Ilustrim grafik: Qëndresa Qytetare

Prapaskenat e një kontrate të dytë për Inceneratorin e Elbasanit” ishte shkrimi i gazetarit Artan Rama që çoi në një padi ndaj tij nga kompania Albtek Energy. I publikuar në portavendore.al në nëntor të 2020, shkrimi trajton tematikën e inceneratorit të Elbasanit dhe mënyrën si firma Albtek Energy fitoi të drejtën për ta shfrytëzuar përtej afatati 7-vjeçar të kontratës.

Në kërkesë padinë e kompanisë Albtek Energy, përfaqësuar nga Stela Gugallja, gazetarit Artan Rama i kërkohet një dëmshpërblim prej 300,000 lekësh për prishje të imazhit dhe reputacionit të shoqërisë, si edhe përgënjeshtrim të lajmit.

Kërkesë-Padia

I pyetur nga Citizens Channel për padinë, gazetari Artan Rama u shpreh se është një kërcënim për cilindo gazetar që raporton për kontrata të tilla.

Artan Rama, gazetar

“Mendoj se ka dy qëllime. E para, një tentativë e kompanisë për të prezantuar në publik një imazh pozitiv, pasi duke ia kaluar çështjen një gjykate (kompania) shpreson se mund të përcjellë publikisht, a priori, idenë se mbi të është bërë një padrejtësi dhe e dyta, një kërcënim për cilido gazetar që përfshihet në raportime lidhur me kontratat koncesionare të partneritet publik-privat, ku përfshihen këto kompani”,- tregon Rama.

Nevoja për përgjigje ndaj çështjeve të ngritura nga gazetarët është më e rëndësishme se paditë ndaj tyre shprehet gazetari Rama.

“Në pamje të parë duket një përpjekje e arsyeshme, plotësisht e ligjshme. Por sa e sinqertë është ajo dhe çfarë fshihet, realisht, pas saj? Pyetja ime në këtë rast është: përse një kompani kërkon të ruajë reputacionin, përmes kërcënimeve të gazetarëve në gjykatë, ndërsa refuzon t’u përgjigjet atyre lidhur me mënyrën se si kjo kompani  administron pasuritë publike për të cilat është kontraktuar? Reputacioni duhet merituar! Askush nuk mund të rrëzojë kollaj një arritje të merituar, përveç se kur nuk është e tillë…”. 

Kompania Albtek Energy është themeluar në vitin 2014 dhe ka si objekt të veprimtarisë së saj ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (inceneratorët). Kompania e ka nisur veprimtarinë e saj ekonomike me 100 mijë lekë, ndërsa në vitin 2019, me vendim të asamblesë së ortakëve kapitali i shoqërisë shtohet me gjashte milion e pesëqind mije lek.

Shtim i padive ndaj gazetarëve 

Në fillim të muajit dhjetor, BIRN Albania u padit nga Mirel Mërtiri, partneri i pronares së incineratorit të Elbasanit Stela Gugallja për shkak të një shkrimi investigues që zbulonte lidhjet e tij me inceneratorët. Mërtiri në padinë nda gazetarëve të BIRN Albania pretendonte se shkrimi i ka shkaktuar dëm moral dhe kërkon fshirje të artikullit dhe dëmshpërblim monetar.

Kristina Voko, drejtuese ekzekutive e BIRN Albania, u shpreh për Citizens Channel se këto padi janë mekanizma që përdoren si formë për të penguar gazetarët në raportime të kauzave publike.

Padia është dukshëm e pabazë dhe dukshëm ka për qëllim të frikësojë gazetarët përmes proceseve të kushtueshme dhe të gjata ligjore në mënyrë që të ngurrojnë para se të raportojnë”.

Reagimi për padinë ndaj BIRN erdhi edhe nga Qendra Evropianë për Lirinë e Shtypit, e cila e konsideroi atë të pabazë.


Më herët, Shefja e Kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes, hodhi në gjyq gazetaren Juli Ristani, e cila publikoi në gazetën Shqip një shkrim investigues për procedurën e fitimit të bursave për mjekësi ushtarakë në Greqi, të ofruar nga NATO.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) e ka quajtur padinë e bërë nga pala e Ministrisë së Mbrojtjes si akt intimidues dhe presion mbi raportimin e lirë të gazetarëve.

UGSH e denoncon këtë padi si një akt të pastër presioni ndaj raportimit të lirë, ndaj pengesave dhe vështirësive për respektimin e ligjit për të drejtën për informim dhe cungimit të transparencës publike prej administratës publike, përfshi edhe atë të Mbrojtjes”, u shprehën ata në një deklaratë për shtyp.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Kundër padisë së shefes së Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes ndaj…

Posted by Unioni i Gazetareve Shqiptare on Tuesday, 1 December 2020

 

Raporto

Leave a Reply