Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Naftëtarët e Ballshit sërish në protestë: ”Kompania nuk mbajti premtimin”

Naftëtarët e Ballshit protestuan sërish sot para rafinerisë, pasi pretendojnë se kompania “ALLUM” e cila administron uzinën, nuk mbajti premtimin për rifillimin e punës dhe dhënien e  pagave.

Sipas tyre, sot skadoi afati i marrëveshjes së arritur më 3 shtator, pas protestave të njëpasnjëshme.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj e konsideroi këtë një tallje ndaj punëtorëve.

Ne jemi shumë të zhgënjyer nga kjo kompani për një arsye, sepse në rastin kur kompania nuk ka financën e duhur për të dhënë një pagë minimale qesharake ne ditën e hënë ku do shkojmë, do vijmë të protestojmë apo të çojmë fëmijët në shkollë. Kjo është një tallje pa fund, se unë kërkoj t’i kontaktoj dhe ata nuk përgjigjen”, -u shpreh Dautaj.

Ai i bëri thirrje ministres së Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku të ndërhyjë në këtë proces.

Po i drejtohem zonjës ministre le të mbajë përgjegjësinë e duhur ashtu siç është shprehur te naftëtarët me zë dhe me figurë, ku mblodhi gjithë shtetin në tavolinë dhe tha rikthehet Allumi. Nuk mund të lejojmë më që të vijnë firma fantazmë këtu dhe të punojnë gjashtë muaj dhe të largohen, kaloi dhe limiti gjashtë muaj. Është i shtati pronar që po vjen këtu tani, po tallet me ne”,-tha kreu i Sindikatës.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar,

Njëri prej naftëtarëve të pranishëm në protestë u shpreh për mediat se edhe nënshkrimi i kontratave individuale nuk ishte i rregullt,pasi nuk janë pajisur me një kopje.

Na kanë gënjyer për rifillimin e punës, për lidhjen e kontratave, përderisa unë vërtet kam firmosur një letër, e cila është pa vulë, pa firmë pa asnjë lloj gjëje. Është thjesht një letër që edhe unë si punëtor i kësaj uzine përderisa lidh kontratë dhe ajo kontratë më njeh ligjërisht si punëtor i kësaj uzine, unë skam të drejtë me këtë kontratë që kam bërë, përderisa s’është me vulë, të paraqitem në asnjë lloj zyre gjyqësore”,- u shpreh ai.

Ai deklaroi se deri më tani nuk kanë marrë asnjë pagë, ndërsa u bëri thirrje naftëtarëve të tjerë për tu bashkuar në protestë.

“Asnjë lloj page nuk kemi marrë,asnjë lloj. Deri tani sa flasim asnjë lloj page. I bëj thirrje edhe kolegëve të mi, kudo që ndodhen, në Fier, Patoz, Ballsh, ditën e hënë varet fati i kalamajve të tyre, për rifillimin apo mbylljen e kësaj uzine”.

Punëtorët e rafinerisë kanë paralajmëruar protestë ditën e hënë, ndërsa deklaruan se do të mirëpresin takim vetëm me ministren Balluku.

“Ditën e hënë nuk ka për të hyrë askush këtu nga kompania Allum në qoftë se vjen në këtë rrugë që ka ardhur. Ta dimë të vdesim ditën e martë këtu, ditën e hënë këtu do shohim, të vijë vetë ministrja, asnjë takim tjetër nuk presim“,-saktësoi kreu i Sindikatës, Dautaj.

Çfarë po ndodh në uzinën e Ballshit?

Në shkurt të vitit 2020, 800 punonjës të rafinerisë së naftës në qytetit e Ballshit u organizuan në protestë për të kërkuar marrjen e pagave të prapambetura, ndërsa dhjetë naftëtarë të tjerë ishin futur në grevë urie.

Kompania që administronte rafinerinë e Ballshit “Tosk Energji” kishte ndaluar së funksionuari prej muajit shtator të vitit 2019, duke lënë pa punë dhe pa paga 800 të punësuar.

Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.

Gjatë muajve të verës protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme. Më 24 korrik, në protestën para Bashkisë Ballsh, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar u shpreh se kthimi i detyrimeve të prapambetura ishte një premtim i Kryeministrit Rama që në vitin 2017.

Edhe pse jemi në muaji shtator puna në rafinerinë e Ballshit nuk ka nisur akoma sikurse premtoi ministrja Balluku. Mos mbajtja e këtij premtimi bëri që naftëtarët të ngrihen sërish në protestë.

Më 26 gusht naftëtarët protestuan sërish para rafinerisë dujke krijuar përplasje edhe me policinë.

Më 3 shtator, pas një takimi me komopaninë Allum i arrit marrëveshja për rifillimin e punës,ndërsa iu premtua një paradhënie prej 50.000 lekësh.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *