Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Teatri Kombëtar: Avokati i Popullit bën thirrje për ndëshkimin e sjelljeve të policisë ndaj protestuesve

Ora 04:30 e mëngjesit të 17 majit, kur ndodhi edhe shembja e godinës së Teatrit Kombëtar është një kohë e papërshtatshme për të ekzekutuar vendime të marra nga administrata publike, shprehet institucioni i Avokatit të Popullit.

“Vendimet e marra nga administrata shtetërore ekzekutohen ndërmjet orës
07:00 – 19:00. Vlerësojmë se ky orar nuk është pëcaktuar në mënyrë rastësore nga
ligjvënësi. 12 orët e paradites përkojnë me orarin biologjik të trupit të njeriut, kur ai është
më i kthjellët edhe energjik për të kryer veprimtarinë e tij. Gjithashtu në këtë orar mund
të ushtrohet më mirë parimi i transparencës së veprimtarisë së administratës”-thuhet në dokumentin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Përmes një raport-rekomandimi, Avokati i Popullit ka bërë publike një analizë të sjelljeve të policisë së shtetit në shembjen e Teatrit Kombëtar, mëngjesin e 17 majit 2020.

AVOKATI I POPULLIT PUBLIKON KONKLUZIONET E REKOMANDIMEVE MBI SJELLJEN E POLICISË SË SHTETIT GJATË SHKATËRRIMIT TË…

Posted by Avokati i Popullit on Wednesday, 18 November 2020

Dhuna fizike dhe verbale e ushtruar nga punonjësit e policisë, shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa brenda tij kishte akoma qytetarë, mos pasja e numrave të identifikimit të punonjësve të policisë, përdorimi i sprajit djegës pa arsye ishin disa nga denoncimet e qytetarëve dhe aktivistëve në media dhe organe të tjera monitoruese kundrejt policisë së shtetit.

materialin e rekomandimeve, Avokati i Popullit gjykon se institucionet shtetërore duhet të vlerësojnë veprimet që duhet të kryhen në kohë pandemie. Në këtë rast, shembja e Teatrit, padyshim do të sillte grumbullim të qytetarëve, si një kauzë e ngritur dhe e mbrojtur prej dy vitesh tashmë.

“Referuar Planit të Masave, vetëm nga Policia e Shtetit do të në operacion 449 punonjës të strukturave të ndryshme pa përllogaritur numrin e punonjësve të Forcës Operacionale Lëvizëse, numri i të cilëve nuk na është dhënë. Këtij numri duhet t’i shtojmë edhe punonjësit e Policisë Bashkiake, punonjësit e IMT-së dhe ato të Bashkisë Tiranë. Pra një numër i konsiderueshëm personash, protestues dhe punonjës shtetërorë, do të gjendeshin pranë njëri-tjetrit në një kohë kur ishin në fuqi masat që parashikonin ndalimin e grumbullimeve masive dhe detyrimin për distancim fizik dhe zbatimi i rregullave të tjera në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, -thuhet te rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Një ngjarje e ndodhur në periudhë pandemie, ku masat ishin të rrepta, vihet re se ka një mos zbatim të masave nga vetë institucionet shtetërore, në këtë rast nga vetë policia. Sipas Avokatit të Popullit, punonjësit e policisë janë bërë burim i mundshëm i përhapjes së COVID-19.

“Punonjësit e policisë janë bërë një burim i mundshëm i përhapjes së virusit COVID-19 si brenda radhëve të tyre, ashtu edhe ndaj qytetarëve protestues dhe veçanërisht ndaj personave të shoqëruar. Përgjegjësia parësore për zbatimin e masave që parandalojnë përhapjen e virusit bie mbi institucionet shtetërore. Mirëqeverisja nuk duhet të bazohet vetëm në forcën shtrënguese. Ndërgjegjësimi në masë i qytetarëve për të zbatuar rregullat e vendosura fitohet kur ato zbatohen nga vetë institucionet.”

Lidhur me mungesën e numrave të identifikimit në uniformën e punonjësve të policisë, shqetësim i pasqyruar gjerësisht në media, Drejtoria e Policisë së Shtetit është shprehur se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së logjistikës, për të cilën po merren masa.

Për sa i përket punonjësve të policisë pa numër personal, ju bëjmë me dije se edhe aktualisht kemi punonjës policie të pa pajisur me numra, kjo për mungesë logjistike, por paraqitja edhe uniforma e punonjësve të policisë të planizuar për mbështetje gjatë ekzekutimit të vendimit nga IMT-ja në prishjen e objektit të teatrit, ka qenë ajo e përcaktuar në Procedurën Standarde për mbajtjen dhe përdorimin e uniformës së Policisë së Shtetit Nr. 528, datë 28.05.2018, uniforma policisë ka qenë e dukshme dhe mbi të gjitha i dallueshëm lehtësisht nga qytetarët”,-thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Policisë.

Për përdorimin e dhunës fizike dhe verbale ndaj qytetarëve dhe aktivistëve, Avokati i Popullit shprehet se e ka të vështirë të vlerësojë dhunën e ushtruar në rastet kur nuk janë regjistruar kërcënimet apo goditjet mund të mos kenë lenë gjurmë në trupin e ankuesit.

Megjithatë referuar dëshmive të disa prej qytetarëve dhe aktivisteve, pamjeve të siguruara nga mediat, Avokati i Popullit vlerëson se ka pasur përdorim të pa arsyeshëm të forcës nga ana e punonjësve të policisë.

Përdorimi i sprajit djegës është një nga veprimet e kryera nga policia e shtetit gjatë shembjes së teatrit dhe pas shembjes, në protestën e zhvilluar në shesh.

Megjithëse spraji është një nga pajimet që punonjësit e policisë mbajë, serish Avokati i Popullit, e ka konsideruar jo të nevojshëm përdorimin e tij, për aq kohë sa punonjësi i policisë nuk ka qenë para një rreziku real.

“Punonjësit e policisë nuk kanë qenë të detyruar të veprojnë për vetëmbrojtje. Rreth tyre nuk ndodheshin persona që t’u kanoseshin. Përdorimi i sprajtit ka qenë i nxituar dhe i paarsyeshëm”,-thuhet në rekomandime.

Në përfundim të paraqitjes së problematikave Avokati i Popullit ka drejtuar 11 rekomandime për policinë e shtetit.

Mes tyre rekomandohet identifikimi i drejtuesve qe nuk kanë garantuar jetën dhe shëndetin e popullatës si dhe identifikimin e punonjësve të policisë që nuk kanë mbajtur procesverbal për të shoqëruarit në polici; identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë cenuar informimin e qytetarëve, duke penguar punonjësit e organeve të medias për të dokumentuar pjesë të ndryshme nga këto ngjarje; trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të policisë, për njohjen dhe respektimin e të drejtave kushtetuese e ligjore të shtetasve.

Lexo rekomandimet e plota: https://bit.ly/3nHJDqW

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *