Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tenderi i Teatrit Kombëtar: Komisioni i Prokurimit rrëzon kërkesën e kompanive për transparencë

Komisioni i Prokurimit Publik, rrëzoi më 18 shtator 2020, ankesën e dy kompanive, “Gjeokonsult &Co”, dhe “Archispace”, të cilat kërkuan transparencë në procesin e vlerësimit të ofertave për tenderin “Studim-Projektim për Ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar”.

3 korrik 2020, Bashkia Tiranë shpalli tenderin për “Studim dhe Projektim për Ndërtimin e Teatrit Kombëtar”, me një fond limit prej 60 milionë lekë.

Shpallja e tenderit për projektin e Teatrit të Ri Kombëtar nga Bashkia Tiranë

Deri më datë 14 korrik 2020, Bashkia Tiranë ka pritur ofertat dhe kërkesat për pjesëmarrje në tender. Sipas Komisionit të Prokurimit Publik, më datë 20 gusht 2020, Bashkia Tiranë ka njoftuar kompanitë pjesëmarrëse në konkurs për fituesin e tenderit. Në këtë tender pjesëmarrës për konkurrim kanë qenë edhe kompanitë “Gjeokonsult &Co”, dhe “Archispace”, të cilat janë skualifikuar nga procesi.

Por, edhe pse dy kompanitë janë skualifikuar, procesi nuk është bërë ende transparent për publikun. Ende nuk ka transparencë për listën e plotë të kompanive që aplikuan, fituesit, dhe as për proçesverbalet e vleresimit të tenderit.

“Ankesa, përgjigje, skualifikime – por ende nuk ka transparencë”

Pas këtij komunikimi “personal” të Bashkisë Tiranë me kompanitë pjesëmarrëse në konkurs, “Gjeokonsult dhe Co” dhe “Archispace” kanë dërguar ankesë pranë Bashkisë Tiranë si autoriteti kontraktues. Ankim ky i pranuar nga Bashkia më datë 28 gusht 2020. Bashkisë i është kërkuar procesverbali i vlerësimit të ofertave teknike.

Më 14 shtator 2020 kompanitë i kanë dërguar ankesë Komisionit të Prokurimit Publik dhe vetëm katër ditë më pas Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave vendos të mos pranojë ankesën e kompanive, me arsyetimin se ankesa është kryer jashtë afateve ligjore.

Vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik

Katër ditë për vendime në favor të Bashkisë; Asnjë përgjigje për paditë e aktivistëve të AMT-së

Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, pedagogu dhe aktivisti i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Ervin Goci, ngriti shqetësimin se çështja e Teatrit trajtohet me prioritet vetëm kur bëhet fjalë për tendera.

Komisioni i Prokurorimit Publik per Shtatorin, te pakte deri tani, ka marre vendim per 3 çeshtje te ngritura gjithsej….

Posted by Ervin Goci on Tuesday, 22 September 2020

Duke refuzuar procesin e ankimimit, Komisioni i hap rrugën Bashkisë Tiranë të vijojë me procedurat e mëtejshme me kompaninë fituese, edhe pse deri më tani ka një mungesë të theksuar transparence.

Që prej shembjes së godinës, përfaqësues të Aleancës për Mbrojten e teatrit kanë dorëzuar pranë SPAK-ut një sërë kallëzimesh penale. Kallëzim ndaj Edi Ramës, Erion Veliajt, Sandër Lleshaj dhe drejtueseve të policisë dhe drejtorive përgjegjëse për çështjen e Teatritt Kombëtar.

Megjithatë, përpos kohëzgjatjes akoma nuk ka asnjë informacion apo rezultat mbi hetimet, duke u justifikuar me faktin se ato kanë nevojë për kohë.

“Teatri Kombëtar u shemb pa pasur një projekt të zbatueshëm”

Në vitin 2018, kompania private “Fusha Sh.p.k” paraqiti propozimin për një projekt që parashikonte shembjen e Teatrit Kombëtar dhe disa kulla shumëkatëshe në truall publik, në shkëmbim të një teatri të ri.

Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, në këmbim të teatrit të ri që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit!”-ka thënë Kryeministri Rama.

Përmes një ligji special, në Kuvend u miratua kërkesa e firmës “Fusha Sh.p.k”, e cila “garonte” e vetme në marrjen e truallit.

Presidenti Meta dy herë radhazi e ktheu në Kuvend këtë ligj, duke renditur argumentet pse nuk ishte ligjore dhënia e një territori publik një subjekti privat, pa garë. Pas një debati të gjerë dhe këmbënguljes së aktivistëve, Komisioni Evropian gjithashtu kërkoi amendimin e këtij ligji, i cili favorizonte vetëm një subjekt, duke kërkuar hapjen e një gare për firmat e tjera.

Me 26 prill 2019, punëtorët e bashkisë hoqën shkronjat në fasadën e Teatrit. Brenda pak ditësh, me kontributet e qytetarëve, u mundësuar blerja e germave të reja.

Dy muaj më vonë, forca të shumta policore zbarkuan në sheshin e këtij teatri me qëllim zbrazjen dhe më pas shembjen e tij. Qytetarët u organizuan dhe arritën ta shpëtonin e të merrnin në dorë godinën.

Brenda së njëjtës javë u përsërit tentativa e dytë për ta shembur teatrin. Edhe asaj here, forcat policore u hasën në rezistencën e të pranishmëve, çka çoi në largimin e përkohshëm të tyre.

Në muajin mars të këtij viti, Europa Nostra e kategorizoi Teatrin Kombëtar si një nga shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë dhe përcollën lajmin se ata do të siguronin gjetjen e fondeve për restaurimin e tij.

Në tetë maj, Qeveria ia kaloi Bashkisë Tiranë pronësinë e Teatrit Kombëtar, me anë të një VKM-je.

Pesë ditë më vonë, Instituti i Ndërtimit kreu një akt-ekspertizë ku dolën në përfundimin se materialet e përdorura janë të një cilësie të dobët dhe kësisoj, mund të sjellin dëme në jetë njerëzish dhe u rekomandua shembja e saj.

Të nesërmen, Këshilli Bashkiak, votoi shembjen e Teatrit Kombëtar. Dhjetëra aktivistë vërshuan drejt teatrit dhe u gjobitën për thyerje të Aktit Normativ.

17 maj, pavarësisht rezistencës së aktivistëve dhe qytetarëve, Teatri Kombëtar u shemb, duke mobilizuar forca te shumta policie. Ky akt u krye edhe në kushte jo normale, duke pasur parasysh situatën pandemike dhe thirrjeve të vazhdueshme nga ana e institucioneve për të qëndruar në shtëpi.

Menjëherë pas shembjes së Teatrit, një ditë më pas, duke e konsideruar si një moment të vështirë jo vetëm për ata që mbrojtën Teatrin, por edhe për të personalisht për shkak të adresimeve negative në drejtim të tij, kryetari i Bashkisë Veliaj doli para publikut duke prezantuar në detaje projektin e Teatrit të Ri Kombëtar.


Projekti i Teatrit të Ri ishte dizajnuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels, që do të zbatohej nga kompania “Fusha”.

Megjithatë, më pas ky zotim u la, për ta ndërtuar me fondet e qeverisë shqiptare dhe bashkisë.

Më 3 korrik 2020, Bashkia Tiranë shpalli tenderin për “Studim dhe Projektim për Ndërtimin e Teatrit Kombëtar”, me një fond limit prej 60 milion, edhe pse ishte shprehur se kishte një projekt dhe punimet do të nisnin sa më herët.

Teatri i Ri 🎭

Përfundojnë me sukses sondat gjeologjike tek trualli i teatrit të ri që do të nisë punën këtë vit të 💯…

Posted by Erion Veliaj on Saturday, 15 August 2020

Firma ka thënë, tani unë e prodhova këtë projekt. Gjithë këtë dosje me vija, të paktën ti ngelet publikut, ti ngelet shtetit shqiptar. Kështu që projekti është i dhuruar, ndërkohë që nuk do të jetë kjo kompani që do të ndërtojë projektin, që qartazi ka konflikt interesi”, u shpreh Veliaj për projektin.

Deri më tani mungon transparenca e procesit, duke mos ditur kompaninë fituese që do të ndërtojë Teatrin e Ri Kombëtar, si dhe projektin që do të zbatojë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *