Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrëfime: Mësimi online, të qëndrosh në konvikt apo të kthehesh në shtëpi?

“Komiteti Teknik duke qenë gjithmonë i vëmendshëm, për t’i paraprirë rëndimit të situatës, siç e kemi thënë që do të kishim një vlerësim të masave me intensitet të mesëm të marra dy ose tre javë më parë, mendon që mësimi në universitete për shkak të situatës që është do të vazhdojë online edhe për një periudhë në varësi të vlerësimit dinamik që ne do bëjmë”, ky ishte vendimi i publikuar paraditen e 23 nëntorit 2020, ku Komiteti Teknik, përmes një deklarate për shtyp lajmëroi se mësimi për universitetet do të vijojë të zhvillohet online deri në një lajmërim tjetër.

Posted by Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale on Monday, 23 November 2020

Viti i ri akademik 2020-2021 nisi në një situatë jo të zakonshme, si vazhdimësi e një viti më herët, për shkak të pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19. Megjithatë, ky vendim solli pakënaqësi të studentëve, pasi lajmërimi nga institucionet arsimore për nisjen e vitit shkollor online u krye vetëm tre ditë më herët.

Pakënaqësia e tyre u shndërrua në një protestë para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Shumë studentë kishin ardhur tashmë në Tiranë, duke rezervuar konviktet dhe duke kryer pagesat, e të tjerë në shtëpi private me qira.

Më shumë se 1 në 3 studentë të regjistruar, vendosin të qëndrojnë në konvikt pavarësisht pandemisë 

Sipas një kërkesë për informacion drejtuar Qendrës Universitare nr.1, e quajtur ndryshe edhe Qytet Studenti, për muajin nëntor ishin regjistruar në total 3436 studentë, ndërsa 1,239 prej tyre vendosën të qendrojnë në konvikt edhe pse mësimi po zhvillohet online.

Anxhela Nasto, është një nga studentet në Qytet Studenti që nuk është kthyer në Kuçovë, qytetin e saj të lindjes dhe ka vendosur të qëndrojë në konvikt edhe përgjatë muajit nëntor.

Unë po vazhdoj të qëndroj në konvikt sepse jam në kërkim të një pune. Nuk mund të kthehem në qytetin tim pasi kam nevojë ekonomikisht dhe e kam të nevojshme gjetjen e një pune, ashtu si studentët e tjerë që si pasojë e kostove të larta të studimit dhe jetesës në Tiranë, detyrohen të punojnë e shkollohen në të njëjtën kohë”,-tregon Anxhela.

Anxhela Nasto, studente

Pandemia ka ndikuar dukshëm në ekonominë e studentëve dhe vetë familjarëve të tyre, duke krijuar një tjetër barrë për pagesën e tarifave universitare.

“Kam punuar para pandemisë por tani jam në kërkim të një pune tjetër pasi me fillimin e vitit akademik fillojnë edhe shpenzimet e caktuara financiare. Pandemia sigurisht që ka ndikuar ekonomikisht si për mua, ashtu edhe për familjen time. Unë aktualisht jam në kërkim të një pune, por në të tilla kushte ku jetojmë është bërë edhe më e vështirë të gjejmë punë për shkak të kovidit”,-rrëfen Anxhela.

Ndryshe nga kategoritë e tjera shoqërore, studentët nuk kanë qenë përfitues të asnjë pakete financiare mbështetëse nga qeveria shqiptare.

Emanuela Kamshi, studion ekonomiks në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Prej tre vitesh ajo qëndron në Qytet Studenti. Megjithatë, për shkak të zhvillimit të mësimit online është detyruar të kthehet në vendin e saj të lindjes, në Lezhë.

Tani që është online do shkoj në shtëpi. Ky vendim ndikoi jo mirë sepse mësim nxënia është në nivel më të ulët”,-shprehet Emanuela për Citizens Channel.

Emanuela Kamshi, studente

Emanuela megjithëse ishte regjistruar në konvikt për këtë vit akademik, edhe pas vendimit për tu larguar në qytetin e lindjes, nuk do të paguajë tarifë pasi ka përfituar nga kthimi i tarifave të mëparshme, për shkak të pandemisë.

Unë sivjet s’kam paguar tarifë se kisha 3 muaj të mbetur nga vjet, pas peticionit që bëri Qëndresa Qytetare”, -sqaron Emanuela.

Më 23 prill, Qëndresa Qytetare dorëzoi pranë Këshillit Bashkiak një peticion të nënshkruar nga 332 studentë, me anë të cilit kërkohej anulimi i tarifave të konvikteve, duke qenë se prej datës 9 mars me mbylljen e universiteteve studentët nuk po merrnin shërbimin për të cilin kishin paguar.

Peticioni dërguar Këshillit Bashkiak, Tiranë

Meqenëse Emanuela nuk është në një marrëdhënie pune, qëndrimi në Tiranë nuk është i nevojshëm, duke bërë që pagesa për muajin nëntor të shtyhet për muajt në vijim, kur të rikthehen në konvikt.

Kujdestarja ka thënë që nëse nuk qëndrojmë në konvikt pagesa do na shtyhet per muajt qe do kemi mësim normalisht”,-rrëfen ajo.

Rezidenca Studentore Universitare nr.1, në përgjigjen ndaj kërkesës sonë për informacion u shpreh se pagesa do të shtyhet për muajt në vazhdim për studentët që nuk do të qëndrojnë në konvikt.

“Studentët të cilët e kanë paguar muajin nëntor apo më shumë se një muaj dhe nuk kanë qëndruar në konvikt, do tu shtyhet pagesa për muajt në vazhdim, në varësi të fillimit të mësimit në auditore. Pjesa tjetër që nuk na rizgjedhin për të qëndruar në vazhdim, kanë bërë kërkesën për kthimin e pagesës sipas muajve që kanë paguar, të cilën e marrin në numrin e tyre të llogarisë bankare“, -qartëson zyra e shërbimeve studentore në përgjigje të kërkesës për informacion.

Mësimi online dhe nevoja për mbështetje ndaj studentëve

Megjithëse mësimi online tashmë është një praktikë e nisur që prej muaji mars 2020 për shkak të pandemisë, akoma vihen re pakënaqësi nga studentët për zhvillimin e tij. Një ndër problematikat është pamundësia e studentëve për të përballuar internetit. Kjo, bashkë me pamundësi të tjera të lidhura kryesisht me aspektin ekonomik të studentëve dhe familjeve të tyre.

Aktualisht nuk punoj, ndonjë punë ditore. Pandemia ka ndikuar jo mirë. Gjate muajve të mbylljes të ardhurat ishin të pakta ose fare. Jetuam me kursimet në njëfarë mënyre”,-rrëfen Emanuela, studentja e vitit të tretë.

Ajo ndan mendimin se institucionet arsimore të merrnin masa më konkrete për zhvillimin e mësimit përgjatë vitit të ri akademik.

“Qeveria duhet të kishte marrë masa në të gjitha drejtimet gradualisht. Të kishte përgatitur Universitetet për mësim pjesërisht on-line, sidomos pas vitit jo produktiv qe kishim. Mësimi online për mua nuk është opsioni më i mirë. Në kushtet që jemi, jemi te detyruar ta pranojmë”,-përfundon Emanuela.

Për Anxhela Naston, problematikat e mësimit online janë të shumta.

Mësimi online, ashtu siç e dimë tanimë ka problematikat e tij të shumta. Jo të gjithë studentët kanë mundësi dhe akses në internet apo pajisjet e nevojshme. Në klasën time pjesëmarrja është gjithnjë e njëjtë, ku vetëm gjysma e studentëve marrin pjesë, kjo për shkaqe objektive të caktuara. Disa prej tyre nuk kanë akses në internet e detyrohen të paguajnë për oferta të shtrenjta në kompanitë telefonike. Disa nuk kanë mjetet e nevojshme për të ndjekur online mësimin”,-tha Anxhela Nasto për Citizens Channel.

Sipas saj, nevoja për një paketë sociale për studentët në këto kushte është mjaft e rëndësishme për mbarëvajtjen akademike dhe ekonomike.

“Ne kërkonim nga qeveria përgjysmimin e tarifës vjetore të studimit dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës. Në të kundërt, në kushtet e keq shkollimit dhe papunësisë, mungesës së strehimit dhe parave, do të vij dita kur me mijëra studentë të tjerë, bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere do të vijmë në kryeministri dhe do të mbushin rrugët me kërkesa e revoltë”. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *