Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Teatri, ligji “Anti-Shpifje” dhe barazia gjinore ngrihen si shqetësime në progres raportin e KE për Shqipërinë

Komisioni Evropian (KE) publikoi të martën raportin vjetor të progresit për Shqipërinë. KE rekomandoi hapjen e bisedimeve duke vlerësuar si të plotësuara shumicën e kushteve, ndërsa evidentoi një sërë problemesh të ngritura prej kohësh nga aktorët lokal, si çështja e Teatrit Kombëtar, projektligji për median i njohur si “Paketa Anti-Shpifje” dhe barazia gjinore.

Teatri Kombëtar, shembja e të cilit është konsideruar nga Komisioni Evropian si një veprim pa dialog mes grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.

Prishja e Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2020 erdhi në një moment kur Bashkimi Evropian kishte kërkuar vazhdimisht dialog midis autoriteteve, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të interesuar, përpara se të merrej një vendim i pakthyeshëm.”

Në hapësirën dedikuar kulturës raporti sugjeron që Shqipëria të shfrytëzojë plotësisht potencialin e trashëgimisë së saj ekzistuese kulturore dhe të bashkëpunojë në aspekt ndërkufitar.

Shqipëria duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me UNESCO për menaxhimin e vendeve të saj të trashëgimisë Botërore dhe progresin në përpunimin e planeve të integruara të menaxhimit për vendet e saj duke ndjekur një qasje pjesëmarrëse. Duhet të inkurajohet bashkëpunimi ndërkufitar për ruajtjen e Ohrit me autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, -citohet në raport.

Një ndër çështjet më të debatuara së fundmi është edhe miratimi i projektligjeve për median online. Hapësirë ndaj të cilës i është kushtuar edhe në raport, ku Shqipëria u vlerësua në nivel mesatar në fushën e lirisë së shprehjes.

Pas një përshkrimi të të gjithë situatës dhe nismave ligjore apo sugjerimeve të sjella nga Komisioni i Venecias, raporti i Komisionit Evropian ndër të tjera sugjeron forcimin e mekanizmit të vetë-rregullimit.

Shqipëria duhet të sigurojë gjithashtu një politikë të tolerancës zero për frikësimin dhe sulmeve kundër gazetarëve, sa i përket kërcënimeve ndaj medias, përfshirë diskursin politik; të rishikojë legjislacionin për median për ta sjellë atë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, veçanërisht në lidhje me mediat në internet; të forcojë mekanizmat e vetë-rregullimit; të sigurojë zbatimin e Kodit të Punës dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të punës dhe të drejtave sociale të gazetarëve shqiptarë”,- thuhet në raport.

Të drejtat themelore 

Sipas raportit Shqipëria përputhet në përgjithësi me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore.

Raporti thekson se në lidhje me zbatimin e Ligjit për Strehimin Social, nëntë akte nënligjore u miratuan pas një procesi të gjerë konsultimi. Kuadri ligjor në fushat e të drejtave të fëmijëve dhe drejtësisë për të mitur është përmirësuar gjithashtu me akte nënligjore. Përpjekjet janë në vazhdim për të zbatuar një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës dhe për të konsoliduar të drejtat e pronës.

Mirëpo në vijimësi raporti thekson se Shqipëria duhet të bëjë më shumë sa i përket:

– përmirësimit më tej të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve, mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, garantimin e barazisë gjinore dhe sigurimin e shërbimeve minimale shëndetësore dhe sociale, veçanërisht në nivelin lokal;

– Krijimit të një praktike gjyqësore të qëndrueshme kundër diskriminimit; miratimit të akteve nënligjore në lidhje me Ligjin për Strehimin Social, i cili gjithashtu parashikon që 5% e banesave të rezervohen për anëtarët më të rrezikuar të komuniteteve Rom dhe Egjiptian;

-miratimit me shpejtësi të pesë rregulloreve të mbetura, për të siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit në lidhje me Ligjin e vitit 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;

-si dhe konsolidimit të së drejtave pronësore, veçanërisht duke finalizuar regjistrimin e parë, duke avancuar regjistrimin e akteve të pronës, duke zbatuar skemën e kompensimit dhe të vazhdojë të bëjë përparimin e duhur në dixhitalizimin dhe hartëzimin e pronës.

Barazia gjinore

Sa i përket barazisë midis grave dhe burrave, raporti përcakton se ka pasur progres mesatar në periudhën raportuese.

Zbatimi efektiv i strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit 2016-2020 për barazinë gjinore është i penguar nga një boshllëk i vazhdueshëm i financimit. Kërkohen më shumë përpjekje për të siguruar që të gjitha strategjitë sektoriale në nivelin qendror dhe lokal të jenë të integruara në aspektin gjinor dhe të zbatojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor”,-thuhet ndër të tjera.

Sa i përekt Indeksit të përgjithshëm të Barazisë Gjinore për Republikën e Shqipërisë, ai ishte 60.4 në 2017, duke treguar sipas raportit një hendek gjinor prej 7.4 pikë nën mesataren e BE-28 (67.4).

“Boshllëqet më të mëdha për BE-28 janë në fushat e dijes, parave dhe kohës, ndërsa rezultatet janë të ngjashme në fushat e punës dhe shëndetit.”

Dhuna me bazë gjinore 

Situata e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri merr një vëmendje të caktuar në raport, duke ngritur shqetësimin për qasjen në shërbime të grupeve të margjinalizuara.

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2019, u identifikuan dhe përpunuan 4,629 raste të dhunës në familje. Midis këtyre, 2,836 raste të dhunës në familje u trajtuan me ngritjen e padisë “Për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes emergjente “. Sipas Nenit 130 /a “Dhuna në Familje”, janë identifikuar 1,341 raste, ku 1,439 autorë janë ndjekur penalisht, nga të cilët 535 janë arrestuar, 76 të ndaluar, 68 të pushuar nga puna dhe 760 autorë të ndjekur penalisht të lirë.

Sipas raportit disa organizata të grave mundësojnë strehim për viktimat e dhunës në familje, por ato kanë kapacitet të kufizuar të pritjes dhe financimit.

Gratë nga grupe të disavantazhuara dhe të margjinalizuara, të tilla si gratë me aftësi të kufizuara, komuniteti LGBTI, gratë rome dhe egjiptiane, shpesh nuk janë në dijeni të të drejtave të tyre dhe mënyrës së qasjes në shërbime, përfshirë strehimoret. Zbatimi efektiv i sistemit të ndihmës juridike falas dhe promovimi i ndërgjegjësimit dhe fuqizimit ligjor do të jenë thelbësore për të siguruar qasjen e grave në drejtësi“-thuhet në përfundim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *