Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

COVID-19, vetëvrasjet në spitale dhe nevoja për këshillim psikologjik

Brenda 20 ditëve, dy persona të prekur me COVID-19, i kanë dhënë fund jetës duke u hedhur nga dhomat e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku po trajtoheshin. Prokuroria e Tiranës njoftoi dje se ka nisur hetimet për dy ngjarjet dhe mënyrën sesi po trajtohen pacientët në këtë spital.

Viktima e parë, një 29 vjeçar nga Durrësi, Xh.K, qëndronte prej 4 ditësh në kujdesin e mjekëve të Sanatoriumit, por teksa ka qenë në rrugën e përmirësimit, në rrethana të paqarta, ka ndërmarrë aktin që i mori jetën, më 13 gusht.

Ndërsa para dy ditëve, 65-vjeçari Hasan Mira nga Klosi, i cili kishte vetëm 24 orë që trajtohej në ambientet e spitalit, u hodh po nga kati i tretë, dukë u vetëflijuar.

Drejtuesit e spitalit kanë vendosur që të mbyllin me hekura të gjithë dritaret e godinës për të shmangur fatkeqësi të ngjashme.

“Kam kushëririn e afërt të shtruar prej 11 ditësh. Në fillim ka pasur goxha presion psikologjik dhe mërzitje, por tani i ka kaluar, pasi pret të dalë. Por nuk e kuptoj si shteti ka rënë kaq poshtë, kur buxhetet janë, ujë të pijshëm nuk ka, që ditën e parë ia kam sjellë vetë ujin”, tregon për Citizens Channel Elisi.

Nga një vëzhgim i Citizens Channel jashtë ambienteve të spitalit të “Shefqet Ndroqit” pavarësisht se të shtruarit ushqehen brenda spitalit, familjarët vinë në orare të caktuara për të sjellë pako ushqimoresh, të cilat transportohen brenda nga infermierët.

Orari per ushqimet

Anila Lisi shprehet se burri i saj 44-vjeçar i shtruar në reanimacion, shërbimin psikologjik  e merr nga vetë mjekët, duke i thënë vazhdimisht se po ia del. Gjithashtu, ajo tregon se është në kontakt të vazhdueshëm telefonik me të, duke folur dy-tre herë në ditë dhe ka marrë një dhomë me qira pranë ambienteve të spitalit për të qenë sa më prezente, duke qenë se ajo jeton në Shkodrër.

“Burrin e kam sjellë në gjendje të rëndë dhe nuk komunikon me mua. Për gjendjen e tij më tregon doktoresha. Ushqime nuk i sjell se nuk ha, vetëm ndërresa i kam sjellë. Po edhe doktorët s’kanë ça të thonë se është punë e zotit”, shprehet e prekur një qytetare tjetër nga Shkodra, e cila prej ditësh është akomoduar në një dhomë pranë spitalit.

Hyrja brenda ambienteve spitalore është e ndaluar si për familjarë që presin jashtë traut për lajme nga të afërmit e tyre, ashtu edhe për gazetarët që prisnin një reagim institucional për vetëvrasjen e dytë.

Një përfaqësuese e spitalit Shefqet Ndoqi, në një reagim zyrtar për ngjarjen në fjalë, lexoi këto rrjeshta në një letër fletoreje:

Foto e shkeputur nga deklarata per shtyp

“Ju informoj se 65-vjeçari ishte i shtruar me pneumoni të shkaktuar si pasojë e Sars Covid 2, i cili po trajtohej me terapi për simptomat e COVID-19, si dhe shqetësimet psikologjike, duke u asistuar nga stafi mjekësor”, është shprehur një përfaqësuese e spitalit “Sheqfet Ndroqi” në një deklaratë për mediat pas ngjarjes së fundit.

Shoqata e Infermierëve: Pas pacientëve me COVID-19, radha e vëtvërasjeve mund të jetë e personelit shëndetësor

Shoqata e infermierëve ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me aktet e vetëvrasjes duke vënë theksin te ngarkesa psikologjike si e të shtruarve ashtu edhe e stafit mjekësor. Ata kanë renditur një listë me aryse që mund të nxisin aktin e vetëflijimit tek të shtruarit, por dhe kanë denoncuar heshtjen e institucioneve përgjegjëse.

Elson Jacaj

Edhe pse tashme infermierët dhe mjekët janë mësuar me rrezikun e sëmundjes, faktin qe çdo ditë përballen me pacientë që reagojnë në mënyra të ndryshme, me pacientë qe duhet të kalojnë shume kohë me ta, duke parë çdo dite qytetarë të cilët humbin jetën sigurisht qe ka pasur një ndikim në anën emocionale dhe psikologjike dhe të vetë stafit mjekësor. Për të mos harruar dhe orët e gjata që duhet të shërbejnë për shkak të mungesës së stafit që është i theksuar në çdo spital”, është shprehur për Citizens Channel, Elson Jaçaj, president i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë.

Nevoja e menjëhershme për ndihmë psikologjike brenda ambienteve të spitalit

Aurela Agalliu, psikologe, mendon se tentativat vetëvrasëse të kryera së fundmi janë një situatë alarmi për institucionet e shëndetësisë. Ajo thekson se mungesa e jetës sociale, izolimi nga të tjerët, numri i viktimave dhe përkeqësimi i situatës që raportohet në media, nuk janë aspak ndihmuese.

Aurela Agalliu

“Ajo çka vihet re është se nuk po bëhet një ndarje e individëve që vuajnë nga shëndeti mendor dhe kanë probleme me koronavirusin. Duhet të ketë një kategorizim, nëse kemi një individ që ka shfaqur ankth por edhe simptoma të covid, duhet të trajtohet në të dyja aspektet shëndetësore. Mungesat dhe mangësirat deri në këto momente kanë sjellë që në spitale të ofrohet vetëm shërbimi shëndetësor, që nuk është i mjaftueshëm”, sqaron Agalliu.

Në bazë të eksperiencës së saj, ajo shpjegon se nga rrëfimet e klientëve që kanë kaluar koronavirusin, ata kanë treguar se në spitale trajtohen në mënyrë të ftohtë nga mjeku.

“Shëndetësia jonë ka pasur probleme në të kaluarën dhe këto reflektohen në psikologjinë e qytetarëve, në lidhje me shërbimet që marrin. Mjekët janë më të prerë në komunikim, ndërsa psikologu patjetër kanë influencë në mendimin e individit. Në mënyrë të menjëhershme duhet ngritur një ekip, i cili duhet të hartojë politika të caktuara për integrimin e psikologëve në ambientet e spitaleve covid 19″, përfundon Agalliu.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *