Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndikimet e pandemisë Covid – 19 tek jeta e personave me aftësi të kufizuara

Autore: Fjori Sinoruka

Personat me aftësi të kufizuara në përditshmërinë e tyre përballen me mungesa dhe kufizime të ndryshme, por pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 e vështirësoi më shumë interaktivitetin social duke krijuar edhe barrë psikologjike.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku” i cili ka në fokus të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, shprehet se situata e shkaktuar nga koronavirusi i ka shkaktuar frikë dhe pasiguri për veten dhe njerëzit e afërt.

Suela Lala – Fondacioni “Së Bashku”

“Nëse do të sëmurem, nuk e di nëse ka masa, pra akomodim të mjaftueshëm për personat me aftësi të kufizuara në spitalet tona, kështu që padyshim frika është ndjesia që mbizotëron”, shprehet ajo.Lala thekson se personat me aftësi të kufizuara ndjesinë e frikës dhe të humbjes së kontrollit, e kanë pothuajse permanente dhe i shoqëron gjatë gjithë kohës, për shkak të izolimit dhe të barrierave që përjetojnë në shoqëri.

Para 6 ditësh, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sqaroi se “disa persona me aftësi të kufizuara mund të jenë në risk më të lartë për marrjen e virusit për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të kenë.”

Gjithashtu sipas CDC, “Të rriturit me aftësi të kufizuara janë 3 – fish më të rrezikuar nga sëmundje të zemrës, diabeti dhe kanceri sesa të rriturit të cilët nuk janë me aftësi të kufizuara.”

Të gjitha sëmundjet e mësipërme, ndikojnë në sistemin tonë imunitar duke e dobësuar atë. Virusi COVID–19, njihet si një virus i cili sulmon sistemin tonë imunitar dhe ndikon akoma dhe më shumë tek personat të cilët kanë probleme ekzistuese shëndetësore.

Për shkak të nevojave shëndetësore të shtuara, rrjedhimisht dhe kujdesi duhet të jetë i shtuar. Mirëpo, në një prill të këtij viti komisionet e KEMP – it u mbyllën për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Kryeministri Rama deklaroi në atë kohë se pagesat do të vijonin të merreshin normalisht, kjo krijoi një gjendje të vështirë për personat që aplikonin për herë të parë.

Dan Myzyraj, banues në Durrës me vështirësi në shikim, ka aplikuar për herë të parë në 18 qershor për pagesën e KEMP- it, por akoma nuk ka marrë një përgjigje për vijimin e kësaj procedure. Ai tregon se është në pritje, por ende nuk e di se kur duhet të paraqitet pranë komisionit të vlerësimit.

Dan Myzyraj

Bazuar në një deklaratë të OKB në qershor të këtij viti, janë disa hapa që duhet të ndërmerren për të siguruar standardin e duhur për përballimin e COVID-19 nga personat me aftësi të kufizuara.

  • Forcimi i legjislacionit dhe politikave kombëtare për kujdesin shëndetësor
  • Identifikimi dhe eliminimi i pengesave për aksesin në objektet e kujdesit shëndetësor.
  • Përmirësimi i mbulimit të kujdesit shëndetësor dhe përballueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e qasjeve universale të kujdesit shëndetësor.
  • Trajnimi i personelit të kujdesit shëndetësor për përfshirjen e aftësisë së kufizuar dhe përmirësimi i ofrimit të shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara.
  • Fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara të kenë kontrollin mbi vendimet e tyre për kujdesin shëndetësor, në bazë të pëlqimit të tyre.
  • Ndalimi i praktikave diskriminuese në sigurimin shëndetësor dhe promovimi i mbulimit të sigurimeve shëndetësore për produktet ndihmëse dhe shërbimet e rehabilitimit.
  • Përmirësimi i kërkimit dhe të dhënave për të monitoruar, vlerësuar dhe forcuar sistemet shëndetësore për ti përfshirë dhe shpërndarë për personat me aftësi të kufizuara.

Edhe një tjetër studim i publikuar në prill të këtij viti nga OKB mbi pasojat e shkaktuara nga tek personat me aftësi të kufizuara, theksoi se ky grup është prekur në mënyrë disproporcionale për shkak edhe të barrierave institucionale dhe mjedisore që ekzistonin edhe përpara panedmisë.

Izolimi dhe ndikimi psikologjik

“Sfida më e madhe që po përjetojmë, sidomos në fillim të pandemisë, por edhe tani ku vazhdojmë të jemi të izoluar dhe frika për infektim është shumë e lartë është fakti se nëse për fat të mirë në një vend si Shqipëria i cili nuk ka shërbime sociale shumë të mira, ku ndihmësi personal, paguhet aq pak sa nuk është sa gjysma e pagës minimale në vendin tonë, ne kemi rrjetin e solidaritetit nga miqtë dhe nga të afërmit që në njëfarë mënyre e kompenson mbështetjen që vjen nga shteti”, thotë Suela Lala

Edhe psikologia Besarta Taçi shprehet se impakti psikologjik i pandemisë tek personat me aftësi të kufizuara ka qenë më i lartë dhe mbështetja institucionale nuk ka qenë prezente.

“Shumë pak udhëzime janë dhënë se si duhet familjarët të sillen qoftë me fëmijët apo me të rriturit që prezantojnë aftësi të kufizuara”, thotë ajo.

Besarta Taçi – Psikologe

Sipas psikologes Taçi mungesa e suportit nga institucionet dhe nga shërbimet shëndetësore ka ndikuar sidomos tek fëmijët të cilët kanë aftësi të kufizuara në aspektin intelektual konjitiv për shkak të mungesës së aktiviteteve apo shërbimit psikologjik, apo terapi logopedike, shërbime të cilat merreshin disa herë në javë.

“Në momentin kur kjo papritmas mungon dhe struktura me të cilën këta fëmijë ishin mësuar, përditshmëria, rutina, e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë (mungesën). Dhe të mos harrojmë që pandemia është e paprekshme dhe është shumë e vështirë që të kuptohet që ka realisht një rrezikshmëri dhe gjithashtu është shumë e vështirë që të shpjegohet në një formë sa më të qartë”, shpjegon ajo.

Psikologia thekson se familjet duhet të ishin mbështetur me fonde nga shërbimet sociale për ta përballuar më lehtë këtë situatë, pasi zakonisht kujdestari i këtyre fëmijëve bëhet prindi të cilit i duhet të kujdeset për fëmijën në mënyrë të pandërprerë dhe rrjedhimisht nuk ka mundësi të punojë.

“Shpeshherë një familjeje i duhet të mbijetojë me një rrogë dhe shpeshherë prezantohen dhe problematika ekonomike”, thotë ajo.

Bazuar në të dhënat më të fundit të cilat janë publikuar tek Instituti i Statistikave në censusin e bërë në vitin 2011, 6.2% e popullsisë në moshë madhore në Shqipëri, kanë deklaruar se kanë të paktën një aftësi të kufizuar. Mendohet se ky numër është dhe më i lartë për shkak të mos përfshirjes së fëmijëve në këtë përqindje.

Ndikimet e pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID– 19 i kanë theksuar akoma më shumë barrierat institucionale, mungesa e shërbimeve shëndetësore si dhe shtimin e barrës psikologjike për të përballuar këtë periudhë të pazakontë dhe të vështirë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *