Banorët depozitojnë padinë e radhës kundër hidrocentraleve Sekë dhe Zais brenda parkut kombëtar/ Foto: Entenela Ndrevataj

Jam nis në tre të natës për të ardh, po bëj 300 km rrugë për të shku e të ardh. Kam lanë edhe njerëz të sëmurë te shpia, vij këtu dhe nuk na përfill kush”, – tregon Abdi Toçi, një nga banorët e Zall-Gjoçajt në Mat.

Abdiu, bashkë me një grup banorësh të tjerë të zonës u paraqiten të hënën pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për seancën nismëtare të një tjetër padie ngritur për ndalimin e hidrocentraleve “Sekë” dhe “Zais” brenda parkut kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Padia kërkon ndryshimin e projektit për marrjen e ujit brenda hapësirës së mbrojtur me ligj dhe zhvendosjen e hidrocentralit jashtë kësaj zone.

Kjo padi është pranuar dhe seanca e radhës pritet të zhvillohet në datë 3 dhjetor. Vendimi për të vijuar me padinë e re është një lajm pozitiv për banorët dhe aktivistët e angazhuar në mbrojte të këtij parku.

Dorina Ndreka, avokate

Pala e paditur kërkonte që kjo procedurë gjyqësore të ngrihej, të rrinim në pritje derisa çështja të zgjidhet në apel. Duke parë rastet aktuale çështja do të rrinte tre-katër vjet në Apel, derisa HEC-et të jenë përfunduar. Gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, nuk e pranoi. Kjo është absolutisht në favorin tonë sepse kjo padi që ne kemi paraqitur do të na shkonte dëm dhe të mos merrnim një vendim gjyqësor”, – përfundon Ndreka.

Të pranishëm teksa zhvillohej kjo seancë ishin edhe banorë të fshatrave të Matit që preken nga ndërtimi i dy hidrocentraleve nga kompania “Seka Hydropower”.

Abdiu tregon se motivimi i tij për t’u angazhuar në këtë protestë, kundrejt kostove, është ruajtja e asaj rrjedhe, në mënyrë që ta gëzojnë edhe brezat e ardhshëm.

Me më falë Shqipninë, nuk e du, vetëm uji i pijshëm mos të shkojë për HEC-e. Me më falë Shqipërinë nuk e du, vetëm ujin… se është ujë i brezave, nuk është ujë as i imi, as i brezit të tretë, është i brezave që vijnë”.

Abdi Toçi, protestues/ Foto: Entenela Ndrevataj

Adem Xhokola ka ndjekur të njëjtin itinerar për të qenë i pranishëm në këtë seancë përgatitore. Atij i janë dashur plot gjashtë orë për të ardhur në Tiranë, dy prej të cilave i ka bërë në këmbë.

Xhokola apelon që të vendoset drejtësia lidhur me kauzën e tyre, pasi ndërtimet po bëhen brenda parkut kombëtar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë, gjykatave, në qoftë se ndonjëherë në këtë vend do të ketë drejtësi, që të marrë parasysh këtë kërkesë të këtij komuniteti”.

Në shkurt të këtij viti, 9 banorë të Matit paditën institucionet shtetërore për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur, si dhe kompaninë private “Seka Hydropower” që po zhvillon punimet.

Ata kërkuan ndalimin e hidrocentraleve “Sekë” dhe “Zais” në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Në datë 15 qershor Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të rrëzonte padinë e banorëve.

“Lumi është jetë, ta mbrojmë jetën”

Citizens Channel ka ndjekur hap pas hapi organizimin e banorëve të kësaj zone në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë, që do të preken nga dy hidrocentrale.

Në datë 24 tetor, matjanët iu rikthyen protestave në terren, thuajse tetë muaj pasi u verifikuan rastet e para me Covid-19 në shtetin tonë, ku u ndalua edhe e drejta e tubimit dhe protestës.

Pamjet në terren tregojnë se punimet për marrjen e ujit kanë çuar në shkuljen e shumë pemëve, ndërkohë që gurë dhe inerte janë hedhur në rrjedhën e lumit, duke e ngushtuar dhe ndotur atë.

Hapja e terrenit për të futur tubacionet që do të shërbejnë për marrjen e ujit bëhet përmes lëndëve plasëse, pa pasur të shënuar tabela që përmbajnë informacion rreth rrezikshmërisë.

Banorët pohojnë se tashmë këto punime kanë përparuar në brendësi të parkut kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Ngritja e çadrës së rezistencës në hyrje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, me shënimin “Lumi është jetë, ta mbrojmë jetën” u bë për të parandaluar pikërisht avancimin e punimeve, ndërkohë që çështja po ndiqej edhe në rrugë ligjore.

Cadra e rezistencës, Melth, Zall-Gjoçaj

Deri para se vendi të kalonte në izolim në fillim të muajit mars, çadra jetësohej dhe lumenjtë ruheshin 24 orë nga banorët, të cilët ndërroheshin me turne. Pas pandemisë, tubimet u ndaluan, por jo veprimtaritë e firmës private për përfundimin e dy hidrocentraleve.

Paralelisht, ata kanë organizuar disa protesta në terren dhe përballë Bashkisë së Matit, ku kanë kërkuar të ndalohen punimet.

6 mars, tre ditë para se të zbuloheshin dy rastet e para me koronavirus, qytetarët u mblodhën para Bashkisë Mat, për t’i kërkuar asaj t’u dalë në krah banorëve. Protesta u shoqërua me përplasje me policinë.

Banorët në vazhdimësi kanë artikuluar se marrja e ujit simbolizon shkretimin e zonës. Burimet e lumit Flim dhe Urakë shërbejnë për ujitje, bagëtitë, gjallesat e tjera dhe njeriun.

Përmes një factsheet të publikuar nga grupimi në Facebook “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj”, paraqiten fakte të ndryshme rreth pasurisë së zonës ku pritet të bëhen punime.

Materiali thekson se hidrocentralet “dënojnë” rreth 10.800 banorë të 11 fshatrave por edhe speciet e tjera. Në këtë raport shkruhet se atje rriten të gjithë gjitarët që gjenden në Shqipëri, si ariu, ujku, rrëqebulli, macja e egër, derri i egër, dhia e egër dhe kaprolli. Njëkohësisht, atje ndodhen edhe 24 lloje drurësh, shkurresh dhe bimësh të rralla.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu