Elefterinë e gjetëm brenda një dhome të vockël disa metra larg qendrës së Piqerasit. Futa kokën në dritaren pa xhama të dhomës dhe e pashë të shtrirë në një dyshek të vendosur përtokë. Era e urinës dhe fekaleve mu përplas në fytyrë dhe mu desh pak kohë që të më mësohej nuhatja. Rrobat dhe batanijet me të cilat ishte mbuluar ishin gjithë njolla dhe kundërmonin erë papastërtie.

Fytyrën nuk e kishte më të bardhë nga pastërtia dhe të buzëqeshur si në foton me Ministren në spital por gjithë njolla dhe të ngrysur, me syrin e majtë të cilin nuk e hapte dot. Kuptova që Elefteria ishte kthyer në të njëjtën gjendje që e kisha lënë një muaj e gjysmë më parë. Njëkohësisht pashë si ne të gjithë kemi dështuar për t’i garantuar minimumin e dinjitetit një të moshuare e cila do vetëm të jetojë në paqe këto vite që i kanë mbetur.

Në dhomë gjendej një krevat në të cilin ‘’Nëna nuk kërcen të hipi dot’’, tha Elfeteria, prandaj dhe qëndronte mbi dyshekun përtokë. U lumturua kur i tregova që i kishim çuar lëng frutash dhe ushqime: ‘’Të keqen nëna bjermë pak lëng se po digjem nga etja.” I bëra dhe një fetë bukë e djathë, nuk e përtypi por e kapërdiu nga uria. Pas saj më kërkoi dhe një fetë tjetër. E pyeta nëse mund të ngrihej dhe vura re që këmbët i lëvizte më vështirësi dhe e kishte të pamundur të ngrihej. Kuptuam që ushqimet, lëngjet dhe ujin duhet t’ia linim në tokë afër kokës që ta kishte më të lehtë t’i merrte.

Pasi u interesuam për rastin, në përgjigjen e Shërbimeve Sociale Vlorë mësuam se ajo trajtohet me një pension invaliditeti, e madje i është caktuar edhe një person kujdestar i cili paguhet për këtë detyrë.

Pavarësisht se të ardhurat prej rreth 30.000 lekësh të reja (përfshirë pagesën e kujdestarit), do të mjaftonin për ushqim dinjitoz e një strehë, Elefteria ndodhet prej kohësh në gjendje të mjeruar, e cila nuk duket se nuk ka ndryshuar shumë edhe nga ndërhyrja e institucioneve, të cilat vepruan pas mediatizimit të rastit.

Strukturat shtetërore e kanë për detyrë jo vetëm të japin mbështetje monetare, të ofrojnë shërbimin në banesë por edhe të monitorojnë kujdestaren për të vlerësuar nëse ajo përmbush detyrën për të cilën paguhet. Neglizhenca e kujdestares së Elefterisë është e përsëritur dhe e pandëshkuar. Pavarësisht se kemi një sërë ligjesh e udhëzimesh që përcaktojnë standardet e përkujdesjes për të moshuarit ku përcaktohen qartë detyrimet për t’i siguruar ushqim, barna, higjienë përmbushje të nevojave personale.

Ndërkohë që të gjithë institucionet dështojnë sistematikisht të bëjnë punën e tyre, Elefteria dergjet mes katër mureve mbuluar me fekalet e veta duke ju lutur zotit që ta marrë sa më parë.

Autore: Xheni Karaj

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu