Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dy të moshuar në Dibër gjobiten me 10 milionë lekë, si organizatorë të protestës kundër HEC-it në Skavicë

Policia e Dibrës ka gjobitur me nga 5 milionë lekë të reja dy organizatorët e protestës kundër ndërtimit të Hecit të Skavicës, konkretisht Nazmi Drizi, kryetari i shoqatës “Drini i Zi” dhe Ali Hoxha president i së njëjtës shoqatë.

Sipas Policisë, dy të moshuarit janë përgjegjës për organizimin e tubimit me rreth 40 persona në zonën e quajtur “Kodra e Bitrit”, në datën 1 dhjetor.

I kontaktuar nga Citizens Channel, Nazmi Drizi ka ironizuar se edhe pse është 70 vjeç ai do shesë shtëpinë, trupin dhe do paguajë jo vetëm këtë gjobë, por edhe shuma më të larta për shtetin.

Ai tregon se në protestë ka pasur rreth 200 persona (dy fshatra bashkë) dhe tubimi nuk ka zgjatur më shumë se një orë e 30 minuta.

Ali Hoxha ka rrëfyer se akoma nuk është njoftuar zyrtarisht për gjobitjen por për këtë fakt është informuar vetëm nga mediat. Hoxha e sheh gjobitjen si një mënyrë e institucioneve për të trembur popullin që mos të reagojë ndaj vendimeve zyrtare.

“Gjobën veç po e paguajta me pensionin, 16 mijë lekë në muaj që marr se mënyrë tjetër skam”,- thotë Hoxha.

Hidrocentrali i Skavicës është projektuar për ndërtim që në vitin 1970, si pjesë e Kaskadës së Drinit. Edhe pse herë pas here është planifikuar zbatimi i këtij projekti, deri më sot ka qenë e pamundur sigurimi i fondeve për financim.

Nazmi Drizi

“Ne kërkojmë që shteti të ulet me ne këmbëkryq, sepse ne s’kemi asnjë lloj tapie as për tokën. Kanë kaluar 30 vjet dhe s’kemi marrë asnjë lloj letre për këtë zonë që veç përmbytet. Me projektin e HEC-it parashikohet të preket toka e 15 mijë familjeve”,- citon Drizi.

Në qershor, Qeveria i prezantoi disa versione të mundshme për ndërtimin e një hidrocentrali në Skavicë. Sipas Qeverisë, hidrocentrali do të përmirësonte ndjeshëm prodhimin e energjisë në vend dhe do të ndihmonte në menaxhim më të mirë të kaskadës së Drinit.

Pavarësisht zhvillimeve, të dy të intervistuarit pohuan për Citizens Channel se nuk do të ndalin protestat dhe çdo formë të mundshme kundërshtie ndaj fillimit të punimeve të HEC-it.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *