Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Monitorim mbi MSHMS ngre shqetësime mbi testimet, pasigurinë e mjekëve, Komitetin e Ekspertëve dhe ERTV

Stiven Shala, analist i politikave vendore pranë Qëndresës Qytetare ka publikuar sot një raport monitorimi të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë pandemisë COVID-19.

Raporti analizon çështje qe lidhen me testimin e popullatës, mungesën e vëmendjes ndaj personelit shëndetësor, kontratat sekrete të lidhura nga MSHMS si edhe komunikimin publik të Kryeministrit Edi Rama, para dhe pas shtimit të shifrave të të infektuarve.

Komunikimi publik i Kryeministrit Rama – Para dhe pas “Historisë së suksesit COVID-19”

Të dhënat e monitorimit tregojnë se volumi i komunikimit publik të Kryeministrit Edi Rama mbi COVID-19 ka shkuar në të kundërt me rritjen e kurbës së të infektuarve.

Prej datës 11 Mars që shënon nisjen e karantinës deri më 18 Maj 2020, ditë nga ku nis lehtësimi i masave, Kryeministri i vendit nga 102 komunikime publike, 91 prej tyre ia ka dedikuar COVID-19 me 50.4 orë komunikim.

Ndërkohë pasi masat lehtësuese ranë dhe shifrat e të infektuarve nisën të rriten, duke mos e renditur më vendin tonë si një “histori suksesi”, artikulimet e Ramës rreth COVID-19 ranë ndjeshëm.

Megjithëse Kryeministri Rama ka përafërsisht të njëjtën frekuencë daljesh publike me 104 komunikime për periudhën 18 Maj – 30 Korrik, pjesa më e madhe e tyre i dedikohet debatit mbi sistemin elektoral, shembjes së Teatrit Kombëtar dhe procesit të rindërtimit. Vetëm 7 nga daljet publike i dedikohen COVID-19 me 2.6 orë komunikim kundrejt 91 daljeve dhe 50 orëve gjatë periudhës së karantinës.

Numri i ulët i testeve – Shqipëria shfrytëzoi vetëm gjysmë ne kapacitetit

Ministria e Shëndetësisë në përgjigje ndaj një kërkese për informacion dërguar në 17 Korrik 2020, deklaron se ka në dispozicion 90 000 teste dhe një kapacitet për kryerjen e 500 – 1000 testeve në ditë. Raporti thekson se gjatë kësaj periudhe numri i mesatar i testimeve nuk i ka kaluar 500/ditë me një total prej vetëm një tamponi të realizuar për çdo 6000 banorë.

Raporti ngre shqetësimin e mungesës së testimeve në rrethe ndërkohë që bën me dije se qeveria nuk ju përgjigj pyetjes mbi sa teste në ditë janë kryer në qytetin e Shkodrës, por thekson se në qytetin me 135,612 banorë rrallë herë është kaluar shifra prej 10 testesh në ditë.

Personeli  shëndetësor dhe rreziku nga COVID-19

Raporti i referohet një studimi të organizatës “Together for Life”, ku 40% e të pyeturve pjesë e sistemit shëndetësor tregojnë se nuk janë testuar edhe pasi kanë shfaqur simptoma.

“Duke mos plotësuar nevojat bazike për mbrojtjen e personelit, jo vetëm rrezikojmë shëndetin e tyre, por edhe atë të çdo qytetari. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Shqipëria ka 1.2 mjekë për 1000 banorë – që është edhe numri më i ulët në rajon ku kryeson Greqia me 4.6 mjekë për 1000 banorë.2 Për pasojë, sigurimi i jetës së personelit shëndetësor është garancia e vetme për të shmangur kolapsin total të sistemit shëndetësor në vend”, thuhet në raport.

Komiteti Teknik i Ekspertëve si “noter” i vendimeve qeveritare

Komiteti Teknik i Ekspertëve ishte struktura e cila u prezantua publikisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Kryeministri si struktura që diktonte masat dhe strategjinë nëpërmjet të cilës duhet të kalonte vendi për tu mbrojtur nga përhapja e koronaviusit. Megjithëse kjo strukturë është kryefjala e ditës, është tepër e vështirë të gjenden informacione mbi mënyrën e funksionimit të saj, madje për një kohë të gjatë përbërja dhe drejtimi i saj mbetej i paqartë për publikun pavarësisht interesit të shtuar.

Komiteti teknik i ekspertëve vazhdon të jetë një “institucion“ më vete në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Por ndryshe nga këto vende, ku vendimet e ndryshme në lidhje me COVID-19 merren dhe komunikohen nga ky grup ekspertësh, kjo nuk ndodhi në vendin tonë.

Kliko këtu për të lexuar Monitorimin e plotë. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *