Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Debatet televizive në Shqipëri përjashtojnë zërat e grave, asnjë i ftuar nga komunitetet vulnerabël

Një vëzhgim i detajuar i tre emisioneve më të ndjekura në Shqipëri për një periudhë pesë mujore, kryer nga organizata “Pro LGBT”, tregon një disbalancë të theksuar gjinore në pjesëmarrje dhe mungesë të plotë të përfaqësimit të komuniteteve të margjinalizuara në Shqipëri.

Konkretisht, përgjatë periudhës mars-korrik 2020, janë shqyrtuar 109 emisione në total, transmetuar në televizionet Top Channel, Ora News dhe TV Klan. Emisionet e marra në studim janë: “Opinion”, “306 gradë” dhe “Open”.

Gjetjet kryesore lidhur me pjesëmarrjen gjinore, tregojnë një mbizotërim të prezencës së burrave krahas grave, ndërkohë që tematikat e trajtuara gjatë programit kanë një orientim sipas stereotipeve gjinore; burrat pyeten rreth temave të konsideruara “të rënda”, ndërkohë që gratë flasin më shumë për artin dhe kulturën.

Gjetje të tjera:
  • Në 109 emisione, kanë qenë pjesëmarrës 665 burra (73% e të ftuarve) dhe 247 gra (27% e të ftuarve)
  • 14 prej këtyre emisioneve kanë pasur në titull emrin e një burri, ndërsa vetëm një emison ka pasur në titull emrin e një gruaje
  • Pyetjet ndaj burrave orientohen kryesisht drejt profesionit apo përvojave të punës ndërsa pyetjet ndaj grave janë të orientuara drejt roleve gjinore, si të qenit mama, bashkëshorte
  • Për të ftuarit burra në emision përdoret termi “ekspert”, ndërsa për të ftuarat gra “specialiste”

Disbalanca gjinore është më e dukshme te emisionet “Open” dhe “360 gradë”, krahasuar me “Opinion”, edhe për arsyen se dy të parat pretendojnë se trajtojnë tematika të politikës dhe aktualitetit, shkruhet në raport.

Emiljano Kaziaj, studiues i medias, i cili ka kryer po ashtu këtë monitorim, tregon se gjetjet janë problematike.

Gjetjet e këtij studimi janë tejet problematike për sa i përket realiteteve te grave dhe vajzave në Shqipëri, për pjesëmarrjen e tyre ne jetën dhe debatet publike dhe paraqitjen e perspektivave te tyre mbi gjithçka që ndodh në vendin tonë”, – thotë ai për Citizens Channel, teksa pohon se mbizotërimi i njërës palë dikton dhe vendimmarrjen – “Fakti që në terma sasiorë pjesëmarrja e burrave është 3-fish më e lartë, tregon për një dominim të zërave të tyre në vendimmarrje dhe në formimin e opinionit publik”.

Megi Reçi, nga organizata “Civil Rights Defenders”, artikulon se ndasia e tematikave që lëvrojnë gratë dhe burrat, por edhe dominanca në pjesëmarrje, në hapësirë kohore gjatë fjalës së dhënë në emision, sjell përforcim të mendimeve seksiste në shoqëri.

Megi Reçi, juriste dhe përfaqësuese e Civil Rights Defenders në Shqipëri

Duke i përfshirë gratë dhe vajzat qëllimisht vetëm në zhanre specifike të televizionit, duke i përfshirë ndjeshëm më pak se burrat, duke i penguar të flasin, duke u ndërprerë fjalën etj., forcohen perceptimet mbi ndarjen e roleve gjinore apo normalizohen stereotipet seksiste”, – artikulon Reçi për Citizens Channel.

Asnjë përfaqësuesi i komunitetit rom dhe egjiptian përgjatë periudhës pesë mujore

Monitorimi i tre emisioneve më të ndjekura në Shqipëri përgjatë pesë muajve të fundit nxjerr në pah se asnjë individ i cili identifikohet si anëtar i komunitetit rom dhe egjiptian nuk ka qenë i pranishëm.

Ola Tare, përfaqësuese e qendrës Treja, tregon se përjashtimi i këtyre komuniteteve nga hapësirat mediatike dhe tematikat e trajtuara në to, bën që të rritet stigmatizimi dhe të thellohen ndasitë shoqërore.

Konsiderohet shumë i rëndësishëm roli i medias në prezantimin e modeleve pozitive të këtyre komuniteteve për thyerjen e paragjykimeve dhe stereotipeve por ende nuk ka një hapësirë për të treguar realisht vlerat dhe kontributin e tyre në shoqëri. Në këtë rast dhe shoqëria bëhet edhe më përjashtuese duke thelluar më shumë ndarjen dhe jo bashkëjetesën dhe diversitetin”, – pohon ajo për Citizens Channel.

Një tjetër aspekt negativ, vijon më tej Tare, është portretizimi i gabuar i këtyre dy komuniteteve në hapësirën e pakët mediatike që ju jepet.

Ola Tare, përfaqësuese e Qendrës Treja

Komuniteti Rom dhe egjiptian përgjithësisht e ka shumë të kufizuar kohën që ju kushtohet në media. Ajo hapësire është më së shumti e fokusuar ne përcjelljen e mesazheve të gabuara, që përforcojnë më shumë stereotipet. Për shembull nxjerrin më shume në pah festat, muzikën dhe jo problemet reale më të cilat përballen këto pakica”.

Të njëjtin qëndrim ndan Emiljano Kaziaj. Përjashtimi mediatik, thekson ai,  çon në mosadresimin e problemeve me të cilat komunitetet e margjinalizuara dhe gratë haset në përditshmëri.

Kjo mungese përfaqësimi e grave dhe anëtareve të minoritetit, ka koston e saj në mostrajtimin e çështjeve që janë me interes për këto kategori dhe në moskonsiderimin e perspektivave te tyre për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ato hasen, përditë”.

Asnjë anëtar i komunitetit LGBTI+ në tre emisionet më të ndjekura

Komuniti LGBTI+ (Lesbike, Gej, Biseksuale, Transgjinore, Interseks) nuk ka pasur asnjë përfaqësues të ftuar në emisionet “Opinion”, “360 gradë” dhe “Open” përgjatë muajve mars-korrik 2020.

Kevin Jasini, redaktor pranë portalit “Historia ime”, pohon se mospërfshirja e këtij komuniteti është reflektim i perceptimin shoqëror.

Shifrat janë tregues i qartë i perceptimeve që dhe media, njëjtë si shoqëria ne përgjithësi, ka për komunitetet e margjinalizuara në vend. Ato konsiderohen si qytetarë të dorës së dyte dhe mendimi i tyre nuk ka të njëjtën peshë e rëndësi që mund të ketë mendimi i analistëve të zakonshëm në media”.

Kevin Jasini, redaktor pranë portalit “Historia ime”,

Mungesa e dukshmërisë në media ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në perceptimin që anëtarët e komunitetit LGBTI+ kanë për veten por edhe në perceptimin shoqëror.

Mospërfaqësimi i individëve LGBTI+ në media, krijon perceptimin e gabuar se ky komunitet është thuajse inekzistent, duke ndikuar drejtpërdrejtë në perceptimet që individët LGBTI+ kanë për veten dhe ato që shoqëria ka mbi këtë komunitet”.

Megi Reçi shton se padukshmëria në media çon madje dhe në harresën e tyre si qytetarë të një shteti.

Mungesa e përfaqësimit të grupeve të margjinalizuara në emisione prime time, ashtu si në fusha të tjera, ndikon negativisht në perceptimin e tyre si jo të aftë mjaftueshëm apo edhe me keq, harresën e tyre”.

Një tjetër shqetësim lidhet me raportimin jo-etik, çka çon në rritjen e diskriminimit.

Mungesa e zërave nga vetë komuniteti dhe mos-ekzistenca e lajmeve me fokus LGBTI+, lajme pozitive dhe që trajtohen duke ndjekur standardet e kodit etik të gazetarit, rrisin diskriminimin ndaj LGBTI+, favorizojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminuese ndaj këtij komuniteti dhe përkeqësojnë situatën e përgjithshme të garantimit të të drejtave të barabarta për individët e këtij komuniteti”, – përmbyll Kevin Jasini.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *