Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

999 portretizime në fotografi, si dokumentim i diversitetit të shqiptarëve të sotëm

Kohët moderne kanë sjellë një bum fotografik që lundron në internet duke na servirur portrete midis perfektes dhe reales, shpesh duke na vënë nën presionin e asaj që jemi dhe asaj që duam të shfaqim në rrjetet sociale.

Loreta Cuka, fotografe e re, ka vendosur të na njohë me 999 portrete të zakonshme shqiptare, për të konkretizuar një nismë origjinale që synon të krijojë një arkivë historike të shqiptarëve të ditëve të sotme.

“Fotografia jo domosdoshmërisht duhet të na bëjë të ndihemi të bukur, duhet të na bëjë të ndjehemi edhe real”, shprehet Loreta, ndërsa tregon për kërkesat e shumta që merr për t’i punuar fotot me filtra apo “photoshop”.

Ajo tregon se të punuarit në terren duke mbuluar protesta dhe kauza të ndryshme sociale ka qenë nxitja e parë për të nisur projektin: “duke vënë re mungesën e materialeve identifikuese të portreteve të zakonshme vendosa t’i sjell ato në një projekt ku bëhen bashkë 999 njerëz rastësorë, që mund t’i hasim kudo, në rrugë, në kafene, në lagje.”

Fotografitë ajo zgjedh t’i realizojë në kënde të ndryshme të kryeqytetit, duke përdor si sfond dyer apo dritare, mure shumëngjyrëshe, vila të vjetra, për të lidhur historinë e qytetit me personazhet e saj.

Çdo portret ka fuqinë e tij, por ka disa që janë më goditës, rrëfen ajo, duke veçuar portretet e komunitetin rom apo LGBTI, të cilat shpesh vijnë si një formë aq e çlirët sa dhe shkalla emocionale që përcjellin është më e lartë.

Të rinjtë janë grupi që aksesohet më lehtë, pasi duke e njohur nga rrjetet sociale projektin, e kanë më të lehtë të përfshihen, ndërsa për grupe të tjera të shoqërisë si mosha e tretë, asaj i duhet të kërkojë më shumë në terren. Synimi i saj është që ky dokumentim i portreteve të jetë sa më gjithëpërfshirës duke dalë shpesh edhe jashtë Tiranës, drejt zonave më të thella.

Pavarësisht se projekti është nismë vullnetare e saj, Loreta tregon se është e vendosur ta cojë deri në fund, duke publikuar tre vëllime librash të cilat do të përmbledhin të gjithë punën e saj, për ta bërë më të prekshme memorien filmike që ka krijuar.

“999 portretizime shqiptare ka si synim që në të ardhmen të përdoret si hartë demografike, për të demonstruar ndryshimin e brezave ndër vite” rrëfen 28-vjeçarja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *