Gratë naftëtare të uzinës së Ballshit ndodhen sot në ditën e shtatë të grevës së urisë, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore vjen duke u përkeqësuar.

Dy prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore një ditë më herët, teksa janë rikthyer sërish në grevë. Bashkë me grevën e urisë së nisur nga 10 naftëtarët më 28 shtator, punonjësit e uzinës kanë mbyllur sot ditën e 24 të grevës, pa pasur akoma një përgjigje apo një zgjidhje për problematikat e tyre.

Dy ditë më parë, më 19 tetor, kryeministri Rama përmes një postimi në Twitter u kërkoi naftëtarëve të ndërpresin grevën, pasi ishte e panevojshme dhe i ftoi të ulen dhe të bisedojnë.

Ai ka përsëritur sërish thirrjen e tij për të dalë nga greva ditën e sotme, duke e konsideruar si një hall të përbashkët, që nuk është shkaktuar nga qeveria, por me vullnetin e saj për ta zgjidhur.

Megjithatë, naftëtaret janë shprehur të bindura se do ta vazhdojnë grevën dhe se mirëpresin bisedimet me kryeministrin për të arritur kushtet, por pa braktisur grevën.

Ndërkombëtarët në mbështetje të naftëtarëve 

Rrjeti i Avokatëve Ndërkombëtarë në Mbështetje të Punëtorëve përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Rama dhe presidentit Meta kane kërkuar nga krerët e shtetit nxitjen e kompanisë private për të zbatuar urdhrin e Gjykatës për dhënien e pagave të prapambetura.

“Ne ju shkruajmë për të nxitur qeverinë e Shqipërisë të sigurojë që AMRO të respektojë urdhrin e Shtatorit 2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky urdhër e drejton AMRO-n që të paguajë detyrimet e prapambetura të pagave për 505 punëtorë në rafinerinë e naftës në Ballsh. Në kohën kur ishte lëshuar, secili punëtor duhej të merrte afërsisht 11.000 dollarë, ndërsa asnjëra prej tyre nuk ishte paguar”,-citohet në letër.

Dy ditë më parë, në mbështetje të naftëtarëve u vendos edhe Federata Amerikane e Punës dhe Kongresi i Organizatave Industriale, të cilët përmes një e-maili nisur kryeministrit Rama kanë ngritur shqetësimin e tyre mbi këtë çështje.

“Punëtorët kanë marrë premtime, por jo zgjidhje. Anëtarët e unionit janë të angazhuar në punë thelbësore që mbështesin nevojat energjetike të Shqipërisë dhe meritojnë të kompensohen në mënyrë të drejtë. Unë kërkoj që zyra juaj të vazhdojë të angazhohet me menaxhimin e rafinerisë dhe TUFIWA dhe që të gjendet një zgjidhje e shpejtë që do të sigurojë pagesa për të gjitha pagat që u detyrohen këtyre punëtorëve”,-thuhet në letrën drejtuar kryeministrit Rama.

Me të njëjtën thirrje, atë të zbatimit të vendimit të gjykatës për rikthimin e pagave të punëtorëve, Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar i është drejtuar sot me një letër publike Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë si dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve diplomatike në Shqipëri.

Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar i është drejtuar nëpërmjet një letre Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO),…

Posted by Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar on Wednesday, 21 October 2020

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu