Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Vidh një çikë më pak”

Ndalesa e fundit e turit teatral të veprës “Vidh një çikë më pak”, luajtur nga aktivistë të grupit “Ata”, nga Kamza, ishte pranë qendrës kulturore “Vila 3”. Kjo hapësirë ndahet midis organizatave “Tek Bunkeri” dhe “Hapësira Kulturore Uzina”.

Vepra e shkruar nga Dario Fo dhe Franka Rame në vitin 1964 zhvillohet e gjitha në një varrezë dhe lëvron tematika që lidhen me zaptimin e privatizimin e tokës publike, abuzimin me pushtetin nga njerëzit në pozitë dhe keqtrajtimin e punëtorëve në vendin e punës.

Këto çështje, sipas regjisores së veprës Anila Balla, janë aktuale dhe sjellja e kësaj vepre në Shqipëri synon të vetëdijësojë personat e shtypur mbi abuzimin që ndodh.

Enea, personazhi kryesor, është e bija e një varrmihësi dhe karakterizohet nga një natyre naive. Kjo bën që ajo të bjerë pre e një rrengu të ngritur nga kolegët e saj, të cilët diskutojnë zhvendosjen e varrezës dhe kthimin e saj në një park publik. Tjetërsimi i kësaj hapësirë, sikurse tregohet në vepër, inkriminon në një formë drejtorin e institucionit, i cili edhe më herët ishte përfolur për afera korruptive.

Në të vërtetë, zhvendosja e saj nuk ishte një gënjeshtër, por një informacion i rrjedhur, të cilin Enea nuk heziton t’ia thotë drejtorit. Ajo është një personazh njëherësh guximtar, pasi në shumë skena shfaqet duke sfiduar autoritetin dhe në fund bën që të zbulohen skandalet korruptive që lidhen me zhvendosjen e varrezave.

Drejtori në këtë vepër shfaqet arrogant me punëtorët, duke theksuar kurdoherë diferencimin në pozita. Zbulimi i informacionit nga punëtorët e thjeshtë rrezikon t’i cenojë atij pushtetin. I njohur edhe më herët për publikun, vepra mbyllet teksa drejtori kërkon falje për skandalet e mëhershme dhe hedh kandidaturën për deputet.

Kandidimi për deputet i një drejtori të përfshirë në skandale të shumta, ishte krijimtari e regjisores Balla.

Mendoj që personazhi i drejtorit më çoi në këtë përfundim. Doja që ta lija hapur një shteg që publiku të reagonte pas shpalljes së kandidaturës”, – shprehet ajo.

Një teatër “gju më gju” me komunitetet e lëna në harresë

Vepra “Vidh një çik më pak” është shfaqur më parë në zona të ndryshme të Kamzës, në Shëngjin e së fundmi në Tiranë.

Ronald Qema, aktor dhe aktivist i grupit “Ata”, tregon se fokusi kryesor i tyre dhe aktiviteteve që ata ndërmarrin lidhet me grupimet e përjashtuara dhe të harruara nga politikat vendore dhe qendrore.

Për ne, tjetri ka shumë rëndësi. Tjetri në periferi, tjetri në qytetet e tjera e tjetri në Kamëz. Ne jemi një grup që përqendrimin tonë e kemi tek të pamundurit, tek njerëzit që jeta u është bërë e vështirë nga shteti, sistemi apo nga çfarëdo lloj tjetër rrethane ekonomike-sociale që i rrethon”, – tregon Qema për Citizens Channel.

Ronald Qema, grupi Ata

Klodian Gjonpalaj, një tjetër anëtar i këtij grupi pohon se aktivizmi komunitar, i ardhur në formë organike nga vetë banorët e komuniteteve të mënjanuara nga politikat publike, është pozitiv.

Zonat që janë lënë në harresë e meritojnë plotësisht një aktivizëm komunitar. Fatmirësisht në zonën e Kamzës ka ardhur nga vetë Kamza, nuk është se kemi pasur një grup që vjen nga jashtë qytetit dhe sjell një gjë në Kamëz, po ka vetë-lulëzuar”.

Anila Balla, regjisorja që përshtati veprën në shqip, tregon se Dario Fo, autori italian i veprës “Vidh një çikë më pak”, iu dedikua po ashtu shtresave në nevojë.

Në një periudhë të jetës së tij, Dario Fo-s i dhanë një kritikë. ‘Ju përqeshni kritikën, borgjezinë, ama borgjezia qesh bashkë me ju’. Ai e mendoi gjatë dhe tha: ‘Ne po bëjmë shfaqje për borgjezinë, borgjezia po qesh me ne dhe nuk po ndodh asnjë ndryshim’. U shkëput tërësisht dhe vajti aty ku ishte më i nevojshëm teatrit”, – thekson Balla.

Anila Balla, regjisore e veprës “Vidh një çikë më pak”

Edhe në Shqipëri vërehet një mungesë investimi në art dhe kulturë për grupet në vështirësi ekonomike, shtjellon regjisorja Balla.

Duhet ta themi dhe me ta përforcojmë që harresa është e qëllimshme dhe për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë”.

Si përngjan drejtori i korruptuar me politikanët shqiptarë?

Klodian Gjonpalaj shpjegon se personazhi që ai luan në vepër, pra drejtori i një varrezë, të cilit pasi i dalin skandale të korrupsionit kandidon për deputet, përngjan me politikanët në Shqipëri,

Roli im patjetër është shfrytëzues, duke qenë se e shpreh si i përdor punëtorët e tij, si në varrezë edhe jashtë varrezës që konkretisht posedon. Edhe drejtuesit e shtetit tonë janë shfrytëzues pasi shfrytëzojnë çdo fatkeqësi apo çdo mundësi që u jepet nga padituria e qytetarëve që të fitojnë prej tyre”.

Klodian Gjonpalaj, grupi Ata

Nga ana tjetër, Enea është personazhi që i kundërvihet drejtorit të varrezës, duke çuar deri në demaskimin e tij. Anisa Pepkolaj tregon se një individ me një guxim të tillë nuk haset shpesh në shoqërinë tonë.

Enea është një person që nuk e gjen shpesh në komunitetet ku jetojmë, sepse nuk ka njerëz si Enea. Enea është shumë e sinqertë. Njëkohësisht është shumë e pakontrollueshme, sepse i vendoset  kundër drejtorit, njëkohësisht edhe s’ka frikë”, tregon Pepkolaj.

Anisa Pepkolaj, grupi Ata

Gjonpalaj beson se njëjtë si personazhet e veprës, edhe qytetarët në Shqipëri mund të demaskojnë figura publike që abuzojnë me pushtetin, duke sjelle një ndryshim pozitiv në shoqëri.

Është diçka e rëndësishme që qytetarët mund të bëjnë ndryshimin, ashtu siç e bënë personazhet në shfaqjen tonë. Edhe pse ishin varrmihës, pra njerëz të rëndomtë, e bënë  një drejtor, një person të lartë të politikës, një mashtrues, të dridhet para tyre. Ashtu qytetarët e Kamzës, por edhe e shume qyteteve të tjera mund ta bëjnë këtë në qytetin e tyre”, – përmbyll ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *