Foto gjatë protestës së gazetarëve më 18 dhjetor 2019, për të kundërshtuar "paketën anti-shpifje"

Një dokument i Ministrisë së Drejtësisë që rrodhi në media të mërkurën, propozon një sërë ndryshimesh të Kodin Penal. Mes ndryshimeve listohet rritja e gjobave dhe zgjerimi i dënimeve për shpifje, dhënia e një statusi dhe mbrojtje të veçantë ndaj shpifjes për zyrtarët, politikanët dhe gjykatësit, si edhe dënime deri në një vit burg për montazhet që cenojnë personat, duke i dyfishuar masat administrative nëse aktet kryhen përmes medias.

Konsultime, por pa të gjitha grupet e interesit

Menjëherë pas bërjes publike të dokumentit në të cilin pasqyroheshin ndryshime në Kodin Penal, Ministria e Drejtësisë ka reaguar përmes një sqarimi për mediat.

Sipas Ministrisë këto materiale janë akoma në proces pune nga ekspertët dhe dokumenti i bërë publik nuk është versioni përfundimtar i Kodit Penal.

Përshëndetje! Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të ardhura nga gazetarët në lidhje me draftin final të Kodit të Ri Penal, duam t’ju sqarojmë se materialet që po qarkullojnë në media janë ende një dokument pune, nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik. Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi. Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave”-ishte përgjigja sqaruese e Ministrisë.

Megjithëse Ministria e Drejtësisë thekson se është mbyllur procesi i konsultimit publik, nëse do të kërkojmë në faqen zyrtare të Ministrisë, vëmë re se ky dokument nuk është bërë publik në hapësirën e dedikuar për konsultimet me qytetarët.

I vetmi komunikim publik i kryer për konsultimet për Kodin Penal, është njoftimi i datës 1 dhjetor në rrjetin social Facebook për finalizimin e konsultimeve me institucionet e sistemit të drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile, si edhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.

https://www.facebook.com/EtildaGjonaj/posts/866514284103914

Çfarë vihet re nga finalizimi i konsultimeve është fakti se pavarësisht se ky Kod përmban nene që përfshijnë edhe rolin e medias, në konsultim nuk u ftua të jetë i pranishëm asnjë përfaqësues të mediave apo organizatave mediatike në vend.

Çfarë do të ndryshojë në Kodin Penal?

Përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues ndaj personit si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rreme, që cenojnë nderin dhe reputacionin e personit, përben kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë dhe dënimin plotësues të përgënjeshtrimit dhe faljen publike ndaj viktimës”,-thuhet në dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë.

Nëse ky veprim kryhet nga media gjoba arrin në dyfish të asaj të parashikuar më sipër.

“Nëse vepra penale është kryer nëpërmjet shtypit ose ndonjë mjeti tjetër komunikimi mediatik, elektronik, nëpërmjet rrjeteve sociale në internet, ose nëpërmjet një akti publik, dënimi shtohet ne dyfishin e parashikuar ne paragrafin e pare”,-shkruhet më tej në dokument.

Kur ky veprim kryhet ndaj personave me funksion të lartë shtetëror, politik, administrativ dhe gjyqësor, haraçi që duhet të paguajnë mediat është edhe më i lartë, duke shkuar në 4.5 milion lekë.

Në vijim të argumentimit ligjor, hartuesit e dokumentit theksojnë se nëse ky veprim i konsideruar vepër penale, kryhet nga shtypi, përgjegjësia i bashkëngjitet të gjitha hallkave drejtuese dhe jo vetëm të medias ku është publikuar.

Kur vepra penale e shpifjes është kryer me anë të shtypit, përgjegjësia shtrihet edhe për drejtorin administrues ose, sipas rastit, zv/drejtorin, botuesin dhe printuesin ne rastet e dijenisë se tyre rreth faktit penal. Dënimi penal shoqërohet edhe me dënimin plotësues të përgënjeshtrimit të deklaratës/faktit/informacionit të rremë me të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin mjet sikundër është realizuar përhapja e tij, dhe detyrimin e publikimit të vendimit gjyqësor penal nëpërmjet medias apo në komunitet“, -përfundon neni 227 i propozuar në dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë.

“1 vit burg për ‘meme-t’?”

Një pikë tjetër interesante e dokumentit është edhe dënimi me burg me një vit për secilin që publikon montazhe me fjalët apo imazhin e një personi me pëlqimin e tij. E përkthyer kjo në gjuhën e rrjeteve sociale, ky parashikim ngre dyshimet se bëhet fjalë për “memes”, të cilat janë forma satirike të shprehjes së problematikave në një shoqëri.

Publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se është i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit“,-shkruhet në nenin 238, në seksionin e cenimit të imazhit.

Ndryshimet në Kodin Penal, vazhdimësi nismash kundër medias  

Në prill të vitit 2015, me një nismë ligjore të ish deputetet Majlinda Bregu, u hap debati për lirinë e shprehjes në Shqipëri. Sipas kësaj nisme synohej të bllokoheshin komentet fyese në median online. Me përgjegjësi ligjore për këtë ngarkoheshin administratorët e faqeve.

Pas “amendamentit Bregu”, në nëntor 2015 me nismë të Kryeministrit Rama u propozua ndërhyrje në Kodin Penal, në seksionin e krimeve kundër autoritetit të shtetit, me qëllim mos lejimin e shpifjes ndaj një funksionari të lartë shtetëror.

Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”,-thuhej në relacion.

Në vitin 2016, një tjetër tentativë ishte projektligji për “Tregtinë Elektronike”, i cili synonte të rregullonte përmbajtjen e komentuesve në hapësirën online.

“Këtu nuk bëhet fjalë për përmbajtjen editoriale të mediave online. Ky ligj rregullon sipas direktivës evropiane pikërisht faktin se ju nuk keni përgjegjësi për përmbajtjen e të tretëve, pra të komentatorëve, për sa kohë ju nuk keni dijeni”,- shprehej në atë kohë Ministrja e Inovacionit, Milena Harito.

Të tre këto nisma ligjore nuk kanë kaluar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa nisma më e fundit është ajo e paketës anti-shpifje, e cila vazhdon të qëndrojë në diskutime pas opinionit të Komisionit të Venecias. 

Kjo paketë e propozuar nga qeveria shqiptare ndeshi kundërshtinë e organizatave mediatike shqiptare dhe ndërkombëtare si cenim për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu