Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nxitja e punësimit si mundësi për fuqizimin e grave rurale

Rreth 50 vajza dhe gra nga e gjithë Shqipëria, u bashkuan të enjten në Roskovec në Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale.

“Gratë rurale dhe vajzat kanë pabarazi dhe kanë një status shumë më të varfër dhe kanë gjasa që të bien në varfëri, në përjashtim social më shumë sesa burrat që jetojnë në zonat rurale dhe më shumë sesa gratë që jetojnë në zonat urbane. Kështu që, kjo gjë i bën ato që të kenë një pozitë më të cënueshme, ndaj kanë nevojë për një vëmendje më specifike”, – u shpreh gjatë fjalës së saj Evelina Azizaj, Koordinatore e Rrjetit Shqiptar pë Zhvillimi Rural i cili organizoi aktivitetin.

Në këtë takim, gratë rurale ndanë sfidat e të jetuarit larg zonave urbane, duke filluar nga punësimi, kontributi në punë të papaguara brenda hapësirës së shtëpisë dhe jashtë saj, si bujqësia apo blegtoria dhe mungesa e mbështetjes socio-ekonomike nga qeveritë vendore.

Ato ritheksuan nevojën për të hartuar dhe vënë në zbatim politika që do të nxisin punësimin dhe zhvillimin e potencialit të tyre.

Marie Frroku, pjesë e grupit të grave të Gjegjanit të Pukës, pjesëmarrëse në këtë event, u përlot gjatë fjalës së saj. Ajo shprehet se nuk është investuar mjaftueshëm për adresimin e problematikave gjinore ne pjesën rurale.

Nuk janë të vlerësuara, nuk u dëgjohet zëri, pushteti lokal bën shumë pak, nuk vihen në dispozicion fonde nga buxheti i Bashkisë sot për problemet gjinore, për problemet sociale”, – tha Frroku.

Një tjetër arsye pse gratë rurale duhet të ishin në fokus të këtyre politikave, pohuan të pranishmet, lidhet me varësine ekonomike nga familjarët, pasi vajzat nuk gëzojnë në mënyrë të barabartë nga prona e familjes.

Kthimi i një dhome shtëpie në një qendër takimesh mes grave rurale

Grupi i Grave në Gjegjan është krijuar në vitin 2004, nën organizimin e shoqatës “AgroPuka”. Fillimisht, ato patën mundësi të mblidheshin në një hapësirë të siguruar nga donatorë austriakë. Tashmë, hapësira që ata shfytëzonin është marrë nga pushteti vendor, për t’u kthyer në çerdhe.

Për këtë arsye, Marie Frroku ka hapur dyert e shtëpisë së saj ku organzon takime mes grave të fshatrave të ndryshëm.

Duke ditur hallet dhe problematikat dhe hallin e madh që gratë rurale janë të mbyllura, una hapa një dhomë të shpisë time për ta  bërë qendër për të grumbulluar këto gra që t’i themi stop mentalitetit, që të hapim një dritë jeshile që këto gra të dalin të grupuara dhe të pinë një kafe bashkë por edhe duke dhënë mesazhin e punimit në grup”, – tregon më tej ajo për Citizens Channel.

Marie Frroku, pjesë e grupit të grave të Gjegjanit të Pukës/ Foto: Elira Kadiu

Gratë e asaj zone kanë një punishte që merret me përpunimin e fruta-perimeve por nuk është licensuar pasi nuk gjejnë hapësirë për të ngritur një qendër të mirëfilltë. Frroku tregon se në Gjegjan mund të përdoreshin mjaft mjedise bosh sepse numri i popullsisë ka rënë, si pasojë e migrimit.

Megjithëse të zona jonë ka ambiente të shtetit plot bosh si efekt i largimit të popullsisë. Ka ra numri i nxënësve, ka plot klasa. Ka ra numri i pacientëve, ka plot vende spitali që mund të përdorej për çerdhe, për të cilën na u mor qendra dhe kjo qendër të rrinte në dispozicion të këtyre grave. Sot takimet i bëjmë në ambiente të hapura”.

Rikthimi i traditës 

Françeska Pjetraj ishte e pranishme në takimin në Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale si përfaqësuese e grupit “Colors of Zadrima”. Ajo, së bashku me një grup prej katër vetash, merren me prodhime artizanale të tezgjahut, duke ringjallur një traditë gjithnjë e në rënie.

Ne jemi një grup prej pesë vetash që merremi me prodhimet artizanale të tezgjahut. Është një traditë e familjes sime, që vijon nga gjyshja te mami dhe tek unë. Vitet e fundit kemi krijuar një grup, kemi përfshirë edhe gra të tjera dhe kemi krijuar një grup të mirëfilltë për prodhimin e produkteve artizanale në tezgjah”, – u shpreh Pjetraj për Citizens Channel.

Françeska Pjetraj, përfaqësuese e grupit “Colors of Zadrima”/ Foto: Elira Kadiu

Me anë të këtij grupi, punëtoret që sjellin produkte me tezgjah, kanë ringjallur traditën e humbur të prodhimit të mëndafshit.

Kemi risjellë prej tetë vitesh traditën e humbur të krijimit të mëndafshit. Është mbajtur në periudha të hershme sepse e gjithë veshja e grave të Zadrimës është me mëndafsh. Humbi për një periudhë të gjatë kohe dhe e rikthyem pothuajse pas 40 vitesh”.

Mbështetja ekonomike e grave rurale ndërlidhet ngushtë me zhvillimin e jetës sociale

Rastësisht u fut vjehrra ime për të parë se si është prodhimi i sapunit edhe vjen në shtëpi edhe më thotë: ‘Shiko nuse, ajo të intereson ty, se ti mund t’ia marrësh dorën’. Unë vendosa të vij këtu për prodhimin e sapunit”.

Kështu shprehet një ndër 18 gra të punësuara në prodhimin e sapunit artizanal. Ajo tregon se është shumë e kënaqur dhe dëshiron të ketë vijimësi në atë punë.

Jam shumë e kënaqur sepse kam arritur goxha të mësoj nga sapuni artizanal dhe shpresoj të vazhdoj”, – përfundon ajo.

Punësimi i grave në zonat rurale është me shumë rëndësi, pohon Françeska Pjetra, pasi u garanton atyre pavarësi ekonomike.

Për pjesën rurale, për gratë në fshat është shumë e rëndësishme. Nuk është një fitim i madh, kolosal, por diçka e vogël që mendoj se është diçka e nevojshme për secilën që të ketë një pavarësi të vogël të veten”.

Mbivendosja e punëve brenda shtëpisë, duke përfshirë kujdesin për prodhimet bujqësore dhe blegtorinë, e privon gruan nga pasja e një jete aktive sociale, pohon Rozeta Gradeci, përfaqësuesja e shoqatës italiane “COSPE”.

Gruaja në territoret ruralë është shumë e ngarkuar, ka një ngarkesë të dyfishtë, se kujdeset për familjen, por me të njëjtën kohë ajo merret me bujqësi dhe blegtori. Është shumë herë më e ngarkuar se një grua në zonat urbane. Duke qenë shumë e ngarkuar, ajo ka jetë shumë të ulët sociale”.

Rozeta Gradeci, përfaqësuesja e shoqatës italiane “COSPE”/ Foto: Elira Kadiu

Pavarësisht kontributit, perceptimi shoqëror rreth imputit që ajo jep ne familje nuk është në nivelin e duhur, rrëfen Gradeci.

Për shkak të mentalitetit, mendohet që kryefamiljari apo burri është baza më e rëndësishme e shtëpisë, ndërkohë që realisht sipas eksperiencës sime, gratë janë motori i lëvizjes apo forca, burimi i të mirave materiale në një familje rurale”.

Mentaliteti penalizon gruan dhe në të drejtën e pronësisë, informon pedagogia Etleva Muça, pjesë e organizmit. Kjo rëndon veçanërisht gratë e zonave rurale, duke i kufizuar vendimmarrjen.

Etleva Muça, pedagoge pranë Universitetit Bujqësor, Tiranë/ Foto: Elira Kadiu

Ligji shqiptar është shumë i qartë, të gjithë gëzojnë të njëjtën të drejtë pronësie. Sot, gratë shpeshherë detyrohen që pjesën e tyre të trashëgimisë ia falin apo ia dhurojnë pjesës tjetër të familjes, vëllezërve. Kur shkojnë në ‘derë të burrit’, ato nuk figurojnë si pjesë e pronësisë. Dhe kjo është një nga problemet kryesore. Një grua që jeton kryesisht në zonat rurale por jo vetëm, në momentin që ajo dëshiron të jetojë, të divorcohet nuk ka mundësi as ekonomike dhe as të ardhura, as pronë se ku të shkojë”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *