Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkodër: Pasuritë ujore të riskuara nga ndotja

Autore: Anila Dushi | Citizens Channel | Shkodër

Shkodra konsiderohet si një qytetet e pasura me resurse ujore të cilat përfshijnë tre lumenjtë Drin, Buna dhe Kir, liqenin dhe daljen në det. Por kjo pasuri natyrore ka rënë pre e dëmtimeve të vazhdueshme, ndërsa rigjenerimi duket ende larg pasi kërkon kohë dhe projekte të mëdha.

Dëmtimet mjedisore, ndotja nga faktori njerëzor ka bërë që pjesë të kësaj pasurie të mos jenë në shërbim të mjedisit, turizmit dhe komunitetit. Derdhja e ujërave të zeza  në lumin Buna e që andej në liqenin e Shkodrës, hedhja e mberturinave dhe gërryerja e shtratit të lumenjve, janë problem shqetësues për qytetarët që prej vitesh presin riaftësimin e mjedisit të ndotur dhe kthimin e tij në dobi të komunitetit.

Ndotja e pasurisë ujore të Shkodrës shihet qartë ndërsa specialistë të mjedisit, por dhe drejtues institucionesh rendisin shkaqet e kësaj situate prezente prej vitesh.

“Janë disa faktorë që ndotin ujërat e Shkodrës. Liqeni mbledh të gjitha mbeturinat e Alpeve që përmes përrenjve përfundojnë në basenin Drin-Bunë e që andej në liqen. Po kështu, mbeturinat inerte, ujërat e zeza që derdhen në lumin Buna e më pas shkojnë në liqen, gropat septike, mbetjet urbane, pesticidet që përdoren në arat bujqësore pranë lumenjve, ndikojnë negativisht në mjedisin ujor të Shkodrës, kjo pasi pesticidet përmes ujërave nëntokësore depërtojnë dhe ndotin ujin”,- shprehet Agim Dardha, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM), Shkodër.

Agim Dardha, ADZM Shkodër

Ai shton se dhe varkat e peshkimit me motor, ndikojnë negativisht duke shtuar ndotjen.

Për Klodian Kovaçin, ish-drejtues i drejtorisë së mjedisit në Shkodër dhe tashmë specialist mjedisi në Tiranë, proçeset si derdhja e ujërave të zeza në lumin Buna, ndërhyrjet në brigjet e lumenjve Drin, Bunë e Kir duke marrë inerte, hedhja e mbeturinave urbane në liqen apo lumenj, kanë bërë që ndotja e tyre të jetë e lartë.

Klodian Kovaçi

Aurora Zylja, specialiste mjedisi, shton se ndotja e pasurisë ujore në Shkodër ndikohet dhe nga hedhja e mbeturinave urbane në brigjet e lumenjve pasi në zonat rurale pastrimi i tyre lë për të dëshiruar. Ndërgjegjësimi i qytetarëve është në shkallë të ulët. Drenazhimi e shpërlarja e tokave mungon dhe pesticidet që përdoren për kulturat bujqësore të mbjella në tokë, përmes ujërave nëntokësorë ndot lumenjtë.

“Lidhur me ujërat e zeza është ngritur një impiant në Shkodër dhe një në Shirokë dhe një pjesë të Zogajve, lagjet pranë liqenit, por nuk është i mjaftueshëm. Liqeni është monument natyror dhe zonë e mbrojtur.

Aurora Zylja, specialiste mjedisi

Ujërat e zeza nuk derdhen vetë në lumin Buna por edhe në pjesën lindore të liqenit në territorin e Malësisë së Madhe,  ku pylli i Sheganit është monument natyror dhe ka kategori tjetër mbrojtjeje. Toka në pjesën lindore të liqenit ka pesticide dhe vetë relievi ndikon në kalimin e tyre në liqen. Po kështu Përroi i Thatë i mbledh mbeturinat dhe i shkarkon në liqen. Një tjetër faktor negativ në ndotjen e pasurisë ujore të Shkodrës janë dhe varkat e peshkimit me motor. Janë 400 të tilla në liqen që ndikojnë në ndotjen e ujit me karburant. Kombinati i aluminit në Mal të Zi, edhe pse aktualisht nuk punon, është ndotësi kimik më i madh i liqenit. Por në liqen ka dhe mjaft ndotje plastike, shto pastaj dhe ngushtimin e shtratit të lumenjve”. – shprehet specialistja Aurora Zylja.

Mirsad Basha, aktivist në mbrojtje të mjedisit shton se faktorë ndotës të pasurisë ujore të Shkodrës janë dhe bizneset, kryesisht lokalet e ndërtuara në brigjet e lumenjve e liqenit që ujërat e zeza, por dhe mbeturinat urbane i hedhin në ujë.

Mirsad Basha, aktivist për mjedisin

Aurora Dibra, specialiste mjedisi që drejton komisionin përkatës në Këshillin Bashkiak Shkodër shprehet se ka pasur vazhdimisht relacione për mjedisin dhe ndotjen e ujërave.

”Problematik është impianti i ujërave të zeza për të cilin është bërë një studim fizibiliteti ndërsa ndërtimi i tij kërkon vlerë të madhe monetare. Aktualisht ujërat e zeza filtrohen dhe impianti i Shirokës është në punë. Impianti duhet të ketë shtrirje të madhe dhe vaskat të ndërtohen në zona që nuk dëmtojnë biodiversitetin.

Hedhja e mbeturinave, grumbullimi jo funksional në zonat periferike, ndikon negativisht. Gërryerja e shtrateve të lumenjve dhe pse ndalohet me ligj, vazhdon dhe në aspektin ekologjik dëmton, duke degraduar brigjet dhe shkaktuar erozion e më pas përmbytje, pasi pengohet rrjedhja natyrale e ujërave. Dhe urbanizimi i brigjeve të lumenjve dhe liqenit në zonën e Livadheve ka ndikuar negativisht”, -thotë Dibra.

Aurora Dibra

Të gjithë specialistët e mjedisit apo drejtuesit e institucioneve mjedisore në Shkodër shprehen se zgjidhja e kësaj problematike duhet bërë sa më parë. Marrja e masave për minimizimin e faktorëve ndotës, mos lejimi i gërryerjes së shtrateve të lumenjve dhe hedhjes së mbeturinave inerte e urbane në to, pastrimi i vazhdueshëm i tyre, thellimi i lumit Buna dhe pastrimi i liqenit në thellësi, ndërtimi i një impianti të fuqishëm për pastrimin e ujërave të zeza, shihen si rrugët e shpëtimit të pasurisë ujore të madhe të Shkodrës.

Lidhur me problematikat e shumta në ndotjen e ujërave në Shkodër, Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Shkodër, për të kuptuar masat e marra në nivel insitutcional për parandalimin dhe zgjidhjen e tyre.

Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, u shpreh për Citizens Channel se pritet të ndërtohet një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe asaj zviceriane.

“Është përcaktuar afërsisht 9.5 milion Euro pa TVSH, për transmetimin kryesor në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura (WWTP), rehabilitimi i stacionit të pompimit, ndërtimi i një impianti biologjik për trajtimin e ujërave të ndotura.

Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër

Kostot e mësipërme të investimit për projektin shërbimet e konsulencës mund të financohen nga një kredi zhvillimi në kushte të favorshme së bashku me fondet e granteve të dhëna nga EU IPA 2018, qeveria gjermane e zvicerane. Aktualisht po përgatitet projekti teknik i zbatimit të impiantit për tu tenderuar me pas nga KFW për zbatim.Bashkia Shkodër ka filluar proceduren për shpronësimin e terrenit.Vendodhja do të jetë në fshatin Zues”, -përfundon Ademi.

Proçedura e shpronësimeve për ndërtimin e impiantit akoma nuk ka përfunduar.

Specialistët e mjedisit shprehen se zbatimi i plotë i këtij programi – për të cilin ata janë skeptikë – do ndikojë pozitivisht, por nuk do e zgjidhë plotësisht problemin. Aktualisht dhe pse u tha se do niste puna në vitin 2020 kjo nuk ka ndodhur pasi dhe pandemia e situata COVID 19 ka ndikuar në ngadalësimin e proçedurave.

Në këtë situatë, ndërhyrjet për përmirësim janë pozitive, por zgjidhja përfundimtare duket larg jo vetëm se kërkon shumë fonde dhe kohë, por dhe se janë disa faktorë që duhet të merren parasysh dhe të alternohen për të patur një zgjidhje të qëndrueshme“,- shprehet një prej ekspertëve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *