Punim grafik: Xhemali Moku

Sot ka gjetur vdekjen pacienti i katërt i cili u hodh dje nga kati i tretë i Spitalit Infektivit të Tiranës. I ndjeri Reshat Grembi ishte sjellë nga Fieri për t’u kuruar pranë ambienteve të QSUT-së.

E bija e 69-vjeçarit, Esmeralda Kane, tregon se prej tre ditësh ai kishte temperaturë, por nuk kishte shfaqur simptoma të tjera. Në intervistën e dhënë për Euronews, Esmeralda ka treguar se babai i saj është neglizhuar për disa orë dhe nuk ka marrë mjekim.

Ka ndenjur në korridor nga ora tetë e gjysmë që u fut brenda, deri në tre e gjysmë, pasdite ka ndenjur pa mjekim”, – u shpreh ajo ndërkohë që pohon se gjendja e tij shëndetësore u stabilizua fillimisht, për t’u përkeqësuar më pas.

E marr përsëri sot ishte ora 7 e mëngjesit dhe më thotë: ‘Nuk kam fuqi të flas. Po vdes nga frymëmarrja’”,- tregon në vijim e Esmeralda Kane.

Përgjatë periudhës gusht- nëntor 2020, në total katër pacientë janë hedhur nga mjediset spitalore, e si pasojë kanë humbur jetën.

Kryeministri Rama sjell të dhëna të pavërteta lidhur me vetëvrasjet në Itali dhe koronavirusin

Rama i është përgjigjur sulmeve të opozitës lidhur me rastet e vetëvrasjes brenda spitaleve Covid-19. Përmes një postimi në Twitter, ai ka theksuar se në Itali janë vetëvrarë 71 persona të prekur nga koronavirusi.

Një verifikim i Citizens Channel tregon se konstatimi i bërë nga Kryeministri Rama është i pasaktë.

Të dhëna të bëra publike në Konferencën Ndërkombëtare për çështje që lidhen me shëndetin mendor dhe vetëvrasjen, tregojnë se në Itali ka pasur një rritje të numrit të vetëvrasjes, dhe kjo, sipas atyre mund të ketë ardhur nga Covid-19.

Ata pohojnë se në Itali ka pasur 71 vetëvrasje nga periudha e marsit deri në shtator dhe 46 tentativa për vetëvrasje, të cilat nuk kanë ndodhur brenda hapësirës spitalore. Numri i vetëvrasjes ka shënuar një rritje krahas së njëjtës periudhë të vitit 2019, informon Tgcom24.

Leave a Reply