Lulzime Sulka | Punim grafik: Xhemali Moku

Një aksident i vitit 1998 do të ndryshonte tërësisht rrjedhën e jetës së Lulzime Sulkas, teknologe në rafinerinë e Ballshit, e cila ndodhet sot në ditën e 16-të të grevës së urisë.

Një shpërthim i sodës, gjatë procesit të punës, bëri që Lulzimja të humbiste tërësisht shikimin me njërin sy. Në atë kohë, ajo ishte vetëm 32 vjeç ndërsa sot është 53.

E kam filluar punën në vitin 1985, kam 35 vite punë. Punoja teknologe atje, vështirësitë dihen. Gjatë punës, kam humbur dhe një sy, në një aksident. Shpërtheu soda dhe një sy e kam të dëmtuar, nuk shikoj”.

Asaj iu deshën 10 milion lekë (të vjetra) për të bërë operacion në Rusi, në mënyrë që dëmtimi i syrit të mos përparonte. 400 mijë lekë ishte ndihma që iu dha nga reparti i rafinerisë, ndërkohë që tre milion i kishte kursime. Pjesa tjetër e shumës u sigurua përmes borxhit.

Unë kam vajtur në Rusi, se syri im atëherë u bë komplet i bardhë, me lekët e mia. Operacioni më bëri 10 milion lekë, unë kam marrë vetëm 400 mijë lekë në repart, ne vitin 1998. Në atë kohë që leku ishte lum kur i thonë, atje kur duhej nuk e jepnin. Drejtor ka qenë ky që është sot deputet i zonës, Ismet Beqiri”, – rrëfen për Citizens Channel.

Me lot në sy ajo kujton se djali i saj ishte i mitur kur Lulzimes i ndodhi aksidenti.

Ishte shumë e vështirë. Pasi vajta në Tiranë bëra ndërhyrjet e djegies dhe dola. Djali ishte tetë vjeç dhe për mua është një kujtim shumë i dhimbshëm, se ai më mbante përdore dhe më thoshte: ‘Mami, kujdes nga makinat’”.

Aksidenti i bë shkas që ajo të ndërronte pozicionin e punës, çka nënkuptoi dhe ulje page. Kthimi në punë ishte alternativa më e mirë për Lulzimen, pasi marrja e një KEMP-i me vlerë 100 mijë lekë (të vjetra), nuk i dilte për gjë.

U ktheva, me 100 mije lekë KEMP unë nuk mund të jetoja. Kështu që isha e detyruar të filloja prapë punën. Bëra një punë tjetër se nuk lejohej më ne atë punë, më kaluan pompiste”.

Për familjarët dhe njerëzit e saj të dashur, nuk ishte e lehtë të pranonin përfshirjen në një grevë urie, por e kanë respektuar vendimin e saj. Lulzime Sulka shprehet se ka lënë një pjesë nga trupi i saj aty në uzinë, e tashmë ajo kërkon të marrë mbrapsht mundin e saj.

Edhe familja apo njerëzit thonin: ‘Pse futesh ti, je me një sy, ke probleme’. U thashë: ‘Jo, unë do marr gjakun tim. Se një pjesë të trupit e kam lenë, po unë do vazhdoj të marr gjakun tim, rrogat’”.

Një ditë ideale për Lulzimen…

Jemi jashtë dhomës ku po zhvillohet greva e urisë. Përballë godinës qëndrojnë burra naftëtarë dhe gazetarë, që hyjnë e dalin, papushim.

E pyetur se si do ta përkufizonte një ditë ideale, Lulzimja përgjigjet pa hezituar; dita perfekte për të është dita që ajo do të ketë punë.

Ideale do të ishte që ne shteti të na paguante sigurimet shoqërore, të na jepte rrogat e prapambetura. Puna të rifillonte, të vazhdonte jeta”.

Fill pas saj, ajo kujton si ka qenë uzina në vitet e mëhershme. Toni i zërit të saj ndryshon dhe lehtas mund të vëresh nostalgji që lidhet direkt me uzinën dhe funksionalitetin e plotë të saj.

E di si ka qenë kjo uzine? Gumëzhinte, të tërë punonim. Sidomos në vitet 1985-1986, këtu ka qenë kantier, u prodhuan edhe vajra. Nuk ka gjë më të bukur! 18-19 vjeç ishim në atë kohë, ishim të tërë rini, ziente puna. Të tërë ishim të kënaqur, se punoje, luftonim të tërë”, – rrëfen Lulzimja për Citizens Channel.

Disa ditë më parë, tek hynë brenda repartit të cilit i janë dedikuar gjatë gjithë jetës, ajo shprehet se përjetoi një ndjenjë të thellë keqardhjeje për mënyrën si ajo hapësirë është katandisur sot.

Na vinte keq kur shikonim repartet të mbuluara nga bari. Ne i mirëmbanim ato, i pastronim, i lyenim. Çdo gjë mbahej perfekt. Unë merrja një hinke nga shtëpia, një nga ato të shampos, që t’i hidhja vaj pompës. E bëja punën më të mirë, për veten time. Vërtetë merrja atë kënaqësinë e punës”.

Në moshën 18 vjeçare, Luzime Sulka shkeli për herë të parë në rafinerinë e Ballshit, për të kryer praktikat shkollore. Punësimi i saj erdhi menjëherë pas mbarimit të shkollës.

Është e dhimbshme. Ne jemi rritur me këtë uzinë. Unë në vitin 1981 kam qenë në vit të parë për përpunim nafte dhe kam shkelur në këtë uzinë, bënim praktikë dy herë në vit dhe kur i  thonë, si të reja, mësonim të tëra repartet dhe e kishim me shumë dëshirë, me shumë pasion”.

35 vite më vonë, ajo e gjen veten duke numëruar rrogat e pamarra dhe një listë të gjatë borxhesh.

Kemi marrë prej njerëzve tanë borxh. Një shoqe ka marrë kredi, një ka lista. Po unë e kam më mirë të marr nga njerëzit e mi, t’u marr dy vetave, tre vetave”, – thotë Lulzime Sulka.

Nga ana tjetër, ndërprerja e punës ka çuar dhe në tjetërsimin e rutinës, duke e rënduar fizikisht dhe emocionalisht.

Jemi mësuar edhe ne me punën. Sesi na duket të jesh shtëpiake në një kohë që ke vite që punon. Dhe të mbyllesh në atë guaskën… Ne kur dalim, na është bërë si rutine, paradite, pasdite, një shëtitje për ajër, për trup dhe kthehesh prapë. I njëjti ritëm. Kjo nuk është jeta. Si gjendje ekonomike dhe shpirtërore”.

Naftëtaret nuk duan dialog

Puna është e vështirë, mos u tallni me këta naftëtarë. Gjaku jonë është me fenolë, trashje gjaku. Ne nuk jemi në kolltuk aty, jemi në një ambient gazi, CO2”, – thotë më tej Lulzimja, e cila nuk dëshiron dialog, por zgjidhje të problemit që vazhdon prej vitesh.

Ai mos të vijë këtu. [Kryeministri Rama] ta mbledhë qeverinë, të bëhet një VKM, të vendosë për ne. Thotë Bejtja pse rrini ju një vit pa punë? Po më jep ti mua një zgjidhje? Në duam zgjidhje të problemit, zgjidhje të halleve tona!”.

Situata e përsëritur e vonesave të pagës, ka bërë që Lulzimja të jetë në vazhdimësi e angazhuar për të marrë çfarë i takon.

Unë jam gjyshe dhe kur ka lindur nipçja, e kam marrë vesh në protestë. Kam katër vjet e gjysmë që protestoj. Ti ça pret ti tashi? Kur do ta zgjidhësh këtë punë? Ai ka financat, ka ligjet, i ka të tëra. T’i zgjidhë!”, – përmbyll Lulzime Sulka.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu