Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Më shumë se dy vite pa marrë pagat; Protesta e naftëtarëve të Ballshit përballet me dhunë policore

Ashtu si ishte paralajmëruar, punëtorë  të rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh dhe aktivistë u mblodhën sot në protestë përpara Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, për të kërkuar pagat e prapambetura prej më shumë se dy vitesh.

Punonjese e rafinerise

“Në rafineri ne kemi punuar në atë helm, jemi helmuar,por që të na mbajnë rrogat, bukën e gojës… Ne atë kemi pasurinë, ku do vemi. Burri pa punë, vetë pa punë, djali pa punë, ca do ha unë. Dritat pa paguar, uji pa paguar, asgjë skam në shtëpi” u shpreh një nga naftëtarët.

“Duam paret tona” dhe “Turp, turp, turp”, ishin disa nga thirrjet përsëritura të pjesëmarrësve të mbledhur që nga ora 11, me shpresën se do të merrnin një reagim nga institucionet përgjegjëse për situatën e krijuar.

Punonjese e rafinerise

“Unë dua diçka nga kjo ministrja Ballaku, vetëm dy fjalë të thotë, po jo, mos sorollatin njerëzit dhe ta dimë kush janë këto firmat që e marrin dhe siç e marrin si e lenë. Nuk ka kërkesë llogarie fare nga ministria?“, tha për Citizens Channel një zonjë e moshuar e cila punon si pompiste prej 35 vitesh në rafineri.

Forcat e policisë u munduan të shpërndanin protestën, duke ushtruar dhe dhunë ndaj pjestarëve të Organizatës Politike (OP) dhe naftëtarëve. Një i ri humbi vetëdijen dhe për shkak të gjendjes shëndetësore u dërgua me ambulancë në spital, ndërsa u shoqëruan për në komisariatin e policisë 6 aktivistë dhe dy naftëtarë.

Bora Mema

“Kur të keni 22 muaj pa paga do ta kuptoni. Për sa kohë jeni në detyrë, keni detyrim të jepni informacion se ku i keni çuar njerëzit që keni shoqëruar. Keni detyrim që të prezantoheni dhe të jepni numrin e identifikimit kur na afroheni”, ju drejtua aktivistja Bora Mema efektivëve policorë, shumica e të cilëve nuk mbanin numër identifikues.

Ajo shtoi se me kalimin e kohës shtohen borxhet e naftëtarëve dhe familjarëve të tyre në listat e dyqaneve, pasi gjithë jeta ekonomike jo vetëm e Ballshit por edhe e Fierit mbahet nga kjo rafineri.

Irdi Ismaili

“Ne s’po ngacmonim njeri , mund të shihet qartë në pamjet filmike. Policët janë treguar shumë agresivë sot, si ndaj naftëtarëve, ashtu edhe ndaj aktivistëve në mbështetje. Ne maskat i kishim, ata na kërkonin të ruanim distancën , por vetë ishin të ngjeshur. Nuk kanë dhënë asnjë motivacion për dhunën dhe arrestimet por jam i bindur që do thonë se nuk kemi respektuar masat e Covid-it”, shpjegoi aktivisti Irdi Ismaili.

Protestuesit nuk u larguan deri në orën 16.00 dhe u shprehën se ata nuk do të ndalen derisa të marrin atë që meritojnë prej kohësh.

“Protestat tona kanë filluar që në 2017, duke mos marrë asnjë lloj garancie nga ana e institucioneve shtetërore, thjesht vetëm një kalim fasadë. Protestat tona do të vazhdojnë derisa ne të marrim djersën dhe gjakun e fëmijëve  tanë, përderisa për ata punojmë” , përfundoi  një nga naftëtarët pjesëmarrës në protestë.

Kronologjia e protestave të naftëtarëve

E premtja e javës që shkoi, 11 shtator 2020, ishte edhe dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, mirëpo ata treguan për Citizens Channel se jo vetëm që nuk nisën punë, por kompania shkëputi çdo edhe kontaktet me ta.

Naftëtarët e mbledhur para rafinerisë u përballen me forca të shtuara të policisë, duke krijuar edhe përplasje. Policia përdori spraj me piper për të zmbrapsur turmën ndërsa mbetën të lënduar 7 naftëtarë.

Gjatë pasdites 15 persona u shoqëruan në polici, për t’u liruar më pas, ndërsa 8 prej tyre u proceduan penalisht.

Shitje-blerjet e kompanive që kanë lëvruar pasuritë e rafinerisë së Ballshit 

Një analizë e revistës Monitor , tregon historikun e larmishëm të kompanive që kanë zhvilluar aktivitet në rafinerinë e Ballshit.

Fillimisht, në vitin 2013, kompania Armo në pronësi të Rezart Taçit, u shit te Heaney Assets, për shkak të borxheve që kishte. Heaney Assets dështoi brenda vitit, dhe një vit më pas ish-drejtori i përgjithshëm i saj, Xhihangir Haxhijev u arrestua për mashtrim me kreditë, ku përfshihej edhe kredia nga e cila Rezart Taçi bleu ARMO-n.

Rafineria e Ballshit u mor më pas nga një bankë private, dhe një vit më vonë, në 2015 me ndërhyrjen e Qeverisë, banka ia shiti rafinerinë një kompanie në pronësi të biznesmenit shqiptar Besnik Sulaj, i cili dështoi të paguante shumën e rënë dakord me bankën, ndaj banka e mori rafinerinë mbrapsht.

Në 2017, rafineria u shit tek kompania “Allum Enterprises Limited”, e regjistruar në Britaninë e Madhe. Kjo kompani e dha me qira tek Tosk Energji dhe Byllis Energji.

Në vitin 2019 kompania “Tosk Energji” hyri në kolaps financiar dhe që prej nëntorit të 2019 puna në rafineri është ndalur.

Tashmë kompania “Allum Enterprises” vendosi të operojë vetë në rafinerinë e Ballshit. Edhe pse puna duhej të rifillonte brenda muajit qershor sipas njoftimit nga ministrja Balluku në maj të vitit 2020, e cila mblodhi në një tryezë të përbashkët taks forcën e ngritur për naftën. Por deri më tani, nuk ka asnjë dritë jeshile për rifillimin e procesit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *