shqiptare.

Në kthimin e përgjigjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) bën me dije se firmat koncensionare kanë ndjekur të gjitha procedurat, duke plotësuar dokumentacionin dhe zotërojnë lejet.

Ndërsa për Hasan Hotin projekti nuk ka pasur dëgjesa publike gjithëpërfshirëse: “Në zonën ku bahet hidrocentrali janë rreth 45 familje. Prej këtyre familjeve që kanë ba dëgjesë publike janë vetëm tre familje me personat e shpisë, kushërinjtë e personit që po ndërton hidrocentralin“.

Lidhur me impaktin mjedisor të projektit Ministrinë e Infrastrukturës në përgjigjen e dërguar tek “Platforma e Bashkëqeverisjes” thekson se projekti plotëson kushtet për mbrojtjen e mjedisit e se dy firmat private janë angazhuar që të ndërmarrin këto veprime:

  • Të mbjellin dhe rehabilitojnë zonën e prekur nga ndërtimi
  • Të parandalojnë dhe kontrollojnë çdo ndotje mjedisore shkaktuar nga punimet
  • Të mos ndërhyjnë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës
  • Të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje, në përputhje me nevojat e bujqësisë

Por sipas ekspertit Abdulla Diku, ndërhyrje të tilla në ekosisteme malore janë shumë të vështira të rikuperohen: “Sa kohë që HEC-i do te jete ne funksionim, nuk ka asnjë mundësi që habitatet ujore të rikuperohen. Nga ana tjetër, impakti në peizazh do të jetë edhe më i vështirë, në mos i pamundur të rikuperohet. Kjo sepse është shumë e vështirë që të rikuperohen gjurmët që lënë rrugët në një mjedis natyror”.

Abdulla Diku, ekspert mjedisor

HEC-e apo Turizëm?

Hasan Hoti është njëkohësisht banor i zonës dhe zotëron një bujtinë të quajtur “Lura Hotel”. Sipas tij turizmi do të vuajë pasoja të rënda nëse i jepet prioritet prodhimit të energjisë elektrike.

Kam një hotel edhe perspektiva ime është zero në qoftë se do të cenohen këto male, se boll i kanë djeg dhe i kanë shkatërru. Tashi t’i mbrojmë me burime, me gjana, sepse turisti për këto male, ujëra vjen. Nuk vjen me më pa mu në Lurë. Janë në siklet njerëzit sepse nuk po merr drejtimin e turizmit por po merr drejtimin e shkatërrimit përsëri Lura“.

Edhe sipas ekspertit mjedisor Abdulla Diku zona tubat që do të vendosen do të krijojnë thyerje të forta në peizazhin e zonës: “Të dyja, punimet e ndërtimi dhe tubat e ujit të HEC-it japin ndikime direkte dhe që bëjnë kontrast të madh me natyrën e zonës. Nga ana tjetër, zona të tilla si Lura kanë vetëm një mundësi për t’u zhvilluar – turizmin. Por si mund të zhvillohet turizmi pa ujë, e duke shkatërruar të vetmen arsye për të cilën vizitorët shkojnë në Lurë, peizazhin?!”.

Numri i lartë i hidrocentraleve ka çuar në organizimin e banorëve të Dibrës

Sipas një vëzhgimi të kryer nga Porta Vendore, në Shqipëri janë miratuar 714 leje për ndërtim të hidrocentraleve. 259 prej këtyre kontratave janë përfundimtare dhe 132 janë marrëveshje paraprake, të cilat janë nënshkruar 20 vitet e fundit.

Dhënia e lejeve mjedisore për shfrytëzimin e lumenjve në Shqipëri është shoqëruar me kundërshti të vazhdueshme nga banorët e zonave të ndryshme, të cilët shprehen se procedurat e kryera nga firmat private, shpesh janë në kundërshtim me ligjin.

Citizens Channel ka raportuar mbi mobilizimin e qytetarëve në qarkun e Dibrës.

Në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, banorët janë organizuar dhe kanë zhvilluar disa protesta kundër futjes së lumit Flim dhe Urakë në tubacione.

Sërish në Dibër, banorët e Madheshit janë alarmuar nga ndërtimi i “HEC-it Madhesh”, i cili është i dyti që ndërtohet në këtë fshat. Edhe më herët, ata janë organizuar por pavarësisht protestave, “HEC-i Gurra” është ndërtuar.

Sikurse më sipër, edhe në Madhesh, banorët shprehen se nuk janë përfshirë në konsultime dhe raportojnë se marrja e ujit do i detyrojë të braktisin vendlindjen, pasi zona bëhet e pabanueshme.

Së fundmi, banorët në Lurë ngrenë shqetësimin se një tjetër hidrocentral rrezikon të tjetërsojë natyrën dhe rrjedhimisht stilin e jetesës së banorëve rezidentë, të papërfshirë në dëgjesa publike.

Sipas Abdulla Dikut ndërhyrja e pa planifikuar në lumenjtë e Shqipërisë ka sjellë një situatë dramatike: “Në Shqipëri kemi vetëm dy kategori lumenjsh; lumenj të vdekur si pasojë e ndërtimit të HEC-eve, dhe lumenj të bastarduar si pasojë e shkatërrimit të shtretërve të tyre për marrjen e inerteve“.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu