Foto ilustrim: Xhemali Moku

“E keqja është këtu, se gjashtë muaj përpara afatit të zgjedhjeve, këtu vijnë deputetë e politikanë për fushatë edhe hedhin një llaf në ujë. Në momentin që mbarojnë zgjedhjet jo statusi nuk përmendet, por a thu se nuk kanë bërë takim fare me elektoratin”,-shprehet Beqir Duriçi, minator i qytetit të Bulqizës.

Beqiri është një nga dhjetra minatorë që së bashku me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kanë ndërmarrë nismën e mbledhjes së 20 mijë firmave për t’i drejtuar Kuvendit të Shqipërisë peticionin për miratimin e statusit të minatorit.

Për 30 vite jemi zvarritur e mashtruar nga partitë dhe sindikatat e vjetra. Na kanë premtuar vetëm për vota dhe interesat e tyre, por përpjekja për Statusin nuk ka ardhur kurrë nga vetë minatorët. Pas shumë diskutimesh me minatorë dhe ish-minatorë, me qytetarë dhe dashamirës, kemi vendosur që bashkërisht të nisim një peticion drejtuar Parlamentit dhe Qeverisë për miratimin e Statusit”,-thuhet në deklaratën e Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës.


Ky peticion prej tre ditësh ka mbledhur në sheshin e qytetit të Bulqizës minatorë e qytetarë për të dhënë kontributin e tyre përmes nënshkrimeve.

Ka nisur mbledhja e firmave për Peticionin për Statusin e Minatorit.

Interesi dhe gatishmëria për të firmosur prej minatorëve, ish-minatorëve dhe qytetarëve është e jashtëzakonshme.

Posted by Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës on Monday, 23 November 2020

Sipas minatorit Beqir Durici, nevoja për nisjen e këtij peticioni vjen nga kushtet e vështira me të cilat përballen minatorët prej vitesh tashmë.

Vështirësitë janë që nga ’90-ta. Jeta në minierë është shumë e vështirë. Është sektori më i vështirë aktualisht që po ndodhin edhe vdekje, pothuajse çdo muaj. Kushtet e punës janë shumë të vështira, pa llogaritur kushtet profesionale, lagështira e tjetra e tjetra që besoj se me statusin do të përmirësohet diçka se dhe humbjet e jetës që janë aktualisht nuk i marrin familjet, humb jetën kryefamiljari dhe familja nuk merr asgjë. Fajtor gjithmonë ngel viktima”,-tregon Duriçi për Citizens Channel.

Çfarë është statusi i minatorit dhe ç’kërkojnë minatorët përmes tij? 

Nisma për statusin e minatorit është një nga format e së drejtës për të propozuar ligje dhe që të finalizohet duhet të marrë mbështetje edhe nga qeveria duke qenë se ka shumicën në Kuvend, sqaron Alban Koçi, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë.                                   

Alban Koçi, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

“Për të pasur përftime ligjore e financiare, duhet që ky status të krijohet me ligj në parlament. E drejta për të propozuar ligje i takon Këshillit të Ministrave, çdo deputeti, si dhe 20 mijë zgjedhësve, sipas nenit 81/1 të Kushtetutës. Nga praktika del se shumica e ligjeve propozohen nga Këshilli i Ministrave. Projektligjet, të shoqëruara me relacionin përkatës, i dërgohen Kuvendit dhe Kryetari i Kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e kopjeve të tyre deputetëve. Pra domosdoshmërisht kjo iniciativë duhet të mbështetet dhe nga qeveria që ka mazhorancën, për të marrë votat e duhura“,-argumenton pedagogu Koçi.

Sipas pedagogut Koçi, statusi është një hap i parë për tu dhënë minatorëve autonomi financiare dhe dinjitet.

Ky ligj (status) është i domosdoshëm për minatorët dhe të gjithë ish punonjësit e minierave, pasi parashikon: 1) Trajtim të posaçëm financiar; 2) përcaktim të saktë të viteve të punës dhe kontributeve për daljen e parakohshme në pension në krahasim me moshën e përcaktuar për profesionet e tjera; 3) trajtim për invalidët në punë të kësaj kategorie e disa benefite te tjera.

Por ajo qe është më e rëndësishme e heq “përfaqësimin” e minatorëve nga pseudo sindikatat (pasi në gjithë botën sindikatat luftojnë ashpër për të drejtat e të përfaqësuarve të tyre me anë të grevave, peticioneve dhe mjeteve demokratike për ushtrimin e të drejtave) dhe e sanksionon trajtimin e tyre me ligj”,-sqaron pedagogu Koçi.

Për minatorët, siguria në punë, mbështetja financiare dhe shëndetësore, ulja e moshës së pensionit dhe respektimi i figurës së minatorit edhe pas përfundimit të punës në minierë duke marrë pensione dinjitoze janë disa nga pikat e kërkuara përmes statusit.

Beqir Duriçi, minator në Bulqizë

Pika e parë është të paguhet 100% dëmshpërblimi i sigurimit të jetës. Të mos ketë pagë në minierë nën 70 mijë lek të reja. Pensionet , kur mbushet mosha e pensionit 55 vjeç, të paguhen 100%, jo 70%. Vizitat të bëhen dy herë në vit. Njerëzit nuk e dinë farë kanë në trupin e tyre se nuk ka marrë kush mundimin që ti vizitojë”,-liston Beqir Duriçi.

Peticioni për statusin e minatorit do të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit ku ka minatorë, por jo vetëm.

“Ngaqë Bulqiza është zemra e minierave edhe e minatorëve që përbën forcën punëtore më të madhe, mesa di te 3200 minatorë janë këtu dhe lindi e drejta që të fillonte këtu. Nisma do të vazhdojë në Kukës e në Tropojë e në rrethe të tjera, në Përrenjas. Nuk është e thënë që të jenë 100% vetëm minatorë. Mund të jenë edhe qytetarë edhe biznese sepse Bulqiza siç e dimë varet nga kjo minierë, edhe biznesi më i vogël”,-përfundon Duriçi.

Foto: Sindikata e Bashkuar e minatorëve të Bulqizës

Statusi i minatorit, peng i politikës dhe i sindikatave të vjetra 

Çdo ministër i radhës bëhet çuditerisht “shurdh-memec” për të drejtat e minatorëve, të drejta që forcat politike që ai përfaqëson gjatë kohës kur ishte force opozitare i ka proklamuar si të drejta “hyjnore” të minatorëve, por që çuditërisht zhduken si me magji sapo vijnë në pushtet”,-parashtron pedagogu Koçi.

Që prej rënies së komunizmit, për rreth 30 vite tashmë, statusi i minatorit vazhdon të jetë një prej çështjeve më shumë të premtuara nga sfera politike, por edhe zotim i sindikatave që përfaqësonin minatorët.

“Shumë nga këto kategori përfaqësohen në 2 ose më shumë sindikata, që shumë herë nuk mbrojnë efektivisht të drejtat e punëtoreve, por janë “tolerante” me subjektet private që zotërojnë këto miniera e pasuri shtetërore. Interesat ekonomike dhe aferat korruptive lidhur me koncesionet, lejet e shfrytëzimit, kushtet teknike te punës ,përgjegjësitë penale në rastet e viktimave për mos rrespektim të standarteve dhe kushteve të punës kanë bërë që këto 30 vite minatorët të konsiderohen si skllevër të kohëve moderne, që në vendin tonë fatkeqësisht vazhdojnë të trajtohen si të tillë”,-argumenton Koçi.

Edhe pse dy vite më herët sindikatat u shprehën të sigurta për mbështetjen qeveritare që kishin marrë për miratimin e statusit të minatorit, pak muaj më vonë gjithçka mbeti ishte një tymnajë.

“Edhe sindikatat e vjetra, Gëzim Kalaja me Tafë Kolecin, i hartojnë disa drafte pa praninë e minatorëve, me idenë e tyre, pa e diskutuar se çfarë kërkon minatori. Edhe kur vjen fundi, konkluzionin e nxjerrin se nuk mund të bien dakord. Ne jemi e keqja e vetvetes. Sindikatat e vjetra siç e dimë mirë, kanë marrë çifligje e prona dhe kanë harruar se këto të mira i kanë marrë nga vetë punëtoria. Ata nuk duan me dit’ më se janë me partitë edhe janë bërë një bark të gjithë”,-shprehet i indinjuar minatori Beqir Duriçi.

Statusi, “stafeta” politike e mbetur në tentativë 

Në tetor të vitit 2017, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për ligjin e statusit të minatorit.

“Për çdo person do të paguhet kontribut shtesë në masën 5 përqind të pagës bruto për efekt kontributi. Kontributi shtesë do të paguhet në masën 2 përqind nga punëmarrësi dhe 3 përqind nga punëdhënësi. Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji deri në plotësimin e moshës së përfituesve do të përballohen nga buxheti i shtetit”,- u shpreh asokohe deputeti Spahiu.

Ky draft nuk u mor parasysh nga qeveria e cila deklaroi se projektligji sjell pasoja negative në buxhetin e shtetit. Ndër të tjera qeveria socialiste argumentoi se drafti i propozuar nuk ishte shoqëruar me kosto financiare të detajuara dhe kishte shkelje të Kodit të Punës dhe Kushtetutës.

Në shkurt të vitit 2018, pas rrëzimit të projektligjit të parë, ministri Arben Ahmetaj ngriti sërish çështjen e statusit të minatorit, duke bërë paralelizëm me situatën e minatorëve në qeverisjen e Kryeministrit Berisha.

“Ne do vijmë të sjellim një status të trajtuar me maturi sociale dhe financiare dhe do ulemi vetë me minatorët, do ulemi vetë me metalurgët dhe pasi ta kemi pjekur, do ta sjellim këtu. Atë ditë jeni të ftuar të votoni statuset dhe të falënderoni sigurisht edhe Partinë Socialiste që gjithë kohës ka treguar kujdes të veçantë për këto shtresa”,-shprehej Ahmetaj në 2018.

Në turin e llogaridhënies në qershor të vitit 2018 në bashkinë e Klosit, ministrja Olta Xhaçka premtoi para banorëve se drafti për projektligjin e statusit të minatorëve ishte duke u shqyrtuar dhe shumë shpejt do ti jepet zgjidhje.

Çështja e statusit të minatorit nuk ka patur asnjëherë mungesë vullneti nga ana jonë. Kemi qenë gjithmonë ne që e kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Sot kjo çështje ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj”,- theksoi Xhaçka.

Në po të njëjtin muaj, minatorët në pension dhe sindikatat që ushtronin veprimtarinë në atë kohë u mblodhën në protestë para Kryeministrisë për të kërkuar statusin, në të kundërt do të nisnin grevën e urisë.

Për sa i përket statusit ne po bëjmë një projektligj siç e ka Evropa, një draft-ligj për status për të gjitha këto statuse pune të vështira që do të hyjnë tek kategoritë me një status të veçantë. Po bëj një projektligj dhe do ta çoj në Parlament besoj brenda nëntorit dhe do t’i japim një zgjidhje kësaj çështjeje në mënyrë definitive brenda mundësive, por duke respektuar edhe sakrificat në këto punë të vështira që kanë bërë”,- u shpreh Kryeministri Rama para banorëve të Hasit në tetor 2018, gjatë një bashkëbisedimi për platformën e bashkëqeverisjes.

vitin 2019, çështja e statusit u soll sërish në vëmendje. Ndërkohë që një grup minatorësh protestonin para Kryeministrisë, Federata e Sindikatës së Punonjësve të Industrisë në një deklaratë për mediat u shpreh se së bashku me Qeverinë do të përgatisnin draftin për statusin e minatorit dhe shumë shpejt do të kalohet në kuvend.

Ende sot, 30 vite demokraci, statusi i minatorit mbetet një nga kërkesat kryesore të minatorëve dhe një nga shumë premtimet e pa realizuara të qeverive të demokracisë së brishtë.

Lexo më shumë: Speciale / Çfarë e mban peng statusin e minatorit? (Video)

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu