Infografikë: Qëndresa Qytetare

2.346 studentë në degët Infermieri e Përgjithshme, Infermieri Mami dhe Fizioterapi do të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve përgjatë vitit akademik 2020-2021 në Shqipëri.

Sipas një raporti të publikuar nga Qendresa Qytetare, organizatë jo qeveritare, ky fluks studentësh në degët mjekësore nuk lidhet me kërkesat e tregut vendas, por me dëshirën e të rinjve për tu larguar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani.

Vihet re që në mungesë të orientimit të tregut shqiptar të punës, tregu ndërkombëtar dhe kërkesa për infermierë sidomos në Gjermani ka përkuar me dëshirën e të rinjve për t’u diplomuar në këto degë, me qëllim emigrimin në Evropë. Gjatë këtij viti akademik sistemit arsimor do ti shtohen 1567 infermierë të përgjithshëm, 468 infermierë Mami dhe 311 fizioterapistë, shifra të cilët çdokush e kupton që nuk lidhen me kërkesat e tregut vendas të punës“,-thuhet në raport.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, ajo çka ka ndryshuar në trendin e regjistrimeve të studentëve të rinj është shtimi i aplikimeve në universitetet e rretheve. Megjithatë, sipas Qëndresës Qytetare, kjo gjë nuk ka penguar degë të caktuara të shkojnë drejt mbylljes.

“Ajo që vihet re është fakti se gjatë këtij viti akademik janë shtuar aplikimet në universitete e rretheve në krahasim me dy vitet e kaluara, por sërish vijon fenomeni i mbylljes së programeve të studimit. Në rastet kur për dy vite rresht, një degë studimi nuk plotësohet me numrin minimal prej 10 studentësh, ajo degë mbyllet automatikisht”, –thuhet në raportin e publikuar.

Degët më të rriskuara për tu mbyllur në universitetet publike sipas raportit janë Historia, Gjeografia dhe Gjuha Shqipe.

Në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër nga 25 degë që ka ky universitet, 4 janë duke shkuar drejt mbylljes, mes të cilave, Gjuha Italiane, Gjuha Frënge, Historia dhe Gjeografia.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Numrin më të lartë të degëve që po shkojnë drejt mbylljes e ka Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Nga 42 degë në total, 20 degë të këtij universiteti janë drejt mbylljes.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, nga 21 degë gjithsej, 12 prej tyre janë drejt mbylljes. Ajo ç’ka vihet re në këtë universitet është fakti se një pjesë e konsiderueshme e studentëve të regjistruar janë pjesë e programeve 2-vjecare te te cilat nuk aplikohet kriteri i mesatares, saktëson Qëndresa Qytetare.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, nga 28 degë, 10 prej tyre janë drejt mbylljes. Ndërsa ky universitet ka pritur 133 studentë më shumë në raundin e dytë se viti akademik 2019-2020.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Universiteti “Fan Noli”, në Korçë, ka pasur këtë vit akademik më shumë student të regjistruar në raundin e dytë të vitit akademik 2020-2021 se një vit më herët, me 296 më shumë. Ndërsa 6 nga 32 degë janë drejt mbylljes.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” numëron 7 degë nga 49 në total që janë drejt mbylljes. Nga këto degë që janë drejt mbylljes përfshihen edhe degët që lidhen drejtpërsëdrejti me qytetin si Turizëm Kulturor, Menaxhim Turizëm Arkeologjik, Histori dhe Menaxhim Hoteleri Turizëm.

Burimi: Qëndresa Qytetare

Në përfundim të monitorimit, Qëndresa Qytetare përpos gjetjeve të mësipërme parashtron ndër të tjera se për shkak të krizës së pandemisë, aksesi i të varfërve në arsimin e lartë është më i vështirë. Edhe pse 5 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për arsimin e lartë, Ministria e Arsimit nuk ka implementuar kredinë studentore për studentët pa mundësi financiare.

Paqëndrueshmëria e vendosjes së mesatares për pranimet në universitete ka sjellë efekte negative, duke prodhuar fitues fiktivë, pasi është ndryshuar tre here brenda tre vitesh pa studim dhe strategji.

Për këtë arsye Qëndresa Qytetare sugjeron që nota mesatare të vendoset si pasojë e një studimi mbi pranimet në universitete dhe është më e nevojshme që të aplikohet për kalimin nga studimet bachelor në master sipas meritës.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu