Punim grafik: Xhemali Moku

Pesë hidrocentrale të ndërtuara Brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik në Kukës, kanë tharë shtratin e lumit Luma, duke e kthyer atë në një rrjedhë pa ujë, ku vendin e tij e kanë zënë gurët dhe inertet.

Lejet për ndërtimin e hidrocentraleve “Bele 1”, “Bele 2”, “Topojan 1”, “Topojan 2” dhe “Orgjost i ri” janë dhënë në vitin 2008 dhe janë ndërtuar nga shoqëria “EURON ENERGY”, “ENERGAL” dhe “ALB-ENERGY”.

Ligji nuk e specifikon ndalimin e hidrocentraleve brenda Parkut Natyror por thekson se nuk lejohet ndryshimi i gjendjes natyre të rezervave ujore.

Ligji 81/2017 – “Për zonat e mbrojtura”, neni 19, pika 3/a

 

“Në “Parkun natyror” nuk lejohet të zhvillohen aktivitetet e mëposhtme: a) ndryshimet e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore

Jakup Allaraj, banori i Topojanit në Kukës, tregon se dëmet që ato kanë sjellë në mjedis janë të mëdhaja.

Për komunitetin ka sjellë damë katastrofike! Pse? Sepse thashë, këtu poshtë nuk rrihet, po të shikosh edhe pishat kanë fillu për t’u tha. Për të lëvizësh rrugës për të shku në Kukës, të mbyt pluhuri, të mbytin tana sepse nuk ka lum, nuk lëshohet lumi”, – thotë Allaraj për Citizens Channel, teksa pohon se nuk ka marrë pjesë në konsultime.

E kemi marrë vesh në vitin 2013, kur ka ardh tu u ba punimi i fundit këtu. Nuk ka kontaktu kush me ne, nuk na ka thanë kush gja ne, nuk na ka pyt kush ne. Edhe në Gjykatë të Strasburgut po të më çojnë, në qoftë se del emri im ose i familjes sime që ka firmos, unë pranoj… po nuk kemi firmos”.

Punimet e bëra asokohe bllokuan një muaj rrugën për banorët, kujton Jakup Allaraj.

Ne si banorë kemi kalu me thasë të miellit nëpër tunel dhe me të sëmurë i kemi çu, se ka ngelë 30 ditë rruga e bllokume. Flasim për vitet 2011-2012”.

Jakup Allaraj, banor i Topojanit, Kukës

Pesë hidrocentrale të tjera janë planifikuar për t’u ndërtuar në po atë lumë.

“Reka Energy” pritet të ndërtojë hidrocentralet “Zajë” me fuqi 220 KW, “Turaj” me fuqi 320 KW, “Xhaferraj -Meshteken” me fuqi 3680 KW, “Novosej” me fuqi 220 KW dhe “Kollovoz” me fuqi 1500 KW.

Nga rrjedha e lumit Topojan për deri në Zajë, flitet tre, ndërsa në pjesën tjetër që shkon rruga për Shishtavec, fliten dy, pra fliten pesë. Dhe po të merret ky ujë, asht ma mirë që unë të vdes këtu dhe familjes time t’i jepni ngushëllime, sesa të jetoj. Nuk më duhet jeta mu, nuk më duhet”, – artikulon Allaraj.

Ata kanë zhvilluar dhe më herët protesta për të kundërshtuar përfundimin e hidrocentraleve.

Në 2018 në kemi protestu mund të them rreth 1000 banorë e mos më shumë na e gjithë zona, për të mos i lanë dhe këto kanë mbet pezull”, – pohon Jakup Allaraj.

Brenda Parkut Natyror, makineri të shumta shihen teksa marrin inertet.

Allaraj shpjegon se ujin e lumit e përdorin për të vaditur dhe zotohet se nuk do të lejojnë të përfundojnë hidrocentralet e tjera.

Ky quhet lumi i Topojanit dhe e ka zanafillën atje, në Grykë të Zajës këta sundues dun të bajnë digën për të fut këtë bukurinë natyrore, për ta marrë dhe për ta ba HEC-e. Nuk do ta arrijnë kurrë. Kushdo qofshin. Qoftë banorët e Topojanit, qoftë pushtuesit që mund të vijnë nga rrethet e tjera, do të marrin një përgjigje. Përgjigjja e Topojanasve ka qenë dhe do të jetë: “Jetën e japim, këtë nuk e japim. Këtë nuk e japim”, – përfundon ai.

1 Koment

Leave a Reply