Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrëfime nga naftëtaret, Zamira Xhafa, gruaja që rriti e vetme dy fëmijët e saj, sot 19 ditë në grevë

Grevistja Zamira Xhafa është nënë e dy fëmijëve. Bashkëshorti i vdiq në moshën 38-vjeçare, duke i lënë pas hidhërim të madh dhe përgjegjësi të dyfishtë për të rritur një djalë dhe një vajzë, sot në moshë madhore.

“Më la dy fëmijë të vegjël. U futa në punë, këtu në uzinë dhe jam me profesion pompiste. Atje, në atë punë kam bërë sakrificë, që kam ecur përpara, kam rritur fëmijët e mi”, – rrëfen Xhafa, teksa pohon se fëmijët mbeten shtysa kryesore për ta çuar përpara këtë grevë urie.

Sytë e saj tregojnë pak për dhimbjet që ka kaluar që në moshë të re, ndërsa qëndron e palëkundur në kërkesat për të marrë çfarë i takon. Gjithë çfarë ajo dëshiron dhe kërkon lidhet ngushtë me mirëqenien e vjazës dhe djalit të saj.

Nënat janë shumë guximtare për fëmijët e tyre, bëjnë çmos. Po të na realizohen të gjitha që ne kërkojmë do jetë një mrekulli! Do jetë vërtetë një mrekulli që edhe në t’u çojmë fëmijëve për të ngrënë”.

Edukimi i fëmijëve të saj ka qenë prioritet për Zamirën. Ajo tregon se për këtë nuk ka refuzuar asnjë punë, kurdo që ka qenë mundësia.

Punoja për shembull nëpër lokale, kur kishte dasma, veja atje, laja, pastroja. Pasi mbaroja punë këtu, punoja edhe atje”, – rrëfen ajo.

Vajza e saj, 21 vjeç, momentalisht ndjek studimet në Universitetin e Vlorës, ndërkohë që djali i saj 26 vjeç ka mbaruar shkollë profesionale për elektricist. Dëshira e Xhafaj ishte që e bija të shkollohej në Tiranë, por kjo nuk qe e mundur.

Për një vajzë që s’ka shumë ekonomi është shumë e vështirë që të jetojë në Tiranë dhe jam detyruar ta çoj në Vlorë. Edhe vajza e pa ekonominë dhe thoshte: ‘S’ka rëndësi ma, vetëm të më dalë shkolla’. Më ka ngelur shumë peng”.

Lekë borxh për të shkuar në protestë

Problemi i pagave të prapambetura ka qenë i vazhdueshëm në rafinerinë e Ballshit. Prej vitesh punëtorët janë organizuar në protesta dhe po aq shpesh janë ndërruar firmat private që kanë marrë në menaxhim rafinerinë.

Zamira nuk ka munguar në asnjë prej këtyre organizimeve. Ajo banon në Fier dhe i duhen 2 mijë lekë (të vjetra) për të ardhur në rafineri, ku janë zhvilluar protestat dhe po mbahet greva e urisë.

Shoqet dhe shokët që kanë qenë në grevë nuk i kam lënë, kam ardhur. Me lekë borxh por kam ardhur. I thosha djalit: ‘Ku do i gjejmë lekët sot, të keqen mami? Të keqen mami, gjeji tek ndonjë shok’. Ose shkonte punonte djali dhe me thoshte: ‘Na mami, se t’i gjeta lekët e rrugës’”.

Uji dhe dritat i janë prerë prej kohësh Zamirës dhe familjes së saj, ndërkohë që lista e borxheve vazhdon të zgjerohet në marketin e lagjes.

Kam marrë te marketi me të shkruajtur. E di ç’do me thënë të mos kesh bukë të hash? Turpi i zotit, skandal, për një Kryeministër që e le Shqipërinë në këtë gjendje”, – thekson ajo.

Në muajin mars të këtij viti, Zamira Xhafa u përball me një grip shumë të fortë, që nuk e kishte kaluar më parë. Në pamundësi për të blerë ilaçet, ajo u detyrua të shiste unazën që ia kishte blere djali, tregon ajo mes lotësh.

Nuk kisha lekë të merrja ilaçe, kam shitur unazën që ma kishte falur djali. Vajti, punoi jashtë shtetit dhe më bleu mua unazë. Dhe ajo më ka mbetur peng. Dhe për mua ajo ishte një kujtim që djali ma bleu dhe unë nuk e kam më tek gishti”.

Apeli i saj i vazhdueshëm është që institucionet të zgjidhin ngërçin e krijuar dhe të rifillojë puna.

Duam pagat që kemi fituat me gjyq dhe rihapjen e punës në uzinë, të jetë gjallëri për të gjithë”.

Vendimi për t’ju bashkuar grevës së urisë ishte i menjëhershëm, tregon Zamira, pavarësisht problemeve shëndetësore.

E mora këtë vendim me shoqet dhe thashë, nuk ka kthim mbrapa se s’kam çfarë humbas më. Do të shkoj atje në grevë dhe qëndroj pranë shoqeve. Nuk i lë në baltë, me ato jam futur dhe me shoqet do dal”, përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *