Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Institucionet zgjodhën të heshtin: Naftëtarët e Ballshit i rikthehen grevës së urisë

Pas muajsh protesta, naftëtarët e Ballshit vendosën paraditen e sotme të hyjnë në grevë urie për të dytën herë.

Do të marrim fatin tonë në dorë”, ishte thirrja që mblodhi naftëtarët fillimisht të premten për të diskutuar hapat që do të ndërmerrnin. Ata janë të pakënaqur nga mungesa e reagimit, pavarësisht protestave dhe kërkesave që kanë dërguar në drejtim të kompanisë që operon në rafinerinë e Ballshit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas grumbullimit gjatë paradites, një grup prej dhjetë naftëtarësh kanë hyrë në ambientet e qendrës shëndetësore të rafinerisë, ku vendosën të qendrojnë.

Nuk duhet të kishim dalë në shkurt nga greva e urisë, por premtimet boshe të këtyre na detyruan sot të hyjmë në grevë urie. Nuk është grevë politike, askush të mos abuzojë me këtë. Kjo grevë është ekonomike. Kërkojmë një zgjidhje ekonomike. Naftëtarët kërkojnë djersën e tyre”, – u shpreh kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të bashkuar, Sokol Dautaj.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar,

Naftëtarët u shprehën se do të vazhdojnë t’i qëndrojnë dy opsioneve që i kanë të propozuar institucioneve qendrore: Rifillimin e punës në rafineri me një kompani serioze ose mbylljen përfundimtare të rafinerisë dhe dëmshpërblimin e tyre me pagat e prapambetura.

Prej muajit janar, naftëtarët e Ballshit janë përfshirë në protesta pranë rafinerisë për të kërkuar pagat e prapambetura si dhe rikthimin në punë. Më 16 shtator naftëtarët protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, por nuk morën asnjë përgjigje nga ky institucion.

Prej muajit janar ne jemi përpjekur në të gjitha format dhe me grevën e parë të urisë dhe me protesta pafund përpara rafinerisë, përpara bashkisë, përpara prefekturës. Ditët e fundit shkuam edhe përballë ministrisë. Indiferenca e tyre është tallës. Është tallëse për të gjithë naftëtarët për një arsye, sepse nuk u kushton gjë atyre që zbrisnin shkallët nga ministria, flasim gjithmonë për personat që janë kompetent për këtë punë, ti japin zgjidhje naftëtarëve”, -argumentoi Sokol Dautaj.

Naftetaret e UPN Ballesh hyne ne greve urie

Posted by ALB365.com on Monday, 28 September 2020 

Naftëtarët shprehen se nuk janë kundër kompanive që vijnë në rafineri, por cilido që të vijë të dali me palë shtetin.

Ata tregojnë se pagat e prapambetura janë fituar edhe në procese gjyqësore, por vendimet e gjykatës nuk janë zbatuar deri më tani.

Pas marrjes përsipër të rafinerisë nga kompania ALLUM, naftëtarë nënshkruan edhe kontrata individuale, pas të cilave ju premtua edhe dhënia e një page. Ata tregojnë se prej momentit të nënshkrimit të kontratave nuk patën asnjë kontakt tjetër me kompaninë

Kjo është greva e dytë e naftëtarëve të Ballshit në pak muaj. Më herët naftëtarët kanë hyrë në greve urie në muajin shkurt, ku kanë qëndruar në greve urie për 12 ditë radhazi. Nga ajo greve urie arritën vetëm të merrnin disa prej pagave të prapambetura, por nuk mundën të ktheheshin në punë.

Uzina e Ballshit “kurbani” i pushteteve?!

Në shkurt të vitit 2020, 800 punonjës të rafinerisë së naftës në qytetit e Ballshit u organizuan në protestë për të kërkuar marrjen e pagave të prapambetura, ndërsa dhjetë naftëtarë të tjerë ishin futur në grevë urie.

Kompania që administronte rafinerinë e Ballshit “Tosk Energji” kishte ndaluar së funksionuari prej muajit shtator të vitit 2019, duke lënë pa punë dhe pa paga 800 të punësuar.

Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.

Gjatë muajve të verës protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme. Më 24 korrik, në protestën para Bashkisë Ballsh, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar u shpreh se kthimi i detyrimeve të prapambetura ishte një premtim i Kryeministrit Rama që në vitin 2017.

Edhe pse jemi në muaji shtator puna në rafinerinë e Ballshit nuk ka nisur akoma sikurse premtoi ministrja Balluku. Mos mbajtja e këtij premtimi bëri që naftëtarët të ngrihen sërish në protestë.

Më 26 gusht naftëtarët protestuan sërish para rafinerisë dujke krijuar përplasje edhe me policinë.

Më 3 shtator, pas një takimi me komopaninë Allum i arrit marrëveshja për rifillimin e punës, ndërsa iu premtua një paradhënie prej 50.000 lekësh.

11 shtator 2020, ishte dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes, sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, por kompania shkëputi çdo kontakt me ta.

Naftëtarët e mbledhur para rafinerisë u përballen me forca të shtuara të policisë, duke krijuar edhe përplasje. Policia përdori spraj me piper për të zmbrapsur turmën ndërsa mbetën të lënduar 7 naftëtarë. Gjatë pasdites 15 persona u shoqëruan në polici, për t’u liruar më pas, ndërsa 8 prej tyre u proceduan penalisht.

17 shtator 2020, naftëtarët u mblodhën në protestë përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të marrë një përgjigje ndaj kërkesave të tyre, por morën vetëm përplasje me policinë.

“Vit i ri, kompani e re” 

Një analizë e revistës Monitor , tregon historikun e larmishëm të kompanive që kanë zhvilluar aktivitet në rafinerinë e Ballshit.

Fillimisht, në vitin 2013, kompania Armo në pronësi të Rezart Taçit, u shit te Heaney Assets, për shkak të borxheve që kishte. Heaney Assets dështoi brenda vitit, dhe një vit më pas ish-drejtori i përgjithshëm i saj, Xhihangir Haxhijev u arrestua për mashtrim me kreditë, ku përfshihej edhe kredia nga e cila Rezart Taçi bleu ARMO-n.

Rafineria e Ballshit u mor më pas nga një bankë private, dhe një vit më vonë, në 2015 me ndërhyrjen e Qeverisë, banka ia shiti rafinerinë një kompanie në pronësi të biznesmenit shqiptar Besnik Sulaj, i cili dështoi të paguante shumën e rënë dakord me bankën, ndaj banka e mori rafinerinë mbrapsht.

Në 2017, rafineria u shit tek kompania “Allum Enterprises Limited”, e regjistruar në Britaninë e Madhe. Kjo kompani e dha me qira tek Tosk Energji dhe Byllis Energji.

Në vitin 2019 kompania “Tosk Energji” hyri në kolaps financiar dhe që prej nëntorit të 2019 puna në rafineri është ndalur.

Tashmë kompania “Allum Enterprises” vendosi të operojë vetë në rafinerinë e Ballshit. Edhe pse puna duhej të rifillonte brenda muajit qershor sipas njoftimit nga ministrja Balluku në maj të vitit 2020, e cila mblodhi në një tryezë të përbashkët taks forcën e ngritur për naftën. Por deri më tani, nuk ka asnjë dritë jeshile për rifillimin e procesit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *