Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të ndjehesh vajzë në trupin e një djali, përjetimet dhe vështirësitë e transgjinorëve në Shqipëri

Aleksa*, që në moshë të vogël, ka kuptuar se normat gjinore dhe rolet që asaj i ishin caktuar si individ i lindur në trupin e seksit mashkull, nuk përkonin me ndjesinë e saj.

Në mungesë totale të informacionit dhe mjedisit të ashpër, asaj iu deshën disa vite që të kuptonte se në fakt, pavarësisht seksit biologjik, ajo ishte transgjinore dhe ndjehej vajzë.

E kam kuptuar që e vogël, që në momentin që shihja filma vizatimorë dhe çdo fëmijë, kur shikon një film vizatimor, gjithmonë e personifikon veten me një personazh. Të gjitha personazhet që unë personifikoja veten ishin personazhe femra”, thotë Aleksa për Citizens Channel.

Punim grafik: Xhemali Moku/ Citizens Channel

Gjatë pubertetit, ajo u njoh fillimisht me termat bazë, por nuk arriti të gjente veten plotësisht në përkufizimet e hasura në internet.

Kur kalova në pubertet, aty filluan ndjenjat seksuale të më zgjoheshin. Aty kuptova që isha e tërhequr ndaj meshkujve, por që të kisha identitet gjinor vajzë, prapë nuk arrija ta kuptoja shumë. Prapë me timen, unë e quaja veten mashkull por më dukej vetja mashkull i mangët”, thotë Aleksa teksa rrëfen se gjatë adoleshencës ajo filloi të dëgjonte muzikë rrok dhe përdori atë rrymë, si mënyrë për të kamufluar dëshirën e një tjetër dukjeje.

Kur kalova në moshën 13-14 vjeç fillova ta beja pak makijazh, krijova një lloj imazhi, madje fillova të dëgjoja dhe muzikë rrok. Për mua ishte maskim rroku, ndjehesha shumë femër në atë dukje, për mua ishte më mirë të thonë njerëzit ‘shiko se ky dëgjon rrok’. Në fakt, arsyeja ishte se doja të isha femër”.

Punim grafik: Xhemali Moku/ Citizens Channel

Procesi përfundimtar i të kuptuarit se seksi biologjik nuk përputhej me identitetin gjinor, erdhi në moshën 18-vjeçare, ku Aleksa u vesh plotësisht si grua, duke gjetur harmoninë e munguar ndër vite.

Në momentin që unë u vesha, lyeva, vura paruke, aty ishte pika kur unë kuptova që isha trans, në momentin që unë u vesha dhe kuptova që kjo gjë me pëlqen, kjo gjë është e imja, u ndjeva shumë rehat, më vetëbesim”, pohon ajo.

Punim grafik: Xhemali Moku/ Citizens Channel

Në kokën time dukesha shumë mirë dhe çdo veprim që bëja dukej sikur shkoja me figurën, për herë të parë po përshtatej figura më zërin dhe kjo gjë më dha shumë rehati”.

Veshje minimale në rrugë, si formë për të shmangur dhunën

Pas mbarimit të adoleshencës, Aleksa ka mundur t’i sfidojë pjesërisht në publik pritshmëritë gjinore lidhur me seksin e lindur.

Duke u hasur me dhunë verbale të vazhdueshme në rrugë, ajo ka zgjedhur të ketë një dukje të moderuar sa i përket manifestimit të identitetit gjinor në veshje dhe makijazh.

Për mua do të ishte mirë që çdo grua të vishej si të donte, por në situatat dhe rrethanat që jemi duhet t’i përshtatemi. Kam zgjedhur që veshja ime dhe dukja ime të jenë konform me normat shoqërore, për momentin, që unë të jem e sigurt kur të eci në rrugë

Aleksa është e vetëdijshme që minimizimi i vetes për t’u pranuar në shoqëri shpesh është frustrues dhe kufizues.

Gjatë gjithë jetës sime jam nënshtruar, duke dashur të fsheh veten për një gjë që nuk ishte gabim, që nuk ishte gjë e keqe, për diçka që nuk po i bëja keq njeriu. E ndjen veten shumë të nënshtruar në momentin që ti fshihesh dhe minimizon veten, i jep shumë prioritet atyre njerëzve që as nuk njohin, nuk kanë asnjë atribut pozitiv në jetën tënde dhe ata nuk e meritojnë këtë lloj statusi, ata nuk e meritojnë këtë lloj prioriteti”.

Puna e seksit, si një mjedis ku mund të jesh plotësisht vetja

Prej mbarimit të fazës së adoleshencës, Aleksa ka ushtruar punën e seksit. Ajo tregon se ky mjedis, është ndër pak hapësira ku mund të jetë plotësisht vetja në dukje. Ndaj për të kjo është një arsye pse ka zgjedhur të ushtrojë këtë profesion, të palegalizuar në Shqipëri.

Kjo është e vetmja punë që na mban të detyruar që ne të jemi trans dhe vetvetja. Nuk mund të ikësh në asnjë vend veshur si femër dhe të ikësh të punosh në call center apo kamariere. Kjo është një ndër arsyet që unë kam zgjedhur ta bëj këtë punë”.

Ajo rrëfen se pavarësisht vështirësive, gjetja e një pune tjetër, përveçse nuk do ta lejonte të kishte dukjen e dëshiruar, do ta konsumonte fizikisht dhe mendërisht, duke e privuar nga kënaqësia që ajo merr kur dukja e saj sfidon plotësisht pritshmëritë gjinore.

Ndonjëherë kur jam shumë e lodhur, e mërzitur me punën, i them shoqeve: ‘Ah, çfarë t’i bëj kësaj Aleksës, se gjithë këtë po e bëj për Aleksën’. Është e vetmja punë që mund të vishem, mund të jem vetvetja. Unë mund të zgjedh të bëj një punë tjetër, që mund të jetë tetë orë, do të vij nga puna do të jem e lodhur, nuk do të kem nerva të bëj makijazh, të vishem dhe të dal. Nëse rri dy ose tre ditë pa u veshur, futem në depresion”.

Gjatë fazës së izolimit, si pasojë e pandemisë, Aleksa pohon se nuk e ka ushtruar aktivitetin. Pasi kufizimet e lëvizshmërisë u liruan, ajo ka rifilluar punë, ndërkohë që masat e vetme që ka marrë për t’u mbrojtur nga Covid-19 janë shmangia e puthjeve dhe përdorimi i prezervativit.

Gjatë punës të pengojnë shumë masat mbrojtëse. Masat që kam marrë unë kanë qenë që nuk jam puthur, nuk kam pasur kontakt shumë të afërt me klientët dhe kam përdorur prezervativ”.

Rreziku i një profesioni të palegalizuar në Shqipëri

Banesa e saj është hapësira ku Aleksa ushtron prej vitesh profesionin e punonjës së seksit. Kjo hapësirë i ka ofruar asaj siguri nga klientët e dhunshëm pasi ndodhet “në territorin” e saj.

Kur e sjell klientin te shtëpia jote ai nuk mund të të bëjë gjë sepse me një të bërtitur, atij i shkatërron reputacionin. E ke në dorë”.

Pavarësisht saj, rreziku për dhunë fizike nga klientët e saj është i qëndrueshëm.

“Një klient polic, pasi mbaruam, e kapi paragjykimi, frustrimi dhe më tha: ‘Ti s’ke frikë nga unë?’. I  thashë: ‘Pse të kem frikë nga ty?’. Unë po dridhesha përbrenda. Ai më tha se kishte arme me vete, sepse ishte polic. ‘Shumë mirë, edhe unë kam armë me vete’, i thashë. ‘Ti mund të jesh një person me armë, por ne jemi tre persona me armë, a t’i bie murit me grusht ta shikosh?’”, kujton ajo ngjarjen e ndodhur më shumë se një vit më parë.

Aleksa e konsideron të domosdoshme legalizimin e prostitucionit, si mekanizëm për të garantuar sigurinë fizike të individëve që ushtrojnë këtë profesion.

Legalizimi është i domosdoshëm, krijon kushte më të sigurta për punën, e normalizon punën dhe ndikon hemisfera të tjera të jetës. Ka njerëz që kanë nevojë për këtë shërbim pasi profesioni nuk konsiston në vetëm marr dhe jap seks, konsiston edhe në aspektin psikologjik”.

Aleancës LGBT: “Punonjës seksi, mjedisi i vetëm ku transgjinorët mund të marrin të ardhura”

Studimi i fundit kryer gjatë muajit qershor, ka nxjerrë në pah se komuniteti i transgjinorëve has shumë problematika në punësim, si rrjedhojë e diskriminimit dhe paragjykimit shoqëror, krahas anëtarëve të tjerë të komunitetit LGBTI+.

Si pasojë e drejtpërdrejtë e pandemisë së koronavirusit, një numër i madh i personave të komunitetit kanë humbur vendin e punës, kanë punuar pa të drejtë page dhe si rrjedhojë kanë pasur ulje të konsiderueshme të të ardhurave. Gati ½ e personave të anketuar kanë vuajtur këto pasoja, nga të cilët komuniteti transgjinor është akoma më shumë i disavantazhuar”, shkruhet në raport.

Mungesa e gjetjes së një vendi pune që mund të gjenerojë të ardhura është shtysë që shumë nga individët transgjinorë t’i drejtohen punës së seksit.

Pamundësia e punësimit lidhet direkt me paragjykimin dhe diskriminimin e fortë që ekziston ndaj këtij komuniteti. Përfshirja në punën e seksit është parë si mënyra e vetme për të mbijetuar nga komuniteti transgjinor”.

Pandemia ka ndikuar thellësisht në sigurimit e të ardhurave për të garantuar nevojat bazë, pasi izolimi çoi në ndërprerjen e aktivitetit.

Gjatë periudhës së pandemisë një pjesë e tyre e kanë pasur të pamundur të punojnë si punëtore seksi dhe si rrjedhojë kanë humbur të ardhurat, për të përmbushur nevojat bazike si ushqimi, strehimi, medikamentet”, shtjellon studimi.

*Emri është ndryshuar për të ruaj konfidencialitetin

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *