Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dita ndërkombëtare e PAK: Shqipëria ende larg mundësimit të jetesës së pavarur

Tre dhjetori është Dita Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar. E vendosur me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kjo ditë ka si qëllim të promovojë të drejtat, mirëqenien dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këtë komunitet.

Në qytetin e Durrësit, një grup aktivistësh dhe persona me aftësi të kufizuar u mblodhën për të manifestuar në shenjë simbolike për të drejtat e tyre.

Sot përpara bashkisë, Durrës.
Duke qenë se ishte data “3 Dhjetor” që na përfaqëson si dita ndërkombëtare e personave me…

Posted by Flamur Bala on Thursday, 3 December 2020

Referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën, jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar.

Në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuar në lëvizje, dëgjim, të folur dhe intelekt përbëjnë 6,2% tё popullsisë ose rreth 184,987 shqiptarë sipas Institutit të Statistikave. Me gjithë numrin e konsiderueshëm të këtij komuniteti, ata përballen në përditshmëri me barriera dhe mungesa të ndryshme në qytetet dhe shoqërinë ku jetojnë.

Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”, tregon se tre dhjetori shërben si një ditë feste për arritjet e personave me aftësi të kufizuar por edhe ndërgjegjësimi për c’ka duhet bërë më tepër.

Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar, synon të sjellë në vëmendjen e të gjithë shoqërisë vështirësitë që hasin personat me aftësi të kufizuar, për të marrë pjesë si të barabartë në të gjitha aspektet e jetës, pro njëkohësisht një ditë për të festuar edhe arritjet e personave me aftësi të kufizuar“,-rrëfen Suela.

Suela Lala, Fondacioni “Së Bashku”

Megjithatë, Suela tregon se në Shqipëri jetesa e pavarur vazhdon të jetë shumë e vështirë për këtë komunitet.

“Të jesh me aftësi të kufizuar në Shqipëri vijon të jetë shumë e vështirë. Barrierat në mjedis janë të shumta. Akoma jemi larg të pasurit qytete për ët gjithë, pra qytete që lehtësojnë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar , kështu që mendoj se theksi kryesor duhet të jetë te aksesueshmëria , por nuk diskutohet edhe në një sërë shër4bimesh të tjera të rëndësishëm të cilat ende janë të munguara në vendin tonë“,-përfundon Suela Lala.

Kuadri ligjor për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar

Shqipëria është renditur krah mbrojtjes së të drejtave dhe sigurimit të gjithë përfshirjes të personave me aftësi të kufizuar me ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për këtë komunitet. Në mbështetje të Konventës, Shqipëria ka hartuar dhe miratuar një sërë ligjesh që bëjnë të mundur përfshirjen sociale dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar.

Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, është një ndër ligjet që ka si qëllim të nxisë dhe mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar duke u mundësuar pjesëmarrje në shoqëri, por edhe duke ngarkuar me përgjegjësi të gjitha institucionet shtetërore të mundësojnë gjithëpërfshirjen e tyre duek hequr barrierat infrastrukturore e sociale.

Në mbështetje të ligjit të mësipërm, u mor një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 1074, më datë 23.12.2015 “Pёr përcaktimin e masave pёr mënjanimin e pengesave nё komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi tё kufizuar”. Ky vendim përcakton masat që duhen ndërmarrë me qëllim mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara.

Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimi dhe zhvillimin e territorit”, përcakton krahas të tjerave respektimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në çdo ndërtim
për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët.

Vendimi Nr.1503, datë 19.11.2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, ka për qëllim të eliminojë barrierat në hapësirat e jashtme të ndërtesave.

Ligji nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 të tij përcakton eliminimin e diskriminimit nga sektorët publikë dhe privatë për shkak të aftësisë së kufizuar.

Ligji nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, përcakton detyrimin për
përkujdesje dhe transport me përparësi.

“Të jetuarit i pavarur”, ende e pamundur

Në tre raporte të publikuara së fundmi nga fondacioni “Së Bashku”, për qytetet Shkodër, Durrës dhe Mat rezulton se përpos përmirësimeve, ka mungesa dhe barriera në infrastrukturë dhe akses në shërbime.

Trotuaret pa rampa apo me rampa jashtë standardeve, mungesa e parkimeve apo zënia e tyre nga persona të tjerë, pamundësia për të frekuentuar transportin publik, mungesa e aksesit në institucione shërbimi si Posta Shqiptare dhe zyra e Aleatit për shkak të sporteleve të larta, pengesat në institucione shëndetësore dhe arsimore, duke përfshirë edhe institucionet kulturore janë problematikat kryesore me të cilat përballen çdo ditë personat me aftësi të kufizuar në këto qytete.

“Durrësi pa barriera”

“Shkodra pa barriera”

“Mati pa barriera”

Pandemia COVID-19 shton barrierat për personat me aftësi të kufizuar 

Pandemia COVID-19 solli një situatë të vështirë për të gjithë botën, por kjo situatë ka vështirësuar edhe më shumë jetën e personave me aftësi të kufizuar, duke shtuar këtu edhe vëmendjen institucionale ndaj tyre, e cila gjatë kësaj periudhe ishte e papërfillshme.

Vështirësitë për këtë komunitet kanë nisur që nga komunikimi, ku personat të cilët kanë kufizim në dëgjim nuk mund të merrnin më të rejat e fundit në lidhje me situatën e pandemisë dhe rregullat e reja që ndryshonin çdo ditë, për shkak se asnjë deklaratë zyrtare nuk u shoqërua me gjuhën e shenjave. 27 ditë pas mbylljes së vendit, Ministria e Shëndetësisë aplikoi përkthimin në gjuhën e shenjave të konferencës së përditshme mbi COVID-19, por ky proces nuk zgjati shumë.

Mungesa e udhëzimeve apo protokolleve për sjelljen se si duhet të vepronin apo mbroheshin personat me aftësi të kufizuar e vështirësoi situatën e tyre. Në asnjë nga informacionet zyrtare të shpërndara nuk përmendet grupi i personave me aftësi të kufizuar si një grup shumë i rrezikuar.

Po ashtu, aksesi nё shërbimin shëndetësor për personat me aftësi të kufizuar në situatën e emergjencës bëhet akoma me i vështire, duke shtuar rrezikun e infektimit.

Të gjitha këto barriera kanë ndikuar thellë edhe në gjendjen e tyre psikologjike dhe emocionale në përballimin e kësaj situate të vështirë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *