Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të burgosur për herë të dytë – Pandemia kufizon lirinë e të dënuarve në burgje

“Përpara pandemisë e përqafoja djalin, gjithë këto muaj shihemi vetëm online përmes ekranit të kompjuterit”,- u shpreh 58 vjeçarja N. Sh për të birin, i cili po qëndron nën masën burg pa afat që nga janari i vitit 2019, në burgun e Durrësit.

Për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në të gjitha IEVP – të ( Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal) , janë ndërmarrë një sërë masash shtrënguese nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve  që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e takimeve fizike me familjarët, mungesën e aktiviteteve dhe shërbimit shëndetësor pranë qendrave spitalore.

Duke filluar nga data 11 Mars 2020 të paraburgosurv dhe të dënuarve u janë ndaluar takimet fizike me familjarët për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, por si mënyrë alternative nga institucioni është ofruar komunikim online me Skype.

Mbyllje në vetvete dhe rritje ankthi si pasojë e mostakimit të familjarëve

Pamje nga burgu\Durres, Kenete

 “Unë nuk e marr dot vetë, më merr ai nga telefoni atje, vetëm sa them si je, i dëgjoj zërin përditë djalit. Unë i dërgoj dy karta në javë, 20 mijë lekë, është harxhim i madh për mua”, – rrëfen e ëma të riut nga Durrësi.

Sipas Avokatit të Popullit (AP) të dënuarit kanë kërkuar shtimin e minutave në përmbajtjen e kartave telefonike nga kompania, si dhe shtimin e numrave për të bërë më shumë telefonata (lista ishte vetëm me 10 numra për secilin person të dënuar të deklaruar më parë nga ana e tyre).

Citizens Channel u përpoq disa herë të kontaktonte me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) për të marrë më shumë informacion, por institucioni nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara.

Institucioni i Avokatit të Popullit konfirmoi për Citizens Channel se masat shtrënguese brenda IEVP–ve  janë të pandryshueshme që prej fillimit të pandemisë dhe nuk ka pasur asnjë lehtësim të tyre përgjatë muajve , duke rënduar më tej ngarkesën emocionale të të paraburgosurve/dënuarve.

“Nga vlerësimi i stafit psiko – social brenda burgjeve vihet re një gjendje agravimi të ankthit dhe mbyllje në vetvete tek të dënuarit. Një ndër zgjidhjet që ata propozojnë është rifillimi i takimeve me familjarët të paktën një herë në muaj”, citohet në materialin e përgatitur nga AP.

Specialisti i Komunikimit Zylyftar Bregu tregon për Citizens Channel se nëse rikthehemi në kohë, në sistemin diktatorial, aplikoheshin ato që quheshin vizita shikimi, jo takimi. Pra, i dënuari dhe familjari qëndronin në dy mjedise të ndara në një distancë të caktuar, aq sa mund të dëgjonin lehtë njëri-tjetrin. Ai sugjeron se kjo praktike mund të ndiqej, pra të ruhej distanca sociale.

Zylyftar Bregu

“Të burgosurit kanë problemet e tyre që nuk zgjidhen nga administrata. Kanë vështirësi të sferës intime, që nuk ja besojnë dot komunikimit virtual”,- shpjegon Bregu.

Ankesat për burgun në Fier: 5 sapunë për një vit

“Maska dhe dizinfektant përdorte vetëm personeli, ne çfarë na dërgonin vetë familjarët” shprehet për Citizens Channel, një ish i burgosur i cili ka lënë qelinë vetëm para dy javësh në burgun e Durrësit, pasi kreu dënimin katër vite me akuzë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Stafi i KShH gjate monitorimit ne terren

“Ankesat e ngritura nga të paraburgosurit/dënuarit mbi mungesën e sapunëve dhe detergjenteve për larjen e rrobave, duke pretenduar se në harkun kohor 1 vjeçar ju janë ofruar vetëm 5 sapunë, ngrenë dyshime për cenim të neneve 32, 33, 35, 41 të ligjit nr. 81/2020 dhe 34 e 35 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”,- thotë Ardita Kolmarku nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) duke iu referuar monitorimit të KShH realizuar në IEVP e Fierit.

Në IEVP e Peqinit përfaqësuesit të KShH konstatoi se konsultat mjekësore kishin një diferencë tre mujore nga njëra tjetra, duke sjellë cënim të kujdesit shëndetësor ndaj të dënuarve.

Ndërkohë raste të rënda të abuzimit të kujdesit shëndetësor janë konstatuar edhe në Tiranë ku në burgun 325 janë akomoduar shtetas ndaj të cilëve është dhënë masa e “Shtrim i përkohshëm në një spital psikiatrik” apo masë mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion të posaçëm mjekësor.

Media si burim i vetëm i informacionit

“Lajmet për Covid-in, izolimin i dëgjonim vetëm nga televizori brenda burgut”, shprehet 25 vjeçari i sapo liruar.

Ai rrëfen se kur një polic roje mungonte për javë me rradhë, kuptohej vetë ose nga fjalët që qarkullonin se mund të ishte i prekur nga koronavirusi, por asnjëherë nuk janë informuar zyrtarisht nga institucioni për të prekur nga stafi apo të dënuarit e tjerë.

“Në qeli kemi qenë katër veta si para dhe pas shfaqjes së Covid-19”,- pohon më tej ai.

Për të riun nga Durrësi pandemia solli edhe mbylljen e palestrës brenda burgut, që sipas tij ishte edhe një nga ambientet më shplodhëse për të dënuarit.

Pavarësisht sugjerimeve dhe denoncimeve që kanë paraqitur institucionet si AP edhe KShH, kushtet e të para/burgosurve mbeten ende të vështira në vazhdimin e pandemisë globale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *