Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vendimi i KMD: Minatorët e Bulqizës u shkarkuan për shkak të angazhimit në sindikatë

Një hetim i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) gjeti se Behar Gjimi dhe Beqir Duriçi, minatorë në Bulqizë, u shkarkuan nga puna për shkak të përkatësisë në një organizatë sindikale.

KMD gjykoi se Shoqëria AlbChrome që administron minierën, ka trajtuar në mënyrë të padrejtë minatorin Behar Gjimi, duke mos marrë masa për ankesat dhe duke e larguar atë nga puna, pavarësisht se ka qenë në dijeni të krijimit të Sindikatës se Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB).

I njëjti vendim është marrë edhe për minatorin tjetër Beqir Durriçi: kjo Shoqëri ka marrë vendim për ta transferuar dhe më vonë larguar punëmarrësin, gjatë periudhës që ai ka qenë i angazhuar në veprimtari sindikale dhe pa pëlqimin e sindikatës, fakt që sërisht është në kundërshtim me dispozitat ligjore të sipërpërmendura”, thuhet në vendimin e KMD, i cili vijon me arsyetimin se këto vendime janë marrë për shkak të angazhimit të tij në SMBB.

Komisioneri ka shqyrtuar edhe ankesën e minatorit Ali Gjeta, për të cilin ka vendosur të mos japë një mendim pasi është duke u trajtuar nga Gjykata dhe është në pritje të vendimit të Gjykatës.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi pezullon shqyrtimin e pretendimit të ankuesit A. Gj. të bërë në ankesën nr. 03, datë 16.01.2020, deri në momentin që Gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë”. 

Ndryshe nga më sipër, komisioneri Robert Gajda e rrëzoi ankesën e kreut të Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve, Elton Debreshi, pasi sipas tij kompania Albchrome nuk ka qenë në dijeni për pozicionin dhe përfshirjen e ti në Sindikatë.

“Në referencë të nenit 7, të LMD, Komisioneri gjykon se për sa i përket masave disiplinore të dhëna ndaj tij, ankuesi nuk është ekspozuar ndaj një trajtimi të padrejtë dhe disfavorizues nga ana e Shoqërisë AlbChrome sh.a. Në mungesë të këtij trajtimi nuk kemi të bëjmë me diskriminim për shkakun e pretenduar nga ankuesi”, -sqarohet në vendimin e Komisionerit.

Vendimi i plotë i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e ka mirëpritur vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa e ka konsideruar të padrejtë mos konstatimin e diskriminimit nga kompania Albchrome për kreun e Sindikatës, Elton Debreshi.

KOMISIONERI PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI: ALBCHROME KA DISKRIMINUAR DREJTUESIT E SMBB-së

Është bërë më shumë se një…

Posted by Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës on Tuesday, 3 November 2020

Për Citizens Channel, Elton Debreshi, Kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar, u shpreh se ky vendim i komisionerit është i padrejtë.

“Vendimi i Komisionerit në gjykimin tonë është i padrejtë, pavarësisht se është disi më i mirë krahasuar me vendimet e institucioneve të tjera shtetërore (Ministria e Financave, Inspektorati i Punes, etj). Pavarësisht që kemi dërguar një sërë provash që vërtetojnë diskriminimin edhe për mua, e kanë trajtuar veç procedurialisht dhe nuk kanë trajtuar faktet e tjera që vërtetojnë qartazi diskriminimin”,-sqaroi Debreshi.

Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Ai theksoi se do ta apelojnë si vendim dhe se njëkohësisht çështjet janë edhe në gjykatë.

“Jemi duke pritur që avokatët ta shqyrtojnë rastin dhe të na japin sugjerimet e tyre, por mundësitë më të mëdha janë që ta apelojmë si vendim. Paralelisht çështjet tona janë në Gjykatë për dëmshpërblim për ndërprerjen e paligjshme të marrëdhënies së punës”,-përfundoi Debreshi.

Elton Debreshi në fillim dhe më pas i ndjekur nga Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta u pushuan nga puna nga kompania Albchrome, pak ditë pasi u shpall krijimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, në sheshin e qytetit. Ata kanë zhvilluar një grevë disa ditore dhe një sërë protestash në Bulqizë dhe Tiranë, duke kërkuar kushte më të mira pune për qindra punonjës të minierës.

Kompania AlbChrome pretendon se shkarkim i tyre ka ardhur si shkelje e disiplinës dhe nuk ka lidhje me angazhimin sindikal të punonjësve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *