Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Viti i ri shkollor vjen me kosto shtesë për familjet dhe përgjegjësi për të prekurit me COVID-19

Mijëra nxënës iu rikthyen bankave të shkollës tre ditë më parë. Pandemia e COVID-19 ka bërë që viti i ri shkollor të nisë ndryshe.

Citizens Channel kreu një vëzhgim në disa shkolla të Durrësit, ku prindërit, fëmijët dhe mësuesit ndanë shqetësimet dhe ndjesitë e këtij shtatori të pazakontë.

Pamje nga shkolla “Vasil Ziu”/ Foto: Elira Kadiu

Institucionet arsimore mbetën të mbyllura për rreth shtatë muaj, që kur në Shqipëri u evidentuan dy rastet e para me COVID-19 dhe mësimdhënia kaloi në platforma online.

Një mësuese frëngjishteje, në një fshat në Shijak, në shkollën 9-vjeçare “Rreth”, njëkohësisht prind i një vajze në klasë të katërt, na tregon se duhet disiplinë nga stafi mësimor, por edhe punë nga ana e prindërve në shtëpi që ky vit shkollor të jetë i suksesshëm pavarësisht masave të ndërmarra kundër infektimit.

“U munduam sot me fëmijët, njëri maste temperaturën, njëri mundohej t’i shpërndante se janë dhe reflekset dhe rrinë të grumbulluar, të paktën sa t’u bëhet shprehi. Harrojnë që duhet të rrinë larg njeri -tjetrit, afroheshin, por dritaret dhe dyert i kemi mbajtur të hapura, si fëmijët, si ne me maska. Pushim të madh nuk ka, vetëm pesë minutat pushim midis orëve, të cilat janë 30 minutëshe”, – shpjegon ajo.

Migena Çopani, prindi i një vajze në klasë të nëntë dhe një djali në klasë të shtatë, në shkollën 9-vjeçare “Vasil Ziu” në Durrës prapë se prapë ndjehet shumë e shqetësuar për fëmijët dhe për anëtarët e tjerë të familjes së saj.

Ajo ngre shqetësimin e kostove shtesë që shoqërojnë hapjen e shkollave, ku fëmijët duhet të pajisen me maskë dhe higjienizues duarsh çdo ditë, kosto që bie mbi shpinën e familjarëve të fëmijës.

“Ne nuk blejmë dot maskën nga ajo që bën 20 mijë lekë, atë copë që kemi e lajmë me dorë dhe ja vesh prapë, po se sa e sigurte është nuk di të them”,- shton Çopani.

Një prind tjetër, e cila po përcjell djalin në shkollën 9 – vjeçare “Nënë Tereza”, na pohon se ka punuar gjatë për t’i shpjeguar dhe memorizuar djalit të saj rregullat që të mbrohet nga virusi.

“Kam djalin në klasë të gjashtë, unë jam mjeke vetë dhe e kam shumë merak pjesën e distancës dhe përkujdesjes, nuk i bën përshtypje se më shohin mua gjithë kohën me maskë dhe janë mësuar”,- përfundon ajo.

Formulari vetëdeklarimit të shëndetit vjen me pikëpyetje të shumta

Një politikë e hartuar nga Ministria e Arsimit që i detyron prindërit dhe fëmijët të dorëzojnë çdo ditë një formular ku deklarojnë nën përgjegjësinë personale nëse ata ose të afërmit janë të infektuar me COVID-19, ngriti jo pak diskutime.

Unë nxënësi ____________ klasa ________ deklaroj nën përgjegjësinë time personale kam/nuk kam pjesëtar të familjes sime me COVID-19. Unë personalisht nuk jam i prekur nga COVID-19”, është seksioni i cili duhet të plotësohet nga çdo fëmijë.

Formulari i vetëdeklarimit të shëndetit

Enerlinda Hajdarmataj, prind i një djali gjashtë vjeç, tregon se në fakt fëmija i saj nuk është në gjendje ta plotësojë apo ta kuptojë plotësisht përmbajtjen e atij formulari, ndaj çdo mëngjes ajo plotëson edhe seksionin e dedikuar asaj.

Kam marrë një formular, që e kam plotësuar unë sepse fëmija im akoma si ka bërë shtatë vjeç dhe normal që nuk mund të mbajë përgjegjësi për persona të tjerë që mund të preken nga COVID-19. Kam firmosur unë, kam deklaruar unë që për momentin nuk jemi të prekur, as nuk kemi pjesëtarë të familjes që janë të prekur”,- tha ajo për Citizens Channel.

Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetar”, ndan të njëjtin shqetësim me Hajdamatajn. Ai shpjegon se një fëmijë nuk mund të mbajë përgjegjësi pasi nuk kanë zotësi për të vepruar.

Formulari qe iu servir prindërve dhe nxënësve ishte akti juridik me i dobët qe ka nxjerrë Ministria e Arsimit. Se pari, nuk mundet të kërkosh nënshkrim nga nxënësit e mitur të cilët nuk kanë mbushur moshën 14 vjeç, dhe nuk kane zotësi për të vepruar. Përfshirja e tyre në formular është shfaqje e injorancës dhe terrorit psikologjik ndaj nxënësve”, – shpjegon Xhemollari për Citizens Channel.

Ai pohoi se nënshkrimi i përditshëm i këtij formulari nga prindërit është veprim i palogjikshëm duke qenë se nuk kanë informacion rreth individëve të prekur nga koronavirusi.

Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare

Përfshirja e përditshme e prindërve në formularin e vetë deklarimit më duket e tepërt, e bezdisshme dhe aspak e logjikshme për shkak se prindërit nuk janë në dijeni nëse në familjen e tyre ka pjesëtar me COVID-19 apo nuk, ka nëse nuk behet testi”.

Në këtë formular është parashtruar se familja e ka për detyre të pajisë fëmijën me maske dhe dezinfektant për duart, por Xhemollari pohon se kjo është detyre e Bashkisë së çdo qyteti, ndërkohë që mbart në kosto shumë  të lartë për familjet shqiptare.

Gjithashtu, absurditeti i tretë i cili vihet re është fakti se shtojcë e këtij formulari është edhe detyrimi qe i ngarkohet prindit për të pajisur nxënësin me maskë dhe detergjent. Një kosto shtese e cila i takon bashkisë si detyrim bazuar në ligjin për ndarjen territoriale, ku bashkia ka përgjegjësi për pajisjen e shkollave me mjete mësimore dhe higjieno-sanitare. Një maske dhe një dezinfektant për një muaj kushtojnë rreth 25 euro për një fëmije e 50 euro nëse ka dy fëmijë”, përmbyll ai.

Sanie Taipi, gjyshe e një nipi dhe mbese, nënvijëzon pikërisht e barrën ekonomike të këtyre politikave, ku çdo ditë prindërit duhet ta printojnë e printimin këtë formular dhe duhet të blejnë maska dhe dezinfektant për secilin fëmijë.

“Nga sikleti po i biem. Edhe nga buxheti të them të drejtën nuk jemi kush e di çfarë, që t’i blejmë maska e dezifektant në vazhdimësi. Formularin e duan përditë, përditë nga 10 lekë, ne s’na del”, – përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *