Dita e tretë e protestave për vrjasjen e Klodian Rasha Foto: Entenela Ndrevataj

Vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie për shkak të thyerjes së orarit të kufizimit të lëvizjes u shoqëruar me 6 ditë protestë e trazira në Tiranë dhe qytete të tjera.

Qindra qytetarë protestuan para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, për drejtësi ndaj vrasjes së 25 vjeçarit duke kërkuar edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjthshëm të Policisë. Në ditën e dytë të protestave, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, por kjo nuk i ndaloi tubimet, të cilat u bënë edhe më të dhunshme në ditët në vazhdim, të nxitura edhe nga përgjigja e policisë së shtetit dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët shpërndanë turmën duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës.

Sipas njoftimeve për shtyp të Policisë së Shtetit, nga data 10 dhjetor deri më datën 14 dhjetor u arrestuan gjithsej 100 persona, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 387 persona si dhe u shpallën në kërkim 10 persona të tjerë. Këto arrestime janë kryer në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Bulqizë.

Vetëm në Tiranë u arrestuan 93 persona, 314 u proceduan penalisht në gjendje të lirë dhe 8 persona u shpallën në kërkim.

Trajtimi i qytetarëve të arrestuar nga policia jo koherent me të drejtat e njeriut 

Numri i lartë i arrestimeve solli tejmbushje të komisariateve policore por edhe prani të dhunës së shtuar ndaj personave të shoqëruar.

Sipas raportimeve mediatike kontakti me familjarët ka qenë i mohuar, ndërsa shumë prej tyre kërkuan fëmijët dhe të afërmit në komisariate të ndryshme.

Për avokaten Irena Dule, e cila njëkohësisht ka mbështetur me ndihmë juridike disa prej të arrestuarve, kjo është hera e parë që kontakti me familjarët nuk lejohet për personat e arrestuar.

Irena Dule,Qendra Respublika

“Familjarëve gjithmonë iu është lejuar që të paktën të bëhet një takim me orare, ka qenë gjithmonë një orar i caktuar se kur mund të takohej familjari me të arrestuarit. Kësaj radhe nuk është lejuar as për herë të parë, domethënë asnjë herë kontakti i tyre. Pra duket sikur ka një qëllim për ti izoluar ata nga gjithë pjesa tjetër qoftë edhe për efekt frikësues, qoftë edhe për ta bërë situatën më të rendë për ata persona, si për ti dënuar më shumë, si për tu hakmarrë. Konsiderojmë këtu që ata janë të pafajshëm, thjesht janë të dyshuar për akte që prokuroria i referon në gjykatë“,-u shpreh avokatja Dule për Citizens Channel.

Nga vizitat tek klientët e saj në Komisariatin numër 1 të Tiranës, Dule rrëfen se kushtet në të cilat u mbajtën të ndaluarit në protestë ishin jashtë standardeve, duke mos pasur as hapësirë të mjaftueshme.

Në komisariatin nr.1 që unë kam qenë, problem i tanishëm është se është shtuar numri për shkak të arrestimeve çdo ditë dhe nuk është se janë organizuar apo kanë struktura të tjera. 15 metra katror, ndoshta edhe më e vogël, 12 metra katror, një dhomë shumë e vogël dhe aty ishin të paktën 10 veta. Me një sy të lirë kaq arrij unë të vlerësoj. Një ditë më përpara kishin qenë 15 persona. Kishte shkuar Avokati i Popullit kishte bërë shpërndarjen e tyre nga një komisariat në nëpër rrethe, i kishin dërguar një pjesë në Elbasan, por gjithsesi ajo që kishte mbetur ishte prapë shumë.”

Mos pasja e hapësirave ka sjellë edhe pamundësinë për të kryer takimet e të shoqëruarve në polici me avokatët e tyre në mënyrë konfidenciale.

“Takimet me avokatin gjithmonë kanë qenë shumë problem aty se s’ka salla dhe vende të posaçme. Dihet që avokati vjen dhe flet larg veshëve të policisë, është një bisedë konfidenciale që duhet bërë larg. Përgjigja ishte që këtu te këmbët, por literalisht te këmbët e policit duhet të zhvillohej, jo në një korridor më të gjatë që të kesh mundësinë të flasësh me zë të ulët në cep të korridorit. Jo absolutisht, ishte një korridor një metër katror kështu që e pamundur...”-rrëfen avokatja irena Dule.

“Në komisariat pa ujë dhe ushqime”

Ndryshe nga më herët, ku familjarët e të shoqëruarve nga policia kishin mundësi të sillnin ujë dhe ushqime për të afërmit e tyre në komisariate, në pamundësi për tu siguruar nga shteti, në situatën e tanishme pranë komisariatit numër 1 nuk është lejuar të futet asnjë ushqim apo ujë. Edhe kur kjo tentativë është kryer nga vetë avokatja me kërkesë të klientit, kjo gjë është refuzuar.

“Familjarët nuk janë lejuar të shkojnë, nuk janë lejuar të futen ujë, ushqime, qofshin edhe të mbyllura. Në rastin që po flasim, mua më kërkuan që të çoja një shishe ujë, i blerë në supermarket nga familjarët tek një nga protestuesit që ishin ndaluar, klienti im dhe nuk më kanë lejuar ta fus shishen e ujit. Madje me një gjuhë super arrogante, shumë të ashpër edhe me mua”,-tregon avokatja Dule.

Dhunë fizike dhe detyrim për nënshkrim procesvervalesh 

Ashtu sikurse janë shfaqur pamjet edhe nga sheshet dhe rrugët e Tiranës, ku shoqërimi i qytetarëve është kryer duke përdorur forcën, kjo gjë ka vazhduar edhe në komisariate. Sipas komunikimeve që avokatët kanë pasur me klientët e tyre, kjo gjë është pohuar edhe për sjelljen e policisë brenda komisariateve.

“Kanë ushtruar dhunë ditën e sjelljes në komisariat, por edhe të nesërmen kur kanë qenë aty në gjendje të lirë. Hynte polici dhe thjesht i gjuante mbi kokë. Ishte krijuar një frymë terrori aty mesa kuptova”,-rrëfen avokatja Irena Dule.

Ndër të tjera avokatja shton se forca është përdorur edhe për nënshkrimin e procesverbaleve që pamundësojnë të drejtën për avokat.

“Mora vesh edhe nga të tjerë që kishin pasur të njëjtën problematikë, protestues të tjerë pra duke u referuar edhe nga avokatët e tyre që janë detyruar për të nënshkruar procesverbale për të hequr dorë nga e drejta për të pasur avokat. Pra te kutia ke nevojë për avokat ishte shënuar jo. Dhe më thanë që janë rrahur për ti marrë këto dëshmi

Akuzat të mbështetura vetëm në raport-shërbimet e policisë

Personat e arrestuar kanë dalë para gjykatës me akuza të mbështetura në raport-shërbimet e policisë së shtetit, duke mos pasur kështu asnjë provë tjetër mbështetëse si video apo foto. Vërtetësia e raporte shërbimeve sipas ekspertëve, nuk mund kurrsesi te jetë tërësisht korrekte.

“Raporti i shërbimit ishte i njëjti grup policësh që kishin firmosur për dy-tre të pandehur, ku njëri ishte kapur te rruga e Elbasanit, tjetri te Tajvani gjë që është e pamundur që brenda një kohe të shkurtër, i njëjti grup shërbimi të arrijë të identifikojë që ky person ka gjuajtur te kryeministria. Mungonin ora dhe shumë detaje. Ishte edhe copy-paste, pra njësoj siç ishte për njërin ishte edhe për tjetrin, pra e njëjta akuzë.”,- rrëfen avokatja Dule.

Të njëjta problematika të parashtruara nga avokatja Irena Dule janë nxjerrë në pah edhe nga Avokati i Popullit gjatë inspektimit në komisariatet e Tiranës.

RAPORT PARAPRAK I INSPEKTIMEVE TË AVOKATIT TË POPULLIT NË DREJTORINË VENDORE TË POLICISË TIRANË DHE KOMISARIATET E…

Posted by Avokati i Popullit on Monday, 14 December 2020

Një pjesë e konsiderueshme e të shoqëruarve në polici janë minorenë 

Referua të dhënave të policisë përgjatë ditëve të protestave janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm qytetarësh të mitur. Vetëm 17 prej tyre janë shoqëruar në qytetin e Shkodrës.

Ndërsa Avokati i Popullit pas kontrollit në komisariatet e policisë së Tiranës ka vënë re shoqërimin e 102 të miturve që prej fillimit të protestave e deri më datë 13 dhjetor. Të gjithë të miturit, pas marrjes së të dhënave janë lënë të lirë sipas Avokatit të Popullit.

RAPORT PARAPRAK I INSPEKTIMEVE TË AVOKATIT TË POPULLIT NË KOMISARIATET DHE QENDRAT SHËNDETËSORE PAS PROTESTAVE TË DY…

Posted by Avokati i Popullit on Friday, 11 December 2020

Për juristen Megi Reçi, njëkohësisht dhe përfaqësuese e Civil Rights Defenders në Shqipëri, shoqërimi i të miturve dhe sjellja policore ndaj tyre është në shkelje të Kodit për Drejtësinë Penale.

Megi Reçi, juriste dhe përfaqësuese e Civil Rights Defenders në Shqipëri

Nga publikimet në media shihet që është përdorur force jo-proporcionale nga policia në momentet e arrestimit, edhe kundër individëve te mitur. Raportimet e avokateve por edhe te Avokatit te Popullit ngrenë dyshime për shkelje te renda, sidomos ne lidhje me te miturit si mos njoftim i prindërve, keqtrajtim ne rajonet e policisë, pyetje pa praninë e avokatit apo psikologut etj. Te gjitha këto janë shkelje te renda te Kodit per Drejtësinë Penale për te Mitur, procesit te rregullt ligjor, lirisë nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor dhe degradues”,- sqaron Reçi.

Tjetër shqetësim për sjelljen e policisë gjatë protestës sipas Megi Reçit është edhe mos identifikimi i policisë përmes numrave dhe uniformës.

“Nga ana tjetër janë denoncuar arrestime nga civile pa uniforme, police pa numra identifikimi, problematike kjo e ngritur edhe me pare gjate protestës për Teatrin. Këto praktika te paligjshme gjate tubimeve, si dhe mos përdorimi i kamerave te trupit nga policia janë shume shqetësuese. Nëse oficeret e policisë do te kishin patur kamera trupi natën e 8 dhjetorit kur u vra Klodian Rasha, shume pyetje për ngjarjen do kishin marre përgjigje besoj.” 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu