Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

21 ditë në grevë urie, dy gra naftëtare shtrohen në spital

Dy naftetare gra janë shtruar sot në spitalin e Fierit, si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore. Ato hynë në ditën e 21-të të grevës së urisë dhe qëndrojnë të palëkundura në kërkesat për shlyerjen e 13 pagave të fituara me gjyq dhe rifillimin e punës.

Sipas raportimeve të mediave lokale, dy naftëtaret e hospitalizuara po marrin mjekim dhe kanë pohuar se do t’i bashkohen sërish grevës, sapo gjendja shëndetësore të jetë stabilizuar.

Muret e godinës ku po zhvillohet greva janë mbushur me parulla lidhur me situatën në të cilën ndodhen ato.

“Gratë në grevë, shteti hesht”, “Shteti përgjegjës, jo heshtje!”, “Kam mall për fëmijët”, “Fëmijët flenë me barkun bosh”, janë disa prej parullave të shkruara.

Rrëfime nga naftëtaret, çfarë i shtyn ato të qëndrojnë në krye të protestës?

Merjeme Ferzaj ka mbaruar shkollën profesionale për përpunimin e naftës. Ajo mbart 35 vite punë mbi shpinë, në sektorin më të vështirë të asaj rafinerie ndërsa sot gjendet e pa punë dhe në vështirësi të mëdha ekonomike.

Problemet e shumta që kanë shoqëruar këtë rafineri prej vitesh kanë bërë që Ferzaj të marrë kredi për të arsimuar vajzën e saj të vetme, e cila momentalisht ka ndërprerë studimet, pasi nuk mund ta paguajnë atë.

Teksa Merjemja rrëfen procesin e punës, ajo shprehet se vazhdon ta dojë profesionin e saj por ndërprerja e vazhdueshme e punës, pasuar me ndërrime të shpeshta të kompanive dhe problemet me pagat kanë bërë që ajo të  punësohet në çfarëdo lloj sektori tjetër, si formë për të siguruar disa të ardhura më shumë.

Ferzaj pohon se nuk do të tërhiqet deri në zgjidhje të situatës. Jo vetëm çështje pagese, tërheqja nga greva e urisë nënkupton edhe ulje dinjiteti për naftëtarët.

Ne humbjen e kemi në xhep por mund të dalim me super humbje pastaj. Se ai na ul dinjitetin, do dalim me kokën ulur. Për çfarë ndenjëm ne kaq shumë?”.

Lulzime Sulka është një tjetër grua naftëtare e cila ndodhet sot në ditën e 21-të të grevës së urisë.

Dedikimi në këtë sektor i ka kushtuar asaj shumë. Në moshën 32 vjeçare, Lulzimja humbi pjesërisht shikimin, si pasojë e një aksidenti në punë.

E kam filluar punën në vitin 1985, kam 35 vite punë. Punoja teknologe atje, vështirësitë dihen. Gjatë punës, kam humbur dhe një sy, në një aksident. Shpërtheu soda dhe një sy e kam të dëmtuar, nuk shikoj”, – tha ajo për Citizens Channel pak ditë më parë.

Pas një operacioni në Rusi, me koston 10 milion lekë të vjetra, mbuluar nga vetë Sulka, ajo u rikthye sërish në rafineri, tashmë në një pozicion më të ulët, që u shoqërua dhe me ulje page.

E pyetur se si do ta përkufizonte një ditë ideale, Lulzime Sulka përgjigjet pa hezituar; dita perfekte për të është dita që ajo do të ketë punë.

Një tjetër greviste rrëfen se peripecitë në jetën e saj nuk kanë pasur të sosur. Zamira Xhafa, në moshë shumë të re, humbi bashkëshortin, duke i lënë pas hidhërim të madh dhe përgjegjësi të dyfishtë për të rritur një djalë dhe një vajzë, sot në moshë madhore.

Vajza e saj është 21 vjeç dhe vazhdon studimet në Universitetin e Vlorës, ndërsa djali, fëmija i madh, ka mbaruar shkollën profesionale për elektricist.

Dëshira e Zamirës ishte që vajza e saj të shkollohej në Tiranë, por problemet me pagesat në rafineri nuk ia mundësuan këtë gjë, ndërsa djali 26 vjeç has vështirësi të vazhdueshme në punësim.

Për një vajzë që s’ka shumë ekonomi është shumë e vështirë që të jetojë në Tiranë dhe jam detyruar ta çoj në Vlorë. Edhe vajza e pa ekonominë dhe thoshte: ‘S’ka rëndësi ma, vetëm të më dalë shkolla’. Më ka ngelur shumë peng”, – u shpreh ajo për Citizens Channel.

Kur hynë naftëtaret gra në grevë urie?

Në datën 15 tetor, disa gra punëtorë në rafinerinë e Ballshit, vendosën të zëvendësojnë kolegët e tyre burra, të cilët hynë në grevë urie në datën 28 shtator. Naftëtarët burra qëndruan 17 ditë në grevë, por nuk morën asnjë përgjigje institucionale për kërkesat e tyre lidhur me pagat e prapambetura dhe vijimësinë e rafinerisë.

Situata pati një përshkallëzim në fillim të muajit shtator, ku ishte premtuar rifillimi i punës. Në muajin shtator, supozohej se kompania “Allum Enterprise” do të merrte në menaxhim rafinerinë e Ballshit dhe punë do të riniste sapo të gjithë punëtorët të kishin firmosur kontratat. Po ashtu, kjo kompani u premtoi naftëtarëve një paradhënie prej 50.000 lekësh.

Me tre shtator, ditën e nënshkrimit të kontratave, pati përplasje të vazhdueshme të naftëtarëve me forcat e policisë, si pasojë e mosbesimit dhe vonesës së përfaqësuesve të “Allum Enterprise”. Frika e naftëtarëve rezultoi e vërtetë pasi firma e radhës nuk e çeli rafinerinë.

Për këtë arsye, naftëtarët e Ballshit u organizuan në disa protesta, fillimisht në Ballsh e më pas, me 17 shtator, ata protestuan në Tiranë, përballë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës. Tubimi u shoqërua me incidente të vazhdueshme mes policisë dhe naftëtarëve e aktivistëve, por pa një përgjigje institucionale rreth ngërçit në rafineri.

Ndërkaq, përmes Twitter-it Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen që naftëtarët ta braktisin grevën e urisë, pasi nuk mund të bisedoje më ata nën një klime presioni dhe ultimatumi.

Të dashura motra greviste të Ballshit!Askush nuk ju kërkon të dorëzoheni, qeveria nuk është armiku po aleati juaj dhe askush nuk ju ofron lëmoshë, ne jemi gati të qajmë hallin tuaj së bashku! E vetmja pengesë mes nesh është greva juaj. Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë!

— Edi Rama (@ediramaal) October 29, 2020

Në datë 29 tetor, Rama theksoi se problemet me pagat nuk janë shkaktuar nga qeveria por nga kompania private dhe u shpreh se nuk kishte asgjë për të negociuar.

Edhe njëherë: Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t’ju ndihmojmë!”, – shkroi ai në Twitter.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *