Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Vetëm dy muaj mësim në auditore”; Studentët kërkojnë përgjysmim të tarifës shkollore

“Në familjen time jemi 3 të rinj që ndjekim studimet e larta. Të ardhurat janë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar dhe mbulimi i këtyre kostove është ngarkesë e madhe për familjen time”,-rrëfen Esmeralda Dida, studente e Fakultetit të Drejtësisë.

Esmeralda është në vitin e dytë të studimeve master dhe shprehet për Citizens Channel se pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka ndikuar në ekonominë e familjes së saj, e si pasojë mbulimi i shpenzimeve shkollore është një barrë e rëndë.

Kjo situatë e ka nxitur atë që bashkë me 122 studentë të tjerë të Fakultetit të Drejtësisë të ndërmarrin hapin për të nënshkruar një peticion, me kërkesën kryesore përgjysmim të tarifave për studimet master.

Sipas saj dy janë arsyet kryesore që i ka shtyrë studentët të kërkojnë përgjysmim tarifash.

“Së pari, për shkak të krizës ekonomike që pandemia ka shkaktuar në shoqërinë shqiptare. Shkurtimi i vendeve të punës pa diskutim që ka prekur të ardhurat e familjeve tona për pasojë edhe mbulimi i shpenzimeve të tilla si tarifa e studimit janë një barrë e papërballueshme.

Esmeralda Dida, studente e drejtësisë

Së dyti, shërbimi i ofruar. Mësimi u zhvillua online, por shërbimet e marra nga studentët gjatë kësaj kohe kanë qenë fare minimale. Për më tepër që kostot e zhvillimit të mësimit online nuk mendoj të jenë  më të larta krahasuar me kostot e mësimdhënies në  auditorë, kështu që është jo proporcional  dhe e padrejtë për ne studentët të paguajmë tarifën e plotë për këtë vit akademik“,-argumenton Esmeralda.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Elvis Gjini, student i vitit të parë në drejtësi, niveli master. Elvisi është një nga nënshkruesit e peticionit për përgjysmimin e tarifave, ndërsa tregon se kjo kërkesë qëndron e drejtë për sa kohë procesi mësimor është zhvilluar nga shtëpia dhe studentët nuk kanë frekuentuar auditoret e fakulteteve.

Unë dhe koleget e mi kemi bere vetëm 2 muaj mësim ne fakultet, 3 muaj te tjerë na u mohuan për shkak te paaftësisë institucionale, ndërsa për sa i përket 3 muajve te tjerë online ne nuk e kemi përdorur fakultetit qe kemi konsumuar ujë, drita apo shërbime te tjera pasi fakulteti ka qene mbyllur.“- u shpreh Elvisi.

Elvisi argumenton se edhe të ardhurat që fakultetet marrin nga pagesat e studentëve nuk reflektohet në shërbim dinjitoz dhe kushte të duhura për zhvillimin e mësimit.

“Tarifa e masterit në juridik është e lartë, 750 mijë lekë në vit dhe nuk përputhet kurrsesi në shërbimin që merr, prandaj ne kemi vendosur se nuk do të paguajmë 750 mije lekë vetëm për dy muaj shkollë që kemi bërë. Ky është edhe nje konkluzion ligjor përderisa institucioni nuk e ka përmbushur detyrimin e tij ligjor dhe kontraktual, as ne nuk na lind detyrimi për të paguar një shërbim që nuk e kemi marrë. Kjo është një nisme më specifike për juridikun, duke qenë se viti filloi tre muaj me vonesë, por në dijeninë tonë edhe fakultetet e tjera po bëjnë të njëjtën gjë.” -u shpreh Elvisi.

Elvis Gjini, student i drejtësisë

Studentët mbeten akoma në pritje të një përgjigjeje pozitive nga ana e Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit, megjithëse afati i fundit i kryerjes së pagesës ishte 30 shtator 2020.

“Jo përgjysmim tarifash, masteri me dëshirë”

Fill pas deklaratave të studentëve dhe nisjes së një peticioni për përgjysmim tarifash reagoi Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. Në një intervistë për emisionin e mëngjesit, “Wake Up” në Top Channel, Hoxha u shpreh se nuk do të ketë përgjysmim tarifash për studentët e studimeve master, ndërsa shtoi se ky nivel studimesh është me dëshirë.

Unë mendoj se studentët janë shumë më të interesuar të kenë programe studimi të konsoliduar, të kenë zhvillim të proceseve mësimore në interesat ë formimit të tyre si specialistë të rinj dhe se studimet master nuk janë studime të detyrueshme. Në të gjitha vendet e botës janë studime për të cilat paguhet. Bachelori e ka marrë bonusin e vet. Ne nuk themi që nuk do kemi rishikim të tarifave por nuk mund të kërkojmë pa filluar vitin e ri akademik që të ulim tarifat në vend që të kërkojmë që të rrisim cilësinë e mësimit”,- shtjelloi rektori Hoxha.

Artan Hoxha, Rektor i UT

Sa i përket shpenzimeve të reduktuara të Universitetit për shkak të zhvillimit të orëve mësimore online dhe jo frekuentimit në auditore, rektori Artan Hoxha u shpreh se megjithatë universiteti ka funksionuar normalisht, pa reduktim kostosh.

Ne kemi shpenzuar për mbrojtjen e studentëve dhe pedagogëve, si për sa i përket masave anti-COVID, të gjithë këtyre masave që kërkohen për dezinfektim, për kontroll, për ambiente dhe ne do të vazhdojmë të shpenzojmë. Universiteti nuk është pa shpenzime, bile janë shpenzime ekstra këto që kemi. Universitetet kanë mbetur të hapura pavarësisht, nuk ka se ne kemi ulur kosto të shpenzimeve universitare. Bile edhe këto janë kosto në vetvete, edhe mësimi në distancë”,-përfundoi rektori Hoxha.

Për juristin Marash Logu, njëkohësisht drejtues i qendrës rinore “Guxo”, që është në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre, krijimi i një pakete ekonomike për studentët është e nevojshme në kushtet në të cilat ndodhemi.

Kërkesa dhe propozimi ynë për Ministrinë e Arsimit ka qenë që të krijonte një paketë financiare për studentët, duke i dedikuar një fond të veçantë, e cila do t’i lehtësonte studentët nga tarifat e studimeve, qiratë e konvikteve dhe apartamenteve për studentët që jetojnë jashtë Tiranës, blerjen dhe shpërndarjen e pajisjeve elektronike, dhe ofrimin e shërbimit të internetit falas për ndjekjen e mësimit online. Sigurisht, që kjo skemë mund të zbatohej duke e përshtatur ndihmën me mundësitë ekonomike të familjeve të studentëve”,-thekson Logu.

Marash Logu, jurist

Kërkesa për përgjysmim tarifash do të vijojë të artikulohet deri në momentin që do të merret parasysh nga institucionet universitare rrëfejnë studentët, ndërsa juristi Logu shprehet se nuk përjashtohet edhe mundësia e protestave.

Ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare për përgjysmimin e tarifave, të mbështetur dhe nga një peticion i 123 studentëve, dhe jemi në pritje të përgjigjes. Në të kundërt, çdo opsion është i mundshëm, përfshirë edhe zhvillimin e protestave, për aq sa ato respektojnë edhe protokollet e sigurisë, të vendosura nga institucionet shëndetësore”,– u shpreh ai.

Nisja e këtij viti të ri akademik do të jetë më datë 2 nëntor 2020, më vonë se vitet e tjera, për shkak të situatës së COVID-19. Vendim ky i bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, e re në detyrë, Evis Kushi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *