Një vëzhgim i Citizens Channel  tregon se reagimi zyrtar i institucioneve ndaj protestave qytetare është thuajse inekzistent. Një monitorim katër mujor (17 maj -17 shtator) në faqet zyrtare dhe kanalet e rrjeteve sociale të ministrive, tregon se  ato kanë heshtur ndaj protestave për çështje si ngacmimi seksual në shkolla, shembja e Teatrit Kombëtar, HEC-et në lumenjtë e Shqipërisë apo greva e naftëtarëve të Ballshit.

Megjithatë, struktura të tjera shtetërore kanë vepruar për të ndaluar manifestimet e qytetarëve në sheshe. Që prej hyrjes në fuqi të Aktit Normativ që ndalon tubimet gjatë periudhës së pandemisë shkaktuar nga Covid-19 (15 mars 2020), në Shqipëri janë ndaluar apo proceduar penalisht 127 individë që kanë marrë pjesë në protesta.

Teatri Kombëtar – Heshtja e Ministrisë së Kulturës

Pas rreth 2 vitesh protesta, qindra forca policore rrethuan godinën e Teatrit Kombëtar në 17 maj, duke larguar forcërisht aktivistët që kundërshtonin shembjen e godinës. Mijëra qytetarë të revoltuar ju bashkuan më pas protestës, edhe pse 17 maji ishte dita e fundit ku ishin në fuqi masat kufizuese të lëvizjes për shkak të COVID-19.

Protestat vijuan për ditë të tëra por Ministria e Kulturës, institucioni përgjegjës për trashëgimin kulturore në vend, nuk pati asnjë reagim, as në faqen zyrtare në ueb, e as në rrjetet sociale. Në rrjetin social Facebook të ministres Margariti me datë 17 maj nuk është hedhur asnjë postim, ndërsa të nesërmen, me 18 maj ndërkohë që qytetarët ishin mbledhur në protestën e dytë, me thirrjen “Poshtë Diktatura”, është postuar një video mesazh i sopranos Ermonela Jaho.

Shqetësimi për heshtjen e Ministrisë së Kulturës u ngrit edhe në një raport të publikuar së fundmi nga Qëndresa Qytetare, ku theksohet se edhe pse shembja e Teatrit pati jehonë ndërkombëtare, ministria përgjegjëse nuk pati asnjë reagim, në mbështetje ose jo të këtij akti.

Të mbrojmë lumenjtë – Heshtja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit 

Më 24 qershor u mbajt protesta kundër hidrocentraleve, organizuar nga grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”. Gjatë këtij organizimi u ushtrua dhunë policore ndaj pjesëmarrësve duke u munduar t’i shpërndajnë, ku u proceduan penalisht 13 persona, midis tyre edhe një nga organizuesit, Lavdosh Ferruni.

Nga vëzhgimi i kanaleve të komunikimit të strukturave përgjegjëse në ditët pas zhvillimit të protestës në faqen zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, nuk ka asnjë lajm, njoftim apo reagim mbi me ngjarjen.

Në rrjetin social Facebook të ministrit Klosi, më datë 24 Qershor është postuar një promovim i kantinës së verës “Nurellari” në Berat, ndërsa në faqen e “Facebook” të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk ka asnjë postim në atë datë apo ditën pasardhëse.

Protesta e naftëtarëve të Ballshit – Heshtja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Protesta e naftëtarëve ka nisur që prej shkurtit 2020, ku 800 punonjës u organizuan për të kërkuar marrjen e pagave të prapambetura, ndërsa dhjetë naftëtarë të tjerë ishin futur në grevë urie. Pas protestave të njëpasnjëshme në Ballsh ata iu drejtuan Tiranës në datën 17 shtator, për të kërkuar një zgjidhje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE). Kërkesa e tyre për një takim me përfaqësuesit e institucionit u refuzua.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të MIE nuk është publikuar asnjë komunikim në lidhje me ngjarjen, ndërsa me të njëjtën datë faqja e “Facebook” i dedikoi një postim kantierit të ujit në Poliçan.

Protesta për fëmijët e harruar në Siri– Heshtja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme 

Më 15 shtator qytetarët e Tiranës janë mbledhur para Kryeministrisë për t’i kërkuar institucioneve përgjegjëse të marrin masa për kthimin e rreth 50 fëmijëve nga kampet e Sirisë. Pavarësisht se organizatorët pohuan se kanë paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë kërkesën për të zhvilluar tubimin, policia ndërhyri duke i shpëndarë.

Ndërkohë në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk është publikuar asnjë lajm apo deklaratë e lidhur me shqetësimet e ngritura në protestë, ndërsa në faqjen e “Facebook” të ministrit Gent Cakaj publikohet pjesëmarrja e tij në një mbledhje të Komisionit për Integrimin Evropian, i njëjtë postim shfaqet edhe në faqen e ministrisë në Facebook.

Juristja Bozheku: “Institucionet kanë përgjegjësi politike”

Juristja Enida Bozheku duke analizuar mungesën e reagimit institucional ndaj protestave shprehet se institucionet, edhe pse jo ligjërisht, kanë përgjegjësi politike në situata të cilat prodhojnë konflikt social. “Në këto raste qeveria është e detyruar të mbledhë palët” thotë Bozheku.

Enida Bozheku

Juristja Bozheku liston një sërë rastesh kur institucionet i shmangen përgjegjësisë edhe pse janë palë në krijimin dhe zgjidhjen e problemit, ashtu si në rastin e Rafinerisë në Ballsh: “Për naftëtarët, del Ministria Balluku dhe të thotë jo ne s’kemi punë, e ka privati, ai duhet t’ja paguajë rrogat. Ata janë qytetarë të republikës së Shqipërisë, ai privati e ka lidhur kontratën me shtetin, sepse nafta është pasuri e të gjithëve”.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu