Aktivistë dhe banorë të zonës u organizuan të shtunën në një protestë simbolike në Zall Gjoçaj, Mat ku prej disa muajsh vijojnë punimet për hidrocentralet “Sekë” dhe “Zajs” në lumin Flim dhe Urakë. Organizimi vjen disa muaj pas pandemisë, ku u ndaluan me ligj grumbullimi dhe tubimet.

Aktivistët në mbrojtje të lumenjve/ Foto: Entenela Ndrevataj

Rrugët e krijuara së fundmi nga kompania “Seka Hydropower” për të kaluar makineritë, janë mbushur tërësisht me tubacione, të cilat sipas aktivistëve do të fusin në të mbi 90% të rrjedhës ujore, që për banorët shërben si ujë i pijshëm, për vaditje dhe për bagëtinë.

Shumë prej pemëve janë shkulur, ndërkohë që inerte dhe gurë vazhdimisht rrokullisen në lum, duke e ndotur dhe ngushtuar rrjedhën natyrale të lumit. Diga në fshatin Zall Gjoçaj, zonë e shpallur Park Kombëtar i kategorisë së dytë në vitin 1996, tashmë bashkuar me Lurën, për të formuar parkun “Lurë-Mali i Dejës” është drejt përfundimit.

Unë e dua këtë vend. Unë këtu u linda dhe u rrita, me këtë ujë… Është një gjenocid, është një masakër”,- shprehet Dhimitër Koleci, aktivisti nga fshati Melth i Zall-Gjoçaj.

Në moshën 19-vjeçare ai është larguar nga Shqipëria dhe ka jetuar në Greqi. Prej disa vitesh Koleci është kthyer në Shqipëri, për të investuar në vendlindje.

Erdha me shpresë që ky ujë do të ishte prapë këtu, me shpresë që të vinim në vendlindje me pushime, që fëmijët ta kenë këtë pasuri, ta kenë këtë bukuri, brezat që vijnë të mos detyrohen me ik. Vajza ka vazhdu gjermanisht, do më largohet”, – thotë ai për Citizens Channel.

Dhimitër Koleci, protestues

Pjesëmarrës ishin dhe banorë të zonës. Abdi Toçi, bletërritës, banues në fshatin Urxallë, Mat, prej dy vitesh proteston në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht moshës së thyer. Toçi tregon se pasioni i tij është bleta, por nuk do mund ta rrisë atë pa ujë.

Nuk ka bletërritës në botë që e rrit bletën pa ujë, nuk ka bari në botë që e rrit bagëtinë pa ujë. Edhe mizat e tokës kërkojnë ujë. Edhe pylli kërkon ujë. Këta e fusin në tuba. E mata përpara unë, një metër e gjys tubi i gjerë. Ku shkon gjithë ai ujë mor? Po këto po na vrasin ore”, – pohon Abdi Toçi, teksa shpjegon se ligji i mbron parqet kombëtare, pasi në të jetojnë gjallesa të ndryshme.

Abdi Toçi, banues në fshatin Urxallë, Mat

Park Kombëtar quhet për shembull se edhe një gjethe s’duhet ta heqësh në të. Këta e shkulin ahun me  gjithë rrënjë, shihe, shihe ça masakre kanë ba. Edhe një gjethe s’mund ta heqësh. Në nuk njohim të drejtat e njeriut, ne nuk njohim të drejtat e kafshëve, ne nuk njohim të drejtat e shpendëve, ne nuk njohim të  drejtat e mizave të tokës. Krejt kanë të drejta”.

Përfundimi i punimeve ka shkaktuar shumë shqetësim tek banorët. Hasan Pasha tregon se po e përjeton me shumë dhimbje të gjithë situatën. Ai është kujdestar i disa bagëtive, ndërkohë që ka edhe një bahçe të cilën e vadit me ujin e këtyre lumenjve.

Unë po e kaloj me shumë dhimbje. Atë ditë që të thahet lumi në të dyja anët, ma mirë të më marrë zoti ma para, me ik prej këtej, prej faqes së dheut se ky vend bahet shkretinë. Ne jemi 2500 metra në Parkun Kombëtar, jemi fut në Parkun Kombëtar ku asht ba diga, ka fillu diga. Në qoftë se këto dy lumenj do të futen nëpër tuba, siç asht ba projekti, nuk ka jetë ma”.

Hasan Pasha, banor i Matit

Pasha e vë theksin te masat qeveritare në lidhje me Covid-19. Sipas tij, këto masa nuk kanë prekur firmën ndërtuese.

Poshtërsia ma e madhe këtu asht e këtij pushteti që thotë koronavirus. Koronavirus thotë në Tiranë, maskat, krejt maskat. Po këtu, huliganët? Po huliganët që punojnë në çdo vend?!”, – ngre pyetjen ai.

Lëndë shpërthyese për të futur tubacionet, pa u marrë asnjë masë mbrojtëse

Teksa banorët dhe aktivistët ishin nisur për të shkuar në fshatin Zall Gjoçaj ku është ngritur diga, ata u hasën në punëtorë të firmës, të cilët kishin vendosur materialet shpërthyese në tokë, si mënyrë për të futur tubacionet ku do të kalojë uji.

Aktivistët nuk ishin në dijeni, pasi mungonin tabelat informuese dhe paralajmëruese për procesin në fjalë. Disa prej tyre shkelën në sipërfaqen ku ishin vendosur lëndët plasëse, derisa punëtorë të firmës i informuan ata se zona përmbante rrezik.

Dhimitër Koleci tregon se ky veprim po bëhet në një zonë të banuar, pa asnjë masë sigurie dhe në një ditë ku shumë nga banorët e larguar kthehen në vendlindje dhe festojnë një festë pagane të quajtur “Të shumët”.

Është një festë pagane nesër, që sot vijnë njerëzit lart në këtë zonë.  Dhe pikërisht në këtë ditë, në këtë festë, në  zonën e banuar, brenda fshatit, 30 metra nga shtëpitë, bëjnë shpërthime me dinamit, shpërthim elektrik në seri, pa asnjë paralajmërim. Në vajtëm sipër minave, aty do bëhej shpërthimi, brenda fshatit”, – shpjegon ai teksa rrëfen se kjo festë është tradicionale e zonës.

“‘Të shumtët’ është një festë e vjeshtës, që mblidhen prodhimet që kanë banorët  dhe i magazinojnë për dimër. Është një festë pagane që festohet në shekuj në fshatin poshtë, në Melth, te shtëpia ime. Po vjen edhe babai im sot lart, që është shumë i sëmurë, edhe mamaja, edhe fëmijët e mi, se është festë. Ata në ditën e festës, që gjithë fshati janë mbledh kanë ardh aty dhe po vijnë njerëz me makina akoma lart, ata kanë bërë shpërthime elektrike brenda fshatit, pa asnjë paralajmërim”, përfundon ai.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu