Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Minatorët e Kukësit i bashkohen peticionit për statusin: “8 orë nën tokë, sot 120 mijë lek më thonë i ke shumë”

“Të uroj fat, se fat ka ngel me thën në këtë vend”,-pëshpëriti zonja teksa largohej nga stenda ku po nënshkruhej peticioni për statusin e minatorit.

Ajo është një nga dhjetëra qytetarët e Kukësit, që iu bashkuan nismës së Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës për të mbledhur 20 mijë firma qytetarësh në një peticion që do t’i dërgohet Kuvendit, për miratimin e statusit të minatorit.

Moti i ftohtë, tipik për qytetin verior, dhe rrugicat e zbrazëta, të shqetësuara veçse nga lëvizjet e makinave “potente” të të rinjve, u gjallëruan nga miqtë e ardhur nga Bulqiza. Bashkë i afronte interesi për të panjohurit, profesioni dhe dëshira për të kontribuuar për një çështje të dëshiruar prej vitesh.

Në njërën nga stendat, e vendosur në hyrje të tregut, takojmë Mefser Bajraktarin, ish-mekanik në minierën e Kalimashit për 14 vjet. Në nxitim e sipër për të hedhur firmën, ai tregon për Citizens Channel se dikur minatorët përbënin majën më të mprehtë të klasës punëtorë, ndërsa sot janë të pavlerësuar dhe në gjendje jo të mirë ekonomike.

“Nuk munem me fol, për të thënë që na kanë degjeneru si punonjës miniere. Ar’, flori të gjitha të mirat materiale, por nuk munet me fol ca vështirësish kena kalu. Mekanik, jo direkt minator megjithatë nën tokë 700 metër. 700, 580, 620, dy kilometër, pesë kilometër, 8 orë në Kalimash kam qenë me nejt nën tokë dhe sot 120 mijë lek më thonë i ke shumë”,-rrëfen Bajraktari.

Mefser Bajraktari, ish-minator, Kukës

Përpos faktit se ka dalë nga puna me pension të parakohshëm, shumën e përmuajshme që ai merr e konsideron si lëmoshë.

470 ton krom kem me ja qit për 24 orë, fabrikën me e furnizu, sot jam një njeri i pa vlerë. E krahasoj veten me ato lypsat se sa më japin”, -përfundon Mefser Bajraktari.

Në stendën tjetër, vendosur në trotuarin ku kryqëzohen tre rrugët e qytetit, Abdyl Bilali i përfshirë në diskutime me minatorët e pranishëm, nuk hezitoi të jepte kontributin e tij. Megjithëse nuk vjen nga një profesion i lidhur me minierat, ai çmon rëndësinë që kanë pasur minierat për qytetin e Kukësit, por edhe për gjithë vendin.

“Minatoret jane ajka e kombit. Ato kanë ndërtuar Shqipërinë, kanë ndërtuar Kukësin. Kanë prodhue bakër, flori, krom. Me ato është ndërtu Kukësi. Kukësi është ngrit nga zeroja në saj të mineraleve nëntokësore, se Shqipëria këto resurse ka, mineralet edhe turizmin. Këto kemi ne s’kemi pasuri të mëdhaja, fabrika, uzina sic ka perëndimi.Me këto, ne po të administrohen mirë, ne ja kalojmë Evropës, por nuk administrohen mirë dhe janë shfrytëzue pasuria e Kukësit nga e gjithë Shqipëria”,-rrëfen Abdyl Bilali.

Abdyl Bilali,Kukës

Statusi i minatorit, një e drejtë e mohuar për vite 

Behar Gjimi, minator dhe përfaqësues i SMBB-së, prej një viti tashmë është i papunë. Për shkak të organizimit sindikal ai humbi punën më 20 dhjetor 2020, ndërsa shprehet për Citizens Channel se veprimtaria e sindikatave të vjetra nuk ka qenë për problemet e minatorëve.

“….kërkuam rritje pagash, kushte më të mira pune dhe nga puna na ka larguar sindikata e vjetër sepse është palë me firmën aktuale ,me Samir Manen dhe me shtetin”,-tregon Gjimi.

Behar Gjimi, minator i Bulqizës

Minatorët tregojnë se vështirësitë që kjo kategori punëtorësh kalon në galeritë e minierave nuk përkthehet në kushte, paga dhe kujdes shëndetësor dinjitoz.

Vështirësitë e minatorëve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, sepse rritja e pagave nuk është aty ku duhet, edhe pensionet nuk janë aty ku duhet sepse kanë dalë në pension me 200 mijë lekë të vjetra, që ai ka kontribuar 30 vite punë dhe pensioni ka dalë shumë i ulët. Edhe s’kanë asnjë lloj të drejte, as bursa studimi as shëndetësia që të jetë falas”,-shton minatori Gjimi.

Përmes statusit të minatorit ata kërkojnë sigurim të jetës, rritje të pagave dhe pensioneve dhe garantim të kujdesit shëndetësor.

Kërkesat janë shumë bazike dhe të thjeshta për mendimin tim. Po kërkojmë sigurimin e jetës që aktualisht po humb jetën minatori dhe nuk po merr asnjë lloj dëmshpërblimi dhe familja ngel në skamje. Tjetra është që pagat mos jenë më pak se 700 mijë lek se aktualisht po punohet në të zezë. Vizita shëndetësore nuk bëhen fare aktualisht, kur po e marrim vetë nismën kur sëmuret sepse siç e dimë nëntoka ka shumë sëmundje profesionale që është shumë e nevojshme që të paktën dy herë në vit të bëhen vizita dhe kontrolle ndaj minatorëve”,-saktëson Beqir Duriçi, minator i Bulqizës

Beqir Duriç, minator Bulqizë

Sipas Behar Gjimit, statusi ka 30 vite që premtohet nga partitë politike, por nuk u çua asnjëherë deri në fund.

“Ka 30 vite çdo fushat elektorale premtohet kjo dhe e kemi nis këtë prag fushate që nëse e bëjnë, ja ku e keni hartimin e statusit, ta miratojnë. Kushdo parti politike që ta premtojë, nuk është problem për neve”.

Në vijim të turit të mbledhjes së firmave, minatorët do të shkojnë edhe në qytete të tjera ku ka minatorë dhe ish minatorë, ndërsa deri më tani Sindikata ka mbledhur 3500 firma.

Në mbështetje të statusit është krijuar edhe një peticion online.

https://form.jotform.com/203364737586364?fbclid=IwAR1MDB_sg_xayBpDRj6YqtK8ctJaFl2sbel-INJXaivy8MJWpT1GBP6W8LU

Lexo më shumë :Çfarë është statusi i minatorit dhe ç’kërkojnë minatorët përmes tij? 

Lexo më shumë:Statusi i minatorit, peng i politikës dhe i sindikatave të vjetra 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *