Ne foto Donald Trump\ foto nga artikulli i BBC

Burimi: BBC News | Rebbeca Seales

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm udhëheqësi i vendit të tij, ai është ndoshta personi më i fuqishëm në tokë. Ajo që bën ai ndikon jetën e të gjithëve.

Atëherë, si e ka ndryshuar botën saktësisht Trump?

Si e sheh bota Amerikën

Presidenti Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, SHBA-të si “vendi më i rëndësishëm në botë”. Por sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga “Qendra Kërkimore PEW”, ai nuk ka bërë shumë për imazhin e vendit.

Në shumë vende evropiane, përqindja e publikut me opinion pozitiv për Amerikën është në nivelin më të ulët në këto 20 vite. Në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm 41% e popullsisë kanë një mendim të favorshëm për SHBA, në Francë 31%, më e ulëta që nga viti 2003, dhe në Gjermani vetëm 26%.

Trump më pak i besueshëm se udhëheqësit e tjerë

Mënyra sesi pandemia u përballua nga SHBA, është një tjetër faktor ndikues. Vetëm 15% e të anketuarve mendojnë se SHBA e ka menaxhuar mirë virusin, sipas shifrave në korrik dhe gusht.

Hapa prapa për ndryshimin e klimës

Është e vështirë të përcaktohet se çfarë beson Trump në lidhje me ndryshimin e klimës, pasi ai e ka cilësuar atë nga “një mashtrim i shtrenjtë”, tek një “temë serioze” që është “shumë e rëndësishme për mua”. Ajo që është e qartë është se pas gjashtë muajsh në detyrë, ai i tronditi shkencëtarët duke njoftuar tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja e klimës së Parisit, e cila angazhoi gati 200 vende për frenimin e rritjes së temperaturës globale nën dy gradë celsius.

SHBA është emetuesi i dytë më i madh i gazrave serrë pas Kinës dhe studiuesit kanë paralajmëruar që nëse Trump rizgjidhet, mund të bëhet e pamundur të mbahet nën kontroll ngrohja globale.

Dalja e Amerikës nga marrëveshja e klimës në Paris zyrtarisht hyn në fuqi sot në 4 nëntor, ditën pas zgjedhjeve presidenciale. Joe Biden është zotuar të ribashkohet me paktin nëse ai fiton.

Mbyllja e kufijve për disa

Presidenti Trump vendosi gjurmën e tij mbi emigracionin, vetëm një javë pas marrjes së detyrës si president, duke mbyllur kufijtë e SHBA për udhëtarët nga shtatë vende me shumicë myslimane. Aktualisht 13 kombe u nënshtrohen kufizimeve të  udhëtimit.

Numri i emigrantëve që jetojnë në SHBA ka vazhduar të rritet nën qeverisjen e Trump, por më ngadalë se në vitet e mëparshme.

Ka pasur gjithashtu një ulje të përgjithshme të numrit të vizave që u mundësojnë njerëzve të zhvendosen përkohësisht në SHBA – veçanërisht për të afërmit e atyre që tashmë jetojnë atje.

Nëse ka një emblemë të politikës së emigracionit të Presidentit Trump, sigurisht që është “muri i madh dhe i bukur” që ai u betua të ndërtonte në kufirin me Meksikën. Që nga 19 tetori, Doganat dhe Mbrojtja e Kufirit të SHBA-së thonë se janë ndërtuar 371 milje mur.

Numri i emigrantëve të ndaluar në kufirin SHBA-Meksikë arriti nivelin më të lartë në 12 vjet në 2019.

A ndaloi Trump shumë njerëz të vijnë në SHBA?

Donald Trump ka bërë shkurtime të ndjeshme në numrin e njerëzve që mund të vendosen në Amerikë. SHBA pranoi pothuajse 85,000 refugjatë në vitin 2016 dhe vetëm 54,000 njerëz në vitin pasues.

Në 2021, maksimumi do të jetë 15,000 njerëz – numri më i ulët që nga fillimi i programit të refugjatëve në 1980.

Rritja e lajmeve të rreme

Mendoj se një nga shprehjet e mia më të gjetura është “e rreme” (fake), ka thënë Donald në një intervistë në tetor 2017. Megjithëse presidenti nuk e shpiku termin “lajme të rreme”, është e drejtë të thuhet se ai e popullarizoi atë. Sipas postimeve të mediave sociale dhe transkriptimeve audio të monitoruara nga Factba.se, ai e ka përdorur frazën rreth 2,000 herë që nga postimi i parë në Twitter në dhjetor 2016.

Kërkoni në Google për “fake news” sot dhe do të merrni më shumë se 1.1 miliardë rezultate nga e gjithë bota. Në grafik ju mund të shihni se si interesi i SHBA u rrit në dimrin e 2016-2017 dhe u ngrit javën që presidenti zbuloi atë që ai e quajti “Fake News Awards”, një listë e lajmeve që ai i pa si false.

Gjatë garës në Shtëpinë e Bardhë 2016, “lajmet e rreme” kuptoheshin si raportime të pavërteta, si ai në lidhje me Papa Françeskun që miraton presidencën eTrump. Por ndërsa depërtonte në përdorimin popullor, ai kuptim u largua nga të qenit vetëm informacion i gabuar.

Presidenti ka përdorur shpesh “lajme të rreme” për të sulmuar lajmet me të cilat nuk pajtohet. Në shkurt 2017, ai e çoi atë më tej, duke i quajtur disa media “armikun e popullit amerikan”.

“Luftërat e pafundme” të Amerikës dhe një marrëveshje për Lindjen e Mesme

Në fjalimin e tij në shkurt 2019 Presidenti Trump u zotua të tërhiqte trupat amerikane nga Siria, duke deklaruar: “Kombet e mëdha nuk bëjnë luftëra të pafundme”.

Jo më vonë se disa muaj, Trump vendosi të mbante rreth 500 trupa në Siri për të mbrojtur puset e naftës. Presidenti ka zvogëluar praninë e trupave që ai “trashëgoi” në Afganistan, dhe në një farë mase në Irak dhe Siri. Por forcat amerikane janë ende kudo që ishin ditën kur ai mori detyrën.

Natyrisht ka mënyra për të ndikuar në Lindjen e Mesme pa trupa. Presidenti Trump përmbysi kundërshtimet e presidentëve të mëparshëm duke lëvizur ambasadën e SHBA nga Tel Avivi në Jeruzalem në 2018 dhe duke njohur qytetin, përfshirë edhe Lindjen , si kryeqytet të Izraelit. Muajin e kaluar ai përshëndeti “agimin e një Lindjeje të Mesme të re” kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje që normalizonin marrëdhëniet me Izraelin – një veprim që SHBA ndihmoi të ndërmjetësohej. Përveç retorikës, kjo ishte ndoshta arritja më e rëndësishme diplomatike e administratës Trump.

Gati në luftë me Iranin

“Irani do të jetë plotësisht përgjegjës për jetët e humbura, ose dëmtimin e shkaktuar, në ndonjë nga bazat tona. Ata do të paguajnë një ÇMIM shumë të madh! Ky nuk është një Paralajmërim, është një Kërcënim. Gëzuar Vitin e Ri!”,– shkroi Trump në Twitter në prag të Vitit të Ri, 2019.

Pak ditë më vonë, SHBA vrau Qasem Suleimanin, gjeneralin më të fuqishëm të Iranit dhe njeriun që drejtoi operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani u kundërpërgjigj, duke lëshuar më shumë se një duzinë raketash në dy bazat amerikane në Irak. Më shumë se 100 trupa amerikane u plagosën dhe analistët i konsideruan kombet në prag të luftës.

Nuk ishte luftë, por civilë të pafajshëm vdiqën. Vetëm disa orë pas sulmeve, ushtria e Iranit rrëzoi gabimisht një avion ukrainas pasagjerësh, duke vrarë 176 personat në bord.

SHBA dhe Irani kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti 1979, kur shahu i Iranit mbështetur nga SH.B.A. (monarku i tij) u përmbys, dhe 52 amerikanë u morën peng brenda ambasadës amerikane. Në maj 2018, Trump ngriti tensionet duke braktisur një marrëveshje bërthamore të vitit 2015, sipas së cilës Irani ra dakord të kufizonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Ai më pas vendosi atë që Shtëpia e Bardhë e quajti “regjimi më i ashpër i sanksioneve të vendosura ndonjëherë” – i krijuar për të detyruar udhëheqësit e Iranit në një marrëveshje më shumë për pëlqimin e tij.

Teherani nuk pranoi të përkulej. Sanksionet e çuan ekonominë e Iranit në recesion të rëndë dhe deri në tetor 2019 kostoja e ushqimit u rrit me 61% nga viti në vit dhe çmimi i duhanit me 80%.

Ndërsa kriza e koronavirusit ka zhytur vëmendjen politike në të dy vendet e goditura rëndë, kanalet e tyre diplomatike mbeten të pakta ndërsa problemet, të shumta.

Lexoni artikullin e plotë:https://www.bbc.com/news/election-us-2020-54541907?fbclid=IwAR1MVGroJJuQEBMvFHy2Y86aWOTXCCnPhAMBYVWzfcos51XCQHSUKoelcu8

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu