MIRËMËNGJES

dhe me këtë album të vitit 1918, kur pandemia zgjati 2 vjet, pati 3 valë, infektoi 500 milionë persona, vrau 50 milionë njerëz, prej të cilëve pjesën dërmuese gjatë valës së dytë, si pasojë edhe e mosrespektimit masiv të rregullave pas hapjes së parë, duke ju kujtuar se NGA SOT MASKA ËSHTË E DETYRUESHME KUDO JASHTË SHTËPISË, ju uroj një ditë të mbarë ”

MIRËMËNGJES😊

dhe me këtë album të vitit 1918, kur pandemia zgjati 2 vjet, pati 3 valë, infektoi 500 milionë persona,…

Posted by Edi Rama on Wednesday, 14 October 2020

Zgjimi virtual i kryeministrit Rama të enjten e 15 tetorit erdhi përmes një albumi historik fotosh të personave që mbajnë forma të ndryshme maskash, për tu rikujtuar qytetarëve shqiptarë rëndësinë e mbajtjes së tyre.

Ky postim vjen fill pas atij të 10 tetorit, kur Kryeministri bëri të ditur se duke filluar nga e enjtja, maskat do të jenë të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur apo të hapur jashtë shtëpisë.

Ndryshe nga postimet e tjera të kryeministrit Rama, në fotoalbumin që të çon pas në kohë, ka një paralajmërim nga ana e rrjetit social facebook, e vendosur në një kornizë, në anën e fundme të postimit. Përmes këtij kuadrati të gjithë përdoruesit e Facebook dhe që momentalisht janë duke konsumuar informacioni e shpërndarë nga Kryeministri Rama njoftohen se ky informacion është i rremë

Çfarë është “Fack Check” i rrjetit social Facebook?

Përdorimi i rrjeteve sociale si shumatore e informacioneve të rreme ka bërë që Facebook të ndërmarrë një nismë për të kontrolluar informacionin që shpërndahet me qëllim reduktimin e shpërndarjes së lajmeve të rreme.

Kjo bëhet përmes identifikimit të lajmeve, duke përdorur reagimet e njerëzve në Facebook, apo përmes rishikimit të historive nga kontrolluesit e fakteve me të cilët bashkëpunon rrjeti social Facebook. “Duke u shfaqur poshtë postimit etiketimi si i “rremë” bën të mundur zvogëlimin e njerëzve që e shohin atë ose e besojnë atë“,- thuhet në shpjegimin që Facebook jep për këtë metodë verifikimi të fakteve.

“Gripi spanjoll vs pandemia COVID-19”

E njëjta procedurë ndodhi edhe me postimin e Kryeministrit, ku vazhdon të qëndrojë poshtë postimit etiketimi, “informacion i rremë”. Në fakt falsiteti që jep Facebook në këtë rast nuk ka të bëjë me fotot e shpërndara se sa me një tog-fjalësh të përdorur. Mirëpo nëse do të bëjmë analizën apo vërtetësinë fotove të përdorura nga Kryeministri për të vendosur në paralelizëm situatën përgjatë gripit spanjoll të ndodhur 100 vite më parë me pandeminë e tanishme që po përjeton gjithë bota, rezulton se ka disa pavërtetësi.

Në fakt këto foto janë shpërndarë virtualisht në rrjete sociale masivisht nga shumë persona për t’i identifikuar me gripin spanjoll që preku 500 milionë njerëz në të gjithë botën. Por asnjë nga fotot e shpërndara nuk ka lidhje me gripin spanjoll apo me vitin 1918 -1920 kur është dhe zanafillën e tij.

Në një artikull të publikuar nga “Dhoma e Luftës kundër Lajmeve të Rreme” pranë India Today, (AFWA) vendosen në kohë dhe ngjarjen e duhur të gjitha fotot që janë shpërndarë me pretendimin se imazhet janë bërë gjatë pandemisë spanjolle.

Kjo foto e shpërndarë nga Kryeministri Rama në albumin e një mori fotosh të tjera, nuk ka të bëjë fare me gripin spanjoll.

Kjo foto e dy grave që kanë në fytyre maska gazi dhe që shtyjnë një karroce fëmijësh, sipas verifikuesve të fakteve është bërë në vitin 1941, pra 23 vjet pas gripit spanjoll. Fotoja është gjetur në arkivin e “Getty Images” me titullin “Testi i gazit” dhe me mbishkrimin “9 qershor 1941: Një nënë e re me maskë gazi merr pjesë në maskën e gazit të karrocës së fëmijës së saj gjatë një testi të papritur të gazit në Kingston”.

Kjo foto e dy grave që mbanin maska transparente në formë koni është shkrepur në 1939 në Montreal Kanada. Ky imazh është gjetur në “flickr” (hapësirë online ku mund të postosh dhe shpërndash foto) dhe sipas përshkrimit në gjuhën holandeze, gratë kanë veshur mbrojtëse plastike të fytyrës si një mburojë kundër stuhive të dëborës.

Ndërsa fotoja e dy grave që ecin me shallin e vendosur në fytyrat e tyre i përket vitit 1913, e gjetur nga verifikuesit e fakteve në arkivin e ‘alamy(hapësirë e dedikuar fotove online) Në përshkrimin e fotos thuhet: “Ky imazh mund të ketë pa përsosmëri, pasi është ose historike ose reportazh. Moda e zonjave nga vitit 1913. Modat e reja të shajeve, bazuar në shajet turke të hundës”. Atributet e fotos i takojnë Sueddeutsche Zeitung (gazetë gjermane).

Përshkrimi i fotos në gjermanisht përkthehet në: “Lufta në Ballkan (një rajon në Evropë) ka krijuar një modë të re te veçantë. Gratë kanë veshur shallin e hundës që është përdorur në Turqi për shekuj me radhë”.

Kjo foto i përket vitit 1953 në Filadelfia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky imazh është gjetur nga kontrolluesit e fakteve në arkivën e disa faqe në internet me mbishkrimin: ”Pelerinat e gazit të tepërt të luftës përdoren nga Mariel Bush majstas dhe Ruth Neuer, në një përpjekje për të shmangur efektet mjegulluese të një smogu dhe tymi i cili mbështolli Filadelfian për ditën e dytë rresht, më 20 nëntor të vitit 1953. (foto AP).

“Institucionalizimi i lajmit të rremë për të kontrolluar turmën”

Situata e pandemisë me të cilën po përballemi ka sjellë gjithnjë e më shumë nevojën për të kontrolluar gjithnjë e më tepër informacionin që shpërndahet, me qëllim eliminimin e të dhënave të rreme që nxisin apo formojnë panik te qytetarët.

Ndërsa në Shqipëri po i mëshohet shumë nga ana e qeverisë kontrolli i mediave online përmes dy projektligjeve të propozuara nën ombrellën e “paketës anti-shpifje‘ , sërish vetë qeveria ka renë pre e informacioneve të rreme, duke shërbyer edhe si shpërndarëse e tyre.

Më herët, më 21 mars 2020, në kohën kur Shqipëria ishte në karantinë dhe thirrjet për të qëndruar brenda ishin shtuar nga të gjitha institucionet, Kryeministri Rama postoi një video ku forca policore ushtrojnë dhunë mbi qytetarët. Referuar postit të Kryeministrit, ngjarja ka ndodhur në Spanjë dhe tregon masat që policia ka marrë ndaj personave që shkelin rregullat anti-covid.

Në fakt videoja nuk i përkiste situatës në Spanjë, por ishte një realitet tjetër, pikërisht në Algjeri, ku protestohej kundër regjimit autoritar të ish-presidentit Abdelaziz Bouteflika, demostata të cilat u ndaluan për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Megjithëse kryeministri Rama u vu në dijeni të informacionin të rremë të kishte shpërndarë, ai nuk e hoqi atë (vetëm vendin Spanjën), duke theksuar se i qëndron realitetit, dhe se nuk do të ketë tolerancë nga forcat policore në rast se shkelen rregullat.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu