Pamje nga takimi “T’i japim zë lumenjve”/ Foto: Entenela Ndrevataj

Organizata mjedisore “EcoAlbania” mblodhi të martën në një takim të përbashkët ekspertë të ligjit dhe banorë të komuniteteve nga e gjithë Shqipëria të cilët janë prekur nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Organizimi u quajt “T’i japim zë lumenjve” duke synuar bashkimin e komuniteteve, të cilët përpos largësisë gjeografike, përballen me të njëjtat problematika.

Lumenjtë, pavarësisht gurgullimës, pavarësisht që rrokullisin edhe gurë kur janë rrëmbyeshëm ata përsëri nuk kanë zë që të shkojnë deri te politika. Ideja ka qenë që duhet të jemi ne, komunitetet lokale por edhe ne këtu në Tiranë, që t’i japim zë mbrojtjes së lumenjve”, tha Olsi Nika, drejtuesi EcoAlbania.

Citizens Channel sjell një përmbledhje të raportimeve nga zona të ndryshme të Shqipërisë, ku komunitetet lokale janë bashkuar për të kundërshtuar dëmet mjedisore që sjellin ndërtimet e hidrocentraleve.

Vjosa, lumi i fundit i egër në Evropë bën bashkë organizata të huaja dhe shqiptare 

EcoAlbania, bashkë me organizata të huaja mjedisore, prej disa vitesh janë angazhuar në mbrojtje të lumit Vjosë.

“Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, “EuroNatur”, “RiverWatch” në bashkëpunim me EcoAlbania kanë lobuar që Vjosa, e shtrirë në afro 200 km në territorin shqiptar, të ruhet e paprekur, pasi gëzon pasuri të mëdha të florës dhe faunës, që nuk mund të gjenden më në Evropë, pasi shumë specie janë zhdukur.

Për këtë arsye ata kërkojnë që të shpallet Park Kombëtar dhe të anulohen 24 hidrocentralet, të planifikuara për t’u ndërtuar në degëzimet e lumit Vjosë.

Ne si EcoAlbania, kemi rreth shtatë vjet që jemi duke punuar përgjithësisht për të gjithë lumenjtë, por në fokus kryesor lumin Vjosa, i cili jo për ndonjë arsye të veçantë por më së shumti se është lumi i fundit i egër i Evropës dhe kaq mjafton për të qenë arsye“, tha në vijim Nika gjatë fjalës së tij në hapje të takimit.

Video: Rrjedha e trazuar e vendimeve mbi Vjosën; Aktivistët ende skeptikë për anulimin e HEC-eve nga qeveria

Elvana Tivari, avokate dhe pjesë e panelit të diskutimin, tregoi si bashkimi dhe organizimi i anëtarëve të komunitetit, duke përdorur mekanizmat ligjorë, bënë që hidrocentrali i Poçemit në Vjosë të anulohej.

Për mua, dhe këtu do ta lidh pastaj me eksperiencën time si avokate, ajo që është e rëndësishme është që ju të jeni të shumtë në numër dhe me të njëjtin zë. Sa më shumë, sa më të përbashkët në atë që keni qëllim, aq më mirë është”, artikuloi Tivari para dhjetëra banorëve.

Zhgënjimi nga drejtësia, pjesë qendrore e diskutimit 

E shkelin ligjin me të dyja këmbët. Ligjet i kanë ba për të shtyp popullin, jo për veten e vet“, tha një prej banorëve teksa tregoi se zgjedhja e deputetëve nuk u garanton mbrojtjen e interesat, pasi komuniteti anashkalohet kur mbaron procesi i votimit.

Dhimitër Koleci, i përfshirë në çështjen e Zall-Gjoçaj, kërkoi ndihmën e organizatave për të evidentuar kush përfshihet në ndërtimin e hidrocentralit.

Çdo HEC e ka nga mbrapa një ministër, një Kryetar Bashkie, një zëvëndës ministër”, tha ai.

Koleci tregon se Kryetari i Bashkisë së Matit ka miratuar një leje mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve Sekë dhe Zais në Zall-Gjoçaj, zonë e mbrojtur e kategorisë së dyte, në kundërshtim me ligjin.

Video: Mat, tuba në Parkun Kombëtar

Çështja është ndjekur dhe në rrugë ligjore, por pavarësisht argumenteve të rendituar, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e banorëve për të ndaluar ndërtimet e hidrocentrale në rrjedhën ujore të lumit Flim dhe Urakë.

Madhesh, ndërtimi i hidrocentralit bëhet nga vëllai i Kryebashkiakut të Matit 

Kush është pas këtyre HEC-eve? Për shembull, për Madheshin është vëllai i Kryetarit të Bashkisë. Komuniteti do të ankohet në Bashki për vëllain e kryetarit?“, ngre pyetjen Koleci, teksa pjesëmarrës nga Madheshi, ndodhur në Mat të qarkut Dibër, shpjegojnë se janë në dijeni të këtij fakti.

Në atë fshat është ndërtuar një tjetër hidrocentral, duke shkretuar një pjesë të zonës.

Ata i referohen “HEC-it Gurra“, i cili u finalizua ndonëse banorët kundërshtuan hapur përmes protestave.

Citizens Channel ka raportuar organizimin e banorëve të Madheshit, të cilët në muajin korrik kërkuan ndihmë nga EcoAlbania për t’i orientuar ata në përdorimin e rrugës ligjore, në mënyrë që të ndalojnë ndërtimin e HEC-it të radhës.

Video: Madheshi, fshati buzë liqenit që rrezikon të mbetet pa ujë për shkak të HEC-eve

Ata shprehen se nuk janë përfshirë në konsultime dhe dëgjesa publik, shqetësim i artikuluar njëzëri nga pjesëmarrësit.

Ne kemi mbledh 84 firma nga banorët dhe nuk dun asnjë hidrocentral, janë shumë të vendosur“, tha një banor i kësaj zone në takimin e së martës.

Halli kryesor është se s’na pyet kush, hall është se njerëzit janë hallexhinj, gjithsesi janë shumë të predispozuar për me mbrojt vendin e tyre“, mbyll fjalën e tij qytetari nga Madheshi.

“A ka sofër pa ujë?”

Shumë prej banorëve pjesëmarrës në këtë takim pohuan se uji që po përdoret për të prodhuar energji elektrike është në fakt ujë i pijshëm.

Ne duam të na marrin pikën e ujit që kemi në tavolinë edhe të na ngeli edhe buka në fyt, le që ajo bukë s’bëhet pa ujë. Jemi të vetëdijshëm për këto, të gjithë ne, por që s’mund ta mbrojmë, ajo është diçka tjetër“, u shpreh një pjesëmarrës i takimit tek të 70-tat.

Aktivisti Arben Kola mori fjalën në mbyllje të takimit dhe u shpreh se tashmë qytetarët duhet të përdorin mjete ekstreme në mbrojtje të natyrës, duke parë që mekanizmat ligjorë dhe Gjykatat kanë vendosur në favor të kompanive edhe pse ato kanë ndërtuar në zona të mbrojtura.

Kola i referohej hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, e shpallur zonë e mbrojtur prej vitit 1996. Para disa ditësh ai vizitoi zonën ku po hapet tuneli, që do të shërbejë si hapësire për të futur tubacionet ku do të kalojë uji.

Nga materialet e postuara rezulton se lumi ka marrë tjetër ngjyrë si pasojë e hedhjes së inerteve, betonit duke zhdukur kështu edhe troftën.

Video: Beton në rrjedhën e Valbonës

Kompania “Dragobia Energy” është shoqëria e cila po zhvillon punimet për të ndërtuar dy hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu