Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Do flas se po plas”, fushata për thyerjen e tabuve mbi shëndetin mendor

Të dielën e 10 tetorit, një grup qytetarësh u mblodhën në një takim të hapur, organizuar nga shoqata “Analizat e Grupit në Shqipëri” (AGSH) pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

“Ndjejmë përgjegjësinë që përveçse të ofronim një grup të hapur në natyrë, të bënim diçka ndryshe, me qellim nxitjen për ta folur atë që është vështirë të flitet”, u shpreh për Citizens Channel Anxhela Gramo, drejtuesja e këshillit drejtues së AGSH.

Takim u parapri nga një fushatë online në rrjetet sociale me hashtagun #DoFlasSePoPlas, ku njerëzit u inkurajuan të dërgonin një fotografi të vetes, bardh e zi, me një pankartë të shkruar, citate që bashkoheshin nga mesazhi: “Nuk kam turp të provoj të flas”.

Pjesëmarrësit u ulën në formë rrethi duke simbolizuar një formë intime të rrëfimit, për të thyer muret mbrojtëse të vetes dhe për t’u shfaqur sa më realë ndaj përjetimit të dhembjes, qoftë fizike apo emocionale.

Anxhela Gramo: “Të kërkosh ndihmë për shëndetin mendor është respekt ndaj vetes”

“N.q.s. një atak kardiak, pra një problem me zemrën quhet serioz, po aq serioz është një problem me shëndetin mendor”, paralelizoi Arba Gramo, një nga pjesëmarrëset e terapisë në grup.

Arba Gramo

Ajo shpjegoi se stigma për çrregullimet e shëndetit mendor nuk është e përhapur vetëm në vendin tonë, por kudo, pasi sensibilizimi do ndodhë gradualisht dhe është një proces që do të marrë kohën e vetë.

Gramo e sheh pranimin e problemit të pandashëm nga kurimi, pasi një çrregullim i shëndetit mendor, thotë ajo, nuk mundet të normalizohet ose të vihet nën kontroll, nëse individi nuk merr mbështetjen e njerëzve që e rrethojnë.

“Individët që vuajnë nga probleme të shëndeti mendor duhet të marrin guximin që ta pranojnë dhe të flasin me dikë, qoftë brenda familjes, qoftë jashtë saj”, pranoi një tjetër pjesëtare e grupit të terapisë, Vasilika Laçi.

Sipas saj shumë persona mundohen t’i shprehin vuajtjet e tyre, por i thonë në mënyrë të pa artikuluar, të pashquar, pra nuk i japin emër emocioneve të tyre.

Kryetarja e AGSH, Anxhela Gramo pohon se ka shume mite pas te cilave fshihet frika për t’u përballur me problemet shëndetit mendor.

Mite mbi shëndetin mendor

Individët me çrregullime mendore janë të çmendur

Problemet e shëndetit mendor nuk më prekin mua

Problemet e shëndetit mendor janë të pashërueshme

Individët me çrregullime të shëndetit mendor janë të dhunshëm

Psikoterapia është humbje kohe

Ajo artikulon se të kërkosh ndihmë për shëndetin mendor është respekt ndaj vetes.

Psikoterapia në grup

Arilda Dushaj, përfaqësuese e këshillit drejtues së AGSH, tregon për Citizens Channel se kjo shoqatë ka nisur të operojë si një bashkëpunim me Institutin e Analizës së Grupit në Londër që në 2014 dhe prej tre vitesh, çdo muaj ofrojnë eksperienca komunitare për grupin, falas, ndaj gjithë të interesuarve.

Keshilli Drejtues i Shoqates GAA

“Ndjesia e pranimit është shumë e fortë tek njeriu, kështu që je gjithmonë përballë faktit, do pranohem, s’do pranohem, por aty kupton që jo, nuk je vetëm, edhe kjo të ndihmon shumë, është mbështetje për ta parë dhimbjen më të vogël se ti”, thekson Dea Miloti, e cila ka ndjekur terapinë në grup për më shumë se një vit.

Dea pranon se pamundësia financiare është një nga arsyet pse ajo nuk mund të ndjekë dot një terapi të mirëfilltë pranë një specialisti dhe opsioni falas i terapisë në grup është një ndihmesë e madhe për komunitetin.

“Grupi të ndihmon për të gjetur fjalët e duhura, për ta ndarë atë që vërtet ty të shqetëson dhe unë them që nga aty fillon, në momentin që ne jemi të vetëdijshëm se për çfarë po kalojmë dhe arrijmë ta formulojmë këtë, edhe para një grupi të madh, që fundja do fuqi shumë të madhe”, përfundon ajo.

Dorarta Kariqi e sheh psikoterapinë në grup si një nga eksperiencat më unike në Shqipëri. Veçantia, sipas saj, qëndron në faktin se të ndihmon të kalosh pragun mes vetes dhe të tjerëve për të kuptuar akoma më mirë atë që ti ke brenda teje.

Dorarta Kariqi

Vasilika Laçi ka mbi një vit që po ndjek terapinë në grup, ajo pranon se po ndjehet më mirë, duke kuptuar më qartë emocionet dhe mendimet e saj.

“E mira është se ti shkon në terapi dhe kupton se është ok ashtu siç je, është ok edhe të jesh ndryshe dhe është ok dhe ta flasësh”, përmbyll ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *