Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kryeministrit për naftëtarët “Akrobaci dhe lutje Azerbajxhanit” në vend të marrjes së përgjegjësisë nga shteti shqiptar

“Organizata Politike” ka ndërmarrë dje një aksion lidhur me situatën e naftëtarëve të Fierit, të cilët prej muajsh kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri.

Ata kanë ngjitur në muret e Tiranës një poster ku duket portreti i Kryeministrit Rama me sytë, veshët dhe gojën e mbuluar, shoqëruar më thirrjen “Përgjigju Naftëtarëve”. Aksioni vjen në një kohë kur një grup prej 10 punëtorësh të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës së urisë.

Po sakrificës së tyre qeveria i përgjigjet me shpërfillje. Hesht kryeministri, hesht ministrja e linjës, hesht çdo institucion i shtetit që detyrë parësore duhet të kishte hetimin e gropës korruptive ku është zhytur prej vitesh uzina e Ballshit, qeveri pas qeverie, sipërmarrës abuziv pas sipërmarrësi abuziv”, shkruan Organizata Politike.

Vetëm pak orë më pas, në një konferencë për shtyp mbajtur ditën e sotme, Kryeministri mbajti reagimin e parë publikm ku u shpreh se është në dijeni dhe pohoi se Qeveria Shqiptare ka bërë mjaft përpjekje për ta rivënë në punë rafinerinë.

Ajo është një kompani private, është një kompani e privatizuar në mënyrë kriminale dhe janë pasojat e një privatizimi kriminal ku ne dhe unë personalisht, jemi përfshirë në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar, për të ndihmuar dhe për të mbështetur pikërisht ata njerëz që janë aty, duke bërë lloj-lloj akrobacish, lloj-lloj lutjesh nga më të ndryshmet”.

Duke iu kthyer grevës së urisë, Kryeministri pohon se një akt i tillë nuk është i nevojshëm.

Jam shumë i shqetësuar, më vjen keq për njerëzit atje, por nuk mendoj që ka nevojë për greva urie për të më sensibilizuar mua se jam ultra i sensibilizuar për atë rafineri. Grevat e urisë bëhet kur nuk të dëgjon njeri. Ne jo vetëm që i dëgjojmë, por i kemi ndjekur në vijimësi, kontaktet me ta kanë qenë të vazhdueshme, kemi bërë disa herë ndërhyrje”.

Në 14 shtator 2020 Kryeministri Rama përgjatë një vizite në Turqi, pas takimit me Kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan, takoi edhe presidentin e Azerbajxhanit. Gjatë vizitës, sipas postimit të Kryeministrit Rama në rrjetin social Facebook, ata folën për bashkëpunime në sektorin e energjisë dhe turizmit.

 
 

Për shkak të situatës së tensionuar në të cilën ndodheshin naftëtarët e Ballshit në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, të përfshirë prej disa muajsh në protesta ku kërkonin të drejtën e tyre për të marrë pagat e prapambetura, Kryeministri nuk harroi të cekte edhe rafinerinë e Ballshit, duke cituar më poshtë angazhimin e vetë presidentit të Azerbajxhanit për të ndihmuar nën zgjidhjen e situatës. Pa specifikuar më konkretisht se në ç’ formë mund të ndihmonte një president i një shteti tjetër zgjidhjen e situatës mes një kompanie private dhe naftëtarëve në Shqipëri.

Theksojmë se në maj të vitit 2020, u njoftua marrja e rafinerisë së Ballshit nën menaxhimin e kompanisë azere “ALLUM” dhe se puna do të niste në qershor të po këtij viti.  “ALLUM” është një kompani private dhe si e tillë, aktiviteti ekonomik në një shtet të huaj nuk menaxhohet nga shteti i origjinës.

Megjithatë nëse kërkojmë për të dhënat e kësaj kompanie, ajo është e regjistruar në Angli në vitin 2017. Online mund të gjejmë vetëm një faqe web me disa informacione të përgjithshme, ku si administrator i saj rezulton qytetari Jeton Bajrami, duke mos pasur të dhëna për aksionerët realë të saj.

Reagimit të Kryeministrit i është përgjigjur edhe Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar, duke e quajtur atë një shmangie nga përgjegjësitë që ka drejtuesi i shtetit shqiptar. SNB liston më tej një sërë arsyesh mes të cilave mos zbatimi i statusit të naftëtarit e as i vendimit të gjykatës për 24 pagat e prapambetura të naftëtarëve si edhe favorizimi i naftës së importuar në tregun shqiptar.

Për herë të parë sot – pas protestave të vazhdueshme në ndërmarrjen e rafinerisë së Ballshit, pas protestave në bashkinë…

Posted by Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar on Tuesday, October 6, 2020

Çfarë është statusi i naftëtarit dhe çfarë roli ka qeveria në këtë proces?

Më 2 shkurt të vitit 2017, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për “Statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, i cili hyri në fuqi një muaj më vonë. Nga ky ligj përfitojnë 5 mijë naftëtarë në të gjithë vendin.

Ky ligj i ka në përparësi naftëtarët, duke u njohur atyre përfitime sa u takon të drejtës për të dalë në pension para kohe, naftëtarëve që janë të papunë u njihet përparësi për punësim dhe një pagesë 80% të pagës minimale në shkallë vendi.

Së fundmi, diskutimet publike të orientuara drejt çështjes së naftëtarëve në rafinerinë e Ballshit po nxisin debatet nëse ka ndonjë rol specifik qeveria ose pushteti vendor në kushtet kur marrëdhënia mes naftëtarëve dhe firmës private është mes tyre dhe jo shtetit. Në këtë rast naftëtarët janë lënë plotësisht në trajektoren “naftëtar-kompani private”, duke mos pasur një zgjidhje.

Mirëpo nëse do t’i referohemi statusit të naftëtarit që naftëtarët e Ballshit kanë, ata në momentin që lihen të braktisur nga kompania private, duhet të gjejnë mbështetje nga shteti.

Neni 8 i ligjit “Për Statusin e Punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit” në pikën 2 të tij thekson:

“Personat që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe dalin si të papunë si rezultat I ristrukturimit të ndërmarrjes apo për shkaqe që nuk lidhen me ta,  gëzojnë përparësi në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar  në masë dhe kohëzgjatje, por jo më pak se 80% të pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet”. 

Naftëtarët kanë 24 paga të pa marra dhe prej më shumë se një viti janë të papunë për shkak të falimentimit të kompanive që kanë marrë në shfrytëzim rafinerinë e Ballshit.

Ndërkaq, neni 18 i këtij ligji përcakton se organet e pushteti vendor, në zonat ku banojnë përfituesit e statusit të naftëtarit kujdesen për punësimin e tyre në rast papunësie dhe krijimin e kushteve për përfituesit e pensionit. Në rastin konkret pushteti vendor ka hequr gjithë përgjegjësinë ndaj kësaj shtrese punëtorësh, ndërsa pushteti qendror ia delegon problemin kompanive private që ikin dhe vijnë çdo gjashtë muaj.

Çfarë ka ndodhur me rafinerinë e Ballshit?

Naftëtarët e Ballshit ndodhen sot në ditën e nëntë të grevës së urisë. Ata janë shprehur të vendosur për ti shkuar grevës deri në marrjen e një përgjigjeje për pagat e prapambetura. Prej ditës së tretë, naftëtarët shfaqën përkeqësim të situatës shëndetësore, ndërsa një prej tyre u dërgua në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Sot, në ditën e nëntë, pranë tyre janë paraqitur mjekët e spitalit të Ballshit për të parë gjendjen shëndetësore, e cila është e vështirësuar.

Në shkurt të vitit 2020, 800 punonjës të rafinerisë së naftës në qytetit e Ballshit u organizuan në protestë për të kërkuar marrjen e pagave të prapambetura, ndërsa dhjetë naftëtarë të tjerë ishin futur në grevë urie. Kompania që administronte rafinerinë e Ballshit “Tosk Energji” kishte ndaluar së funksionuari prej muajit shtator të vitit 2019, duke lënë pa punë dhe pa paga 800 të punësuar.

Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.

Gjatë muajve të verës protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme. Më 24 korrik, në protestën para Bashkisë Ballsh, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar u shpreh se kthimi i detyrimeve të prapambetura ishte një premtim i Kryeministrit Rama që në vitin 2017.

Edhe pse jemi nëm  muaji shtator puna në rafinerinë e Ballshit nuk ka nisur akoma sikurse premtoi ministrja Balluku. Mosmbajtja e këtij premtimi bëri që naftëtarët të ngrihen sërish në protestë.

Më 26 gusht naftëtarët protestuan sërish para rafinerisë dujke krijuar përplasje edhe me policinë.

Më 3 shtator, pas një takimi me kompaninë “Allum” u arrit marrëveshja për rifillimin e punës, ndërsa iu premtua një paradhënie prej 50.000 lekësh. 11 shtator 2020, ishte dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes, sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, por kompania shkëputi çdo kontakt me ta.

Naftëtarët e mbledhur para rafinerisë u përballen me forca të shtuara të policisë, duke krijuar edhe përplasje. Policia përdori spraj me piper për të zmbrapsur turmën ndërsa mbetën të lënduar 7 naftëtarë. Gjatë pasdites 15 persona u shoqëruan në polici, për t’u liruar më pas, ndërsa 8 prej tyre u proceduan penalisht.

Më 17 shtator 2020, naftëtarët u mblodhën në protestë përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të marrë një përgjigje ndaj kërkesave të tyre, por morën vetëm përplasje me policinë.

Më 28 shtator 2020, pas muajsh protesta naftëtarët e Ballshit i rikthehen grevës së urisë. 10 prej naftëtarëve u ngujuan në qendrën shëndetësore Brenda rafinerisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *