Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Neverland”, doku-filmi që dëshmon trazirat e vitit 1997 përmes syve të fëmijëve

“Neverland” quhet doku-filmi italo-shqiptar realizuar në Lezhë, i cili flet rreth përjetimeve të adoleshentëve të vitit 1997, fill pasi shpërtheu kaosi dhe u hapën depot e armëve. Ai u transmetua për herë të parë po në atë qytet, pranë qendrës rinore HANA.

Ky film gërsheton përjetimet e dy fëmijëve adoleshentë shqiptarë, të cilët e gjejnë vetën larg bankave të shkollës, pasi ato u mbyllën, duke rrëmuar kështu nëpër përjetimet emocionale të atij brezi.

“Neverland” përfshin intervista të personave që e jetuan në lëkurë atë periudhë të trazuar që shënoi rreth 2000 viktima; si edhe pamje filmike arkivë, materiale të marra nga gazetarë të huaj, Radio Televizioni Shqiptar apo dhe nga televizioni lokal “TV Lezha”.

Filmi është vlerësuar si dokumentari më i mirë, akorduar nga Akademia e Filmit Gjerman në “First Steps Award 2020”.

Fëmijëria e të rinjve të vitit 1997, mbetur në ishullin “Kurrkund”

Emri “Neverland” merr shkas nga romani i Piter Pan, ku disa fëmijë “ngecin” në një ishull kohor dhe mbesin gjithmonë ashtu, fëmijë.

Duke rimarrë këtë si metaforë, sugjerohet që ai vit për ne, 97-ta ishte ishulli “Kurrkund” i yni. Për gjeneratën e adoleshentëve, apo për adoleshentët që kanë jetuar në atë kohë në Shqipëri, kanë lënë atë moshë, atë pjesë të adoleshencës së tyre në atë ishull kohor”, – shprehet regjisori i filmit Erald Dika në takimin e dytë analitik të asaj periudhe, realizuar pas shfaqjes së premierës.

Erald Dika, regjisor i doku-filmit “Neverland”

Dika tregon se shtysa për realizimin e filmit ka ardhur nga mungesa e një diskursi të gjerë shoqëror rreth përjetimeve njerëzore të asaj periudhe, që kanë lënë gjurmë të thella tek ata që e jetuan por edhe fëmijët e lindur më vonë.

Gjithmonë, kur flitet për 97-tën dhe ngjarjet rreth atij viti, vë re se mungojnë histori personale, histori që secili prej nesh ka përjetuar në atë vit e ndodhitë e një gjenerate që pa dashur u bënë pjesë e historisë. Si e ka përjetuar një familje e asaj kohë atë situatë? Ku ka qenë gjithsecili prej nesh kur ka dëgjuar të shtënat me armë? Çfarë ka menduar dhe çfarë ka bërë një adoleshent në atë situatë? Duke u nisur pra nga kjo premisë, por edhe pse jo, një nevojë për të treguar si e çfarë mbaj mend unë personalisht nga ai vit, lindi ‘Neverland’”.

Përmes jetësimit të atyre ditëve, risjellë në formë dokumentari, duke përfshirë dhe anën artistike, doku-filmi ka si qëllim çlirimin emocional.

Arti në vetvete mundohet të jetë si një lloj katarsis për të tejkaluar atë lloj traume, për të rikujtuar apo për të mos harruar sepse e njëjta gjë mund të ndodhë prapë. Kjo na ndihmon, është një lloj auto-analize, edhe e ne shqiptarëve se ku jemi sot në krahasim me 20 e sa vjet më parë. Tani mund të fillojmë të flasim për një fenomen të tillë”, – shprehet për Citizens Channel skenaristi i filmit, Vladimir Doda.

Humbja e kujtesës kolektive

Doda shpjegon se filmi është xhiruar tërësisht në Lezhë dhe disa prej aktorëve janë adoleshentë amatorë nga po ky qytet. Ai tregon se ky film është kontribues në kujtesën kolektive pasi shumë prej hapësira që mbartin histori, në fakt po tjetërsohen me ritme të shpejta.

Në lidhje me arkitekturën e hapësirës ku jetojmë ne, nuk kemi një lloj marrëdhënie të fortë, të ngushtë, që ka të bajë edhe me njerëzoren. Sepse lidhet me kujtesën kolektive, aty ku ka ndodhur diçka, të mos harrohet se ka ndodhur diçka. Hapësira ku kemi xhiruar, pas një viti kanë ndryshuar, s’po them totalisht, por 60%. Pallate që janë ngritur, lokale që janë modifikuar, etj., etj.”, – rrëfen ai, teksa pohon se e shkuara duhet të rindërtohet, edhe përmes artit.

Vladimir Doda, skenarist i doku-filmit “Neverland”

Të mos harrohet komplet, të rindërtohet kujtesa edhe nga ana njerëzore. Ne jemi njerëz, kemi nevojë të kapemi diku, të kemi ca elementë kujtese, arkitektura, filmografia, teatri etj. Ne na mungojnë në shumë fusha kontributet artistike që na lidhin me jetesën tonë, si shqiptarë”.

Pasojat e vitit 1997, peshë e mbartur ndër vite

Shfaqja e këtij filmi u shoqërua dhe me një debat analitik mbi  ndodhitë e atij viti, në aspektin politik dhe atë psikologjik.

Bledar Dika, pedagog pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, pohoi se pasoja më e madhe e atij viti ishte eksodi i vazhdueshëm i shqiptarëve drejt perëndimit, i cili ende sot e kësaj dite vazhdon.

Emigrimi është një plagë e rëndë, që sot e kësaj dite po e gërryen kombin tonë, po e gërryen shtetin shqiptar. Duhet të kuptojmë që vetëm në ato vite, në 97-tën kanë emigruar 180 mijë persona. Pas atij eksodi “biblik” të viteve 90-të ku kanë emigruar 450 mijë njerëz dhe sot e kësaj dite, jo më në kohë lufte por në kohë paqeje, janë regjistruar nga 2013-ta deri në 2017-tën janë regjistruar 175 mijë persona që kanë emigruar”.

Psiko-traumatologia Besarta Taci ofroi një analizë në këndvështrimin psikologjik, teksa shpjegoi që trauma e atyre viteve nuk është kapërcyer ende.

Kur ne si qenie njerëzore nuk ndjejmë sigurinë e vendit, komunitetit, shtetit ku jetojmë, nuk ndjejmë mbrojtjen, nuk ndjejmë sigurinë për të ndërtuar një të ardhme, sigurisht që aktivizohen mekanizma shumë të thellë, gati primitivë, instiktivë, siç është agresiviteti, siç është dhuna. Dhuna dhe agresiviteti besoj që janë pasojat më të mëdha që ne akoma sot përjetojmë”.

Ky film kishte dhe si qëllim të krijohet një lidhje, tashmë të shkëputur, me atë periudhë.

Një prej aktorëve, Fioraldo Alcani, 14 vjeç, tregon se pjesëmarrja në këtë film ishte edhe një lloj mënyrë për të njohur një kohë të cilën nuk e ka jetuar.

Thjesht unë kuptova se ca kanë përjetu paraardhësit e mi, shokët e mi që janë disa vite më të mëdhenj se unë, ato fëmijë që janë rrit në ato kohëra, ato të rinj, ato baballarë, ato familjarë, nëna, motra e njerëz që e kanë përjetu atë kohë, thjesht unë e kam përjetu në një mënyrë shumë ma të lehtë, por ama kam hy në temë të asaj kohe”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *